×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Shfaqja “The Handke project” në një turne teatror në Slloveni

    Insajderi
    29 May 2023 - 20:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shfaqja teatrore “The Handke Project” do të jetë në turne në Slloveni përgjatë muajit qershor.

    Kjo shfaqje është prodhim i Qendrës Multimedia (Kosovë) në bashkëpunim me Festivalin Mittelfest dhe Teatrin e Pergolas (Itali); Teatrin e Dortmundit (Gjermani); Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Scene MESS & Teatrin Kombëtar të Sarajevës (Bosnjë dhe Hercegovinë)

    Regjisore e kësaj shfaqje është Blerta Rrustemi-Neziraj, ndërsa autor i tekstit dramaturgjik është Jeton Neziraj. Në të luajnë aktorët Arben Bajraktaraj (RKS/FR); Adrian Morina (RKS); Ejla Bavcic (BiH0; Verona Koxha (RKS); Klaus Martini (IT).

    Shënim rreth shfaqjes:

    “The Handke project” ka për temë qendrore vendimin kontravers për përcjelljen e nderit të të qenit laureat i çmimit Nobel për letërsi tek shkrimtari austriak Peter Handke, përkundër mbështetjes së tij të mirë-dokumentuar për Sllobodan Millosheviqin, i cili vdiq gjatë gjyqit për krime lufte në Hagë. Kjo mbështetje u zgjerua deri në një fjalim të Handkes pranë varrit të Millosheviqit. Në The Handke Project, Qendra merr këtë moment si pikënisje për të eksploruar atë se si çmohet dhe promovohet arti atëherë kur i tejkalon kufijtë e dinjitetit themelor njerëzor, humanizmit dhe etikës.

    Për këtë produksion, Qendra Multimedia ka bashkuar një ansambël pan-evropian të shkrimtarëve, performuesve dhe artistëve nga Kosova, Italia, Gjermania, Serbia e më gjerë, secili prej të cilëve ka sjellë një perspektivë të veçantë në këtë vepër. Këtu përfshihen dramaturgia e njohur serbe Biljana Srbljanoviq e cila do të ndihmojë si dramaturge dhe shkrimtarja kroate me bazë në Gjermani Alida Bremer, e cila në shtypin gjerman ka shkruajtur gjerësisht për Handken.

    “The Handke project” është një performancë teatrore për shkrimtarin që me librat dhe qëndrimet e tij ka fabrikuar e ka përmbysur faktet e luftërave në ish Jugosllavi; ka nxitur dhe përkrahur ideologjinë e ‘tokës së djegur’, si dhe u ka thurur elozhe poetëve e filmbërësve militantë, të konvertuar në ‘inxhinierë të projekteve gjenocidale’. Në varrimin e kriminelit Millosheviq, Handke i thoshte masës së njerëzve të etur për gjak, se ai “nuk e di të vërtetën” dhe se prandaj është “këtu afër Millosheviqit, afër Serbisë”. Vuajtjen e serbëve Handke e krahasonte me vuajtjen e hebrenjve në kohën e nacizmit.

    Detajet e turneut:

    • 6 qershor, ora 20:30 në Teatrin Kombëtar Slloven në Maribor si pjesë e Festivalit të Teatrit të Mariborit.
    • 8 qershor, ora 20:00 në Teatrin Kombëtar Slloven në Nova Goricë.
    • 9 qershor, ora 20:00 në Teatrin e Qytetit në Ptuj.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark