Insajderi ka siguruar dëshmi që tregojnë se procesi i përzgjedhjes së Kryeshefit të KEK-ut është shoqëruar me shkelje të rënda ligjore. Në krye të ndërmarrjes do të emërohet Nagip Krasniqi, i cili sipas dokumenteve të siguruar nga Insajderi, ka punuar si këshilltar politik i ministres Rozeta Hajdarit. Ligji e penalizon emërimin e tij ne krye te KEK-ut.
Nagip Krasniqi, ish-këshilltari i ministres Rozeta Hajdari, është zgjedhur Kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës.
Në krye të ndërmarrjes më të madhe publike ai u zgjedh nga Bordi i përkohshëm i KEK-ut nëpërmjet një konkursi në të cilin kanë konkurruar 38 kandidatë.
Bordi i përbërë nga drejtorët Rrezarta Pllana, Merita Kasapolli, Arbnor Pula dhe Bezad Halilaj e kanë vlerësuar me 37 pikë nga 40 të mundshmet Nagip Krasniqin.
Vendimi i Bordit të përkohshëm i emëruar nga qeveria e Albin Kurtit, duket të jetë i jashtëligjshëm, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas nenit 17 pika K e Ligjit për Ndërmarrje Publike personat të cilët kanë qenë të zgjedhur publik, emëruar politik apo kanë mbajtur pozita udhëheqëse ose vendimmarrëse në parti politike gjatë 36 muajve të fundit nuk mund të udhëheqin me ndërmarrjet publike.
Dokumenti i siguruar nga Gazeta Insajderi dëshmon shkeljet ligjore në procesin e zgjedhjes së Kryeshit të KEK-ut
Nagip Krasniqi, sipas një dokumenti që e ka siguruar Gazeta Insajderi, ka qenë këshilltar i Rozeta Hajdarit gjatë vitit 2020, në mandatin e kaluar të saj.
Këshilltarët janë të emëruar politikë të Rozeta Hajdarit, në këtë rast të ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë..
Më 13 mars të vitit 2020, në ora 9:14 të paradites, Krasniqi ka kërkuar nga stafi i ministrisë t’i përcillen disa raporte të punës së Korporatës Energjetike të Kosovës.
“Në vazhdim të diskutimit që kishim dje, të lutem ia kërkon KEK-ut këto dokumente…”, shkruan Krasniqi në e-mial, duke konfirmuar se ka pasur një takim ndërmjet stafit të ministres Hajdari brenda hapësirave të ministrisë së Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, transmeton Gazeta Insajderi.
Tri ditë më pas, më 16 mars, personi tek i cili Krasniqi e ka çuar e-mail, kërkon që këshilltarit të ministres, t’i përcillen të gjitha dokumentet që i ka kërkuar.
“Kërkoj nga ju të mi dërgoni këto të dhëna të cilat i ka kërkuar këshilltari i Ministrisë”, shkruan zyrtari i ministrisë, duke e konfirmuar kështu se Nagip Krasniqi, ka qenë këshilltar në mandatin e parë të Rozeta Hajdarit, transmeton Gazeta Insajderi.
Krasniqi nuk e ka treguar asnjëherë publikisht angazhimin e tij si këshilltar në ministrinë e drejtuar nga Rozeta Hajdari.
Gazeta Insajderi i ka pyetur Nagip Krasniqin dhe Rozeta Hajdarin rreth kësaj çështjeje, por asnjëri nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e shkrimit.
Ndryshe në interpretimin e dhënë nga Zyra e Kryeministrit dhe ministria e Zhvillimit Ekonomik për rastin e Blerand Stavilecit dhe Sejdi Hoxhës është thënë se zyrtari i lartë i ndërmarrjeve publike duhet të jenë të pavarur siç parashihet në nenin 17 pika k, e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.
Në opinion ishte thënë se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike sqarohet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të Ndërmarrjes Publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet Kryeshefi Ekzekutiv i Ndërmarrjes Publike, shkruan Gazeta Insajderi.
Angazhimi në Vetëvendosje i drejtorit të KEK-ut
Nagip Krasniqi që pritet nesër ta nisë punën në krye te ndërmarrjes më të madhe publike, KEK, për një kohë ka qenë drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai shihet në disa takime me drejtues të lartë të kësaj partie politike që nga koha e Visar Ymerit e deri në takimet së bashku me tashmë zëvendës kryeministrin Besnik Bislimi, shkruan Gazeta Insajderi.
“Sot, nënkryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Besnik Bislimi, drejtuesi i Komitetit për Energji, z. Nagip Krasniqi dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, z. Kreshnik Ahmeti pritën në takim një delegacion të nivelit të lartë nga Millennium Challenge Corporation (MÇ), të kryesuar nga drejtorja menaxhuese e MCC për Evropë, Azi, Pacifik dhe Amerikë Latine, znj. Caroline T. Nguyen”, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes të publikuar me 30 tetor 2019.
Komiteti për energji sipas statutit të Lëvizjes Vetëvendosje është organ këshillues i partisë. Kapitulli II i këtij statuti ka përcaktuar se komitetet profesionale në Lëvizjen Vetëvendosje bëjnë pjesë në nivelin e organeve këshilluese.
I pyetur nga KALLXO.com nëse është anëtar në Lëvizjen Vetëvendosje apo nëse është paguar për këshillat e ofruara, Krasniqi tha se as nuk është anëtar e as nuk është paguar për punën në partinë e Albin Kurtit.
“Nuk jam pagu dhe nuk jam anëtar i lëvizjes dhe asnjëherë nuk kam qenë formalisht anëtar”, tha Krasniqi.
Ai shtoj se roli i tij në komitet ka qenë udhëheqës, mirëpo si pozitë nuk ka qenë formale brenda partisë.
“Komitetin e kam udhëheq para dy vite, por nuk është pozitë udhëheqëse formale brenda partisë, por është trupë ku marrin pjesë ekspertë të ndryshëm brenda ose jashtë partisë i cili ka rol këshillëdhënës”, shtoi kryeshefi i ri i KEK-ut, transmeton Gazeta Insajderi.
Përpos kësaj, emri i Nagip Krasniqit është përmendur edhe në hetimet nga Njësia për Krime Ekonomike që janë zhvilluar disa vite më parë në KEK.
Sipas burimeve të RTK-së, vite me parë thuhet se në KEK hetimet ishin duke u zhvilluar ndaj këtyre personave: Et’hem Çeku, Remzi Shahini, Muhedin Haxhiu, Lorik haxhiu, Fadil Ismaili, Nagip Krasniqi e Dino Rama.
Pra, Nagip Krasniqi i cili pritet që në fillim të javës së ardhme të emërohet si Kryeshef ekzekutiv i KEK-ut ka qenë nën hetime dhe është person i ekspozuar politikitsht, gjë që ndalohet me Ligjin për Ndërmarrje Publike./Gazeta Insajderi/