×
  • Lajme
  • Lajme

    Shëtitjet politike të Mimoza Kusarit dhe Ilir Dedës

    Insajderi
    16 May 2017 - 21:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ilir Deda dhe Mimoza Kusari-Lila e kanë nisur së bashku rrugëtimin politik duke punuar në një zyre. Deda si këshilltar i kryeministrit të parë të Kosovës, Bajram Rexhepi ndërsa Kusari-Lila si zëdhënëse e kësaj Qeverie.

    Por të dytë janë ndarë e bashkuar në parti të ndryshme derisa u bënë bashkë përsëri në një parti të vetme që megjithatë nuk arritën ta japin si alternativë për qytetarët në këto zgjedhje, por hynë me LDK-në.

    Ilir Deda ishte një nga zërat më të fuqishëm të shoqërisë civile deri në tetor të vitit 2010 kur së bashku me kryetarin e tanishëm të Prishtinës, Shpend Ahmetin, kishin krijuar Partinë Fryma e Re.

    Qysh atëherë ai ka ndërruar disa parti dhe disa poste, të gjitha të lidhura politikisht.

    Pasi me partinë Fryma e Re kishin dështuar ta kalojnë pragun në zgjedhjet e viti 2011, anëtarët e kësaj partie bashkë me Dedën iu bashkuan Lëvizjes Vetëvendosje.

    Por një muaj pasi FER-i u shkri në Vetëvendosje, Deda në prill të vitit 2011 kishte pranuar të merrte një post të rëndësishëm, duke u bërë këshilltar i presidentes Atifete Jahjaga.

    Edhe nga ky post kishte dhënë dorëheqje kur ishin afruar zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura në vitin 2014.

    Deda, kishte hyrë në listën e Vetëvendosjes për deputet dhe kishte arritur të zgjidhej deputet i kësaj partie me votat e marra.

    Por as në këtë pozitë nuk kishte qëndruar gjatë. Në prill të vitit 2015, Deda kishte dalë në një konferencë për media së bashku me sekretarin organizativ të VV-së, Dardan Molliqaj, për të lajmëruar largimin nga kjo parti.

    Kjo konferencë ishte cilësuar nga të dy si një largim pa ndonjë urretje ose mospajtim.

    “Bashkëpunim që nuk ka mundur të zyrtarizohet në një ombrellë politike nuk do të thotë se nuk mund të bëhet ndryshe”, kishte thënë Deda.

    “Vetëvendosjen e shoh si një katalizator për ndryshime”, kishte shtuar ai.

    Qëndroi si deputet i pavarur jo shumë gjatë. Në prill të këtij viti ai së bashku me Mimoza Kusari-Lilën themeluan partinë e re që quhej sikur emri i programit të Vetëvendosjes “Alternativa”.

    E kjo parti që tash u bë me LDK-në, u themelua na Gjakovë, në qytetin që e drejtoi Kusari-Lila, një tjetër politikane që ka shëtitur goxha shumë në politikë.

    Ajo ishte jo fort e njohur, derisa në vitin 2003 u bë zëdhënse e Qeverisë së Bajram Rexhepit. Por u tërhoq në vitin 2004.

    Pauzoj disa vite nga politika deri në vitin 2009 kur biznesmeni i njohur Behgjet Pacolli themeloi partinë Aleanca Kosova e Re, në të cilën ajo u bë nënkryetare.

    Ky post i mundësoi asaj që bëhej edhe ministre e Tregtisë dhe Industisë në Qeverinë e udhëhequr nga Hashim Thaçi, në të cilën qëndroi deri në tetor të vitit 2013.

    Në zgjedhjet komunale të vitit 2013 ajo u zgjodh kryetare e komunës së Gjakovës post të cilin e mban ende.

    Kusari-Lila ka në plan që të kandidoj edhe për një mandat në krye të Gjakovës, por sipas të gjitha gjasave këtë do ta bëjë si kandidate e partisë së saj të re, “Alternativa”.

    Përfundimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare që do të mbahen me 11 qershor do të vendos nëse shtëtitjet politike të Dedës dhe Kusari-Lilës do të përfundojnë me partinë e re apo do të vazhdojnë të ecin me LDK-në./Insajderi.com

     

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark