×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Shkrimtari Visar Zhiti mban ligjëratë për letërsinë në Universitetin e Michiganit në ShBA

    Insajderi
    30 April 2023 - 21:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në Universitetin e Michigan-it, i pari universitet publik dhe ndër më të mëdhenjtë në SHBA, Fakulteti i Gjuheve Moderne dhe letërsive të tyre ftoi poetin dhe shkrimtarin Visar Zhiti për të mbajtur një ligjëratë dhe një bisede me studentët amerikanë, që ndjekin, në Katedrën e Sllavistikës, lëndën “Letërsia shqipe në Ekzil”, të krijuar dhe drejtuar nga Dr. Lisandri Kola.

    Në auditor, përveç studentëve të shumtë të kombësive të ndryshme, indianë, aziatikë, europianë, rumunë, etj, shqiptarë patjetër, kishin ardhur dhe qytetarë amerikanë si dhe një grup nga etërit e Kishës katolikë shqiptare të Mitchigan-it. 

    “Le t’i shpëtojmë poezitë”. Kjo ishte tema e takimit dhe mbishkrimi i pllakatit me portretin e të ftuarit, i vendosur në mjedisin e Departmanetit. 

    Në qendër të leksionit të Visar Zhitit do të ishte dëshmia e tij e gjallë, poezia në burg, e përmbledhur në librin: ”Dorëshkrimet e fshehta…”, botim anastatik i “Onufrit”, Tiranë, që kishte mbërritur dhe në SHBA, shoqëruar kjo dhe me një libër tjetër e ri, i porsadalë po nga “Onufri”, “Pyetja nr. 19”, një bisedë mes autorëve Visar Zhiti dhe Lisandri Kola për çeshtjet e letërsisë në realitetin e tanishëm, polemikë dhe sfida si dukuri të letrave sot në Europën Qendrore dhe Lindore, të vendeve të dala nga perandoria komuniste.  

    Auditori universitar jo vetëm që dëgjoi me vëmendje të madhe, por dhe shfaqi interesim të mëtejshëm për Shqipërinë dhe artet e saj.

    “T’i shpëtojmë poezitë” u ndje si një apel jete.

    Në fillim, Dr. Kola prezantoi të ftuarin me fjalën në vijim e mandej, vetë Zhiti mbajti kumtesën e tij.

    Poeti Visar Zhiti ishte i ftuem në University of Michigan, Ann Arbor në nji ligjrim me ftesë time në nji orë në leksionet e mia Albanian Lietrature of Exile, të cilat i mbaj prej 2019. Këtë propozim ua përcolla titullarëve të Departamentit ku punoj, Slavic Languages and Literatures, të cilët e inkuadruen dhe e bashkësponsorizuen si event të këtij departamenti dhe CREES (Center for Russian, East European, and Euroasian Studies) po pjesë e UM.

    Motivi kryesor ishte me prezantue dhe me promovue letërsinë shqipe, atë letërsi e cila asht antiestabilishment dhe e kundërta e realizmit socialist gjatë sundimit komunist në Shqipni. Poeti Zhiti, dhe dorëshkrimet e tij, janë simbol rezistence e disidence në krejt Europën Lindore dhe renditen ndër atë korpus të randësishëm të letërsisë e cila frymon kah liria edhe pse në totalitarizëm. Prezenca e Zhitit në eventin ‘Let’s save the Poems’ asht nji ndër përpjekjet e mia të vazhdueshme, individuale për me advokue për letërsinë dhe kulturën shqipe, në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, të cilat mbesin ende të nënpërfaqsueme; por landa që unë ligjroj, në dijeninë time, për fat asht e vetmja në ShBA që preukopohet për letërsinë shqipe, e aq ma tepër atë të Ekzilit, nji faqe e pashkrueme ende si duhet në studimet shqiptare. Në lidhje me nji detajim të matejshëm për lexuesin shqiptar e atë të ExLibris, po paraqes këtu nji version të përkthyem e të përshtatun në shqip të prezantimit tim ba më datën 14 prill 2023, datë në të cilën u mbajt eventi.   

    Zotni Zhiti u dënue gjatë regjimit komunist në Shqipni me dhetë vjet burg, prej të cilave kreu tetë, mbasi poezitë e tij u cilësuen prej propagandës shtetnore dhe aktekspertëve me ‘gabime të randa’. Poezitë e Zhitit u konsideruen hermetike dhe kundër formatit të realizmit socialist, zhvillue gjatë kohës së diktaturës. Por siç pohon poeti, ai vijoi me shkrue edhe në burg, tue u kujdesë kësisoj për shndetin mendor në kushtet e panjerëzishme të regjimit.

    Me harkut kohor 1979-87, që përkon me vitet e burgut të Visar Zhitit, ai shkroi e shpëtoi njimbëdhetë fletore me poezi. Rrugëtimi i poezive të burgut and unik dhe guximtar. Në burgjet komuniste të Shqipnisë, nuk lejohej as lapsa e as letra (veç në raste të përcaktueme nga drejtoria e burgut), e kjo ishte nji tjetër sfidë me të cilën ndesheshin autorët e burguem. Kështu që, ‘Le të shpëtojmë poezitë” u ba lajtmotivi i poetit shqiptar Visar Zhiti dhe i bashkëvuejtësve të tij, me të cilët ai ndau fatin në disa burgje dhe kampe pune. Shokët e burgut e motivuen poetin për me dëshmue golgotën shqiptare. Nësa në hetuesi, miniera bakri, kampe pune apo qeli, Zhiti hartonte me mend poezitë e tij dhe si t’i jepej mundsia i hidhte në fletore, bazë materiale që lejohej për letra-denoncime mbrenda burgut ose për letra ciklike familjarëve. Kështu poezitë e tij kaluen dorë-më-dorë e u ruejtën në fshehtësi. Zhiti nuk mundi me i shpëtue të gjitha shkrimet e tij në burg, por ia doli me qitë për hekrash njimbëdhetë fletore, me ndihmën e familjarëve të vet. Në këtë mënyrë, poezitë e tij e fituen lirinë para se poeti me e fitue atë.

    Krejt fletoret në dorëshkrim u faksimilizuen dhe u botuen në 2021 nga Onufri, vepër e cila fitoi Çmimin Kombëtar për Poezinë. Në ligjratën e tij, Visar Zhiti ka me ndá me auditorin pikërisht këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm nën Shqipninë komuniste si dhe frymëzimin e botës së tij poetike, e cila asht simbol i rezistencës intelektuale dhe i lirisë.

    Le t’i japin nji mirëseardhje të ngrohtë Zotni Visar Zhitit!

    POEZIA ËSHTË LIRI, AJO MË FUTI MUA NË BURG, POR DHE MË SHPËTOI SHPIRTIN NGA BURGU…

    – Triptik nga Visar Zhiti –

    Të dashur studentë, të pranishëm e qytetarë të mbledhur për këtë takim.

    Është kënaqësi e madhe që jam sot këtu me ju për të ndarë diçka nga përvoja ime, për poezinë në burg, mendimet në lidhje me censurën e letërsisë gjatë komunizmit dhe pasojat e saj të rënda.

    I jam shumë mirënjohës Fakultetit të Gjuhëve Moderne dhe Letërsive të tyre, Departmanetit të Sllavistikës për mbështetjen e vizitës time në Universitetin e Ann Arbor në Michigan. .

    I jam shumë mirënjohës Dr. Lisandri Kola për ftesën dhe më mirëpritjen, mbi të gjitha për lëndën që ai zhvillon këtu me ju, “Letërsdia shqipe ne egzil”.

    Jam i emocionuar, nuk e fsheh, sepse jam në departamentin, ku ka qenë poeti i famshëm, nobelisti Josiph Brodsky, ish i burgosur politik si dhe unë, i ikur nga Rusia sovjetike……

    Po më lejoni të filloj me rrëfimin tim për poezinë në një diktaturë, të mbyllur si një burg.

    *   *   *

    Unë jam dënuar me 10 vjet burg për poezitë e mia në Atdheun tim, shumë larg nga këtu, në Europë, më saktë në Ballkan, në gadishullin aq shumë poetik të botës, në një vend të vogël midis Greqisë, që ka nxjerrë  Homerin dhe Italisë, që ka nxjerrë Danten, dy poetët e parë dhe ndër më të mëdhenjtë e njerëzimit. 

    Dhe mua më vjen shumë keq, se më duket se nga trashëgimia e mrekullueshme e Homerit arritën të mbajnë dhe të mësojnë nga më mizorja, atë se si Akili zvarriti trupin e Hektorit, pasi e vrau, se dhe sundimtarët e vendit tim ashtu do t’i trajtonim kundërshtarët, t’u dhunonin dhe kufomat. Ndërsa nga Dante gjenial u pëlqye më shumë “Ferri” i tij dhe u ndërtua një më i keq dhe më i tmerrshëm mbi tokën shqiptare… burgjet e diktaturës, ku janë dënuar dhe poetë, madje janë pushkatuar…

    Unë kam një poezi ka formën e hartës së atdheut tim, Shqipërisë, e shkruar në burg. Dua të them se vendi im aq është, sa një poezi e dënueshme.

    Në fakt kam ardhur të them se unë kam shkruar poezi në burg, pavarësisht se si e nisa fjalën time, por do të tregoj shkurt, që ishte e ndaluar poezia e lirë, unë shkruajta fshehurazi, e ruajta poezinë dhe ajo më ruajti, shpirtin tim…

    1.

    Mua më arrestuan kur isha 26 vjeç, punoja mësues në një fshat mes maleve të Veriut të venditi tim dhe më dënuan me 10 vjet burg për poezitë e mia, që i kisha dërguar për botim në t;e vetmen shtëpi botuese që kishte vendi im dhe që ishte shtetërore, e kuntrolluar. Më akuzuan që poezitë e mia jo vetëm që ishin të trishtuara dhe hermetike, por që ishin dhe kundër metodës letrare që lejohej atëhere, Realizmit Socialist, madje që ishin dhe kundër vetë sistemit socialist, kundër diktatorit komunist Enver Hoxha.

    Këtë konkluzion, akt-ekspertizën e poezive të mia nuk e bënë policët apo prokurorët a gjykatësit, as avokati mbrojtës, se të tillë nuk kishte në vendin tim por më parë redaktorët letrarë të shtëpisë botuese, poetë dhe shkrimtarë të regjimit. Informacioni u dërgua lart, kështu thuhej për udhëhqjen e vendit, për sundimtarët, në Komitetin Qendror të Partisë së Punës, që e vetme ishte dhe shtet dhe diktaturë mizore.

    Poezitë e mia nuk i kisha menduar si trakte politike dhe as i kisha shpërndarë si të tilla, ishin thjeshtë poezi, që do të tregonin për mua e botën time përreth, ndjesitë e mia.   

      Ja njëra nga poezitë, e kisha shkruar që student. Po e lexoj së pari në shqip:

    DIELLI I DYTË

    Shumë gjak

    është derdhur mbi këtë botë,

    por akoma s‘e kemi krijuar diellin e gjakut.

    Dëgjo, miku im, këto fjalë që dridhen:

    një diell i dytë do të lindë

    nga gjaku ynë

    në formën e zemrës

    Përkthyesi i poezive të mia në anglisht, në librin tim “The condemned apple”, të botuar në vitin 2005 në SHBA nga botuesi “Green Integer” poshtë kësaj poezie ka vendosur këtë shënim: This poem was written in the 1970s and used, among others, by the State as evidence to condemn the poet to ten years in prison. As the communist system in Albania at the time prided itself on being the ‘socialist sun,’ the poet’s appeal for a second sun was interpreted as a call for an anti-communist uprising.

    2.

    Kur më arrestuan dhe më hodhën prangat në duar, më lanë vetëm në një qeli të zbrazët dhe natën më merrnin në pyetje: që pse isha bërë armik i Partisë dhe popullit, kush të ka nxitur që do të përmbysësh sistemin tone socialist, mos je i lidhur me shërbimet e fshehta agjenturore të imperializmit amerikan dhe revizionizmit sovjetik?

    Që t’i mbijetoja tmerrit dhe çmendjes, frikës dhe urisë dhe vetmisë torturuese, nisa të bëj poezi me mend, se nuk lejoheshin as letra dhe as lapsi dhe as libri. Vazhdoja të krijoja çdo ditë, poezi për murin, për derën dhe dritën që hynte nga dritarja me hekura, poezi për minjtë, të vetmit që më vinin dhe më vizitonin, poezi për larine, për mallin, poi  ndja në poezitë e të hënës, të së martës, të mërkurës e kështu me radhë, të dielën i përsërisja të gjitha dhe endesha si një tiger në kafaz. U bënë 97 poezi me mend. Nuk i bëra dot 100, sepse, pasi më nxorën në gjyq, që u bë i hapur me plot njerëz në sallë si në një teatër absurd, me pranga në duar më çuan në burgun e tmerrshëm të Spaçit. Rrugës i dëshpëruar dhe pa shpresë thosha me vete se poezia kishte qenë prostituta që më dënoi mua… 

    Por poezia do të bëhej dhe shenjtorja mbrojtëse e shpirtit tim.

    Në burgun politik, mes shumë të dënuarve, qytetarë nga e gjithë Shqipëria, profesorë, mjekë, inxhinierë, fermerë, por dhe artiste, gazetarë e shkrimtarë, etj, të dënuar për agjitacion dhe propaganda kundër shtetit apo për tentative për arratisje nga Shqipëria, të akuzuar për sabotim apo atentate udhëheqjes, për agjenturë të vendeve të huaja, aty gjeta dhe një shok timin, kishim qenë bashkë studentë, ai u bë dhe mecenati i poezisë time, dua t’ja them emrin, Hasan Bajo, tani është në New York dhe ka botuar dhe një roman, ai më nxiti t’i shkruaja poezitë që kisha në kokë, se mund të vritesha në minierë e ato duheshin shpëtuar, kështu më tha, thjesht, sikur po më jepte një cigare, por me seriozitetin sikur po flisnim për testamentin.

    Dhe ashtu bëra. Në burg lejohej fletorja, mund të bëje vetëm dy letra në muaj, vetëm dy faqe familjes, por denoncime për komandën e burgut mund të shkruaje sa të doje. Këtë mundësi shfrytëzova unë, i shkruajta poezitë e mia në ato dhomat me plot të burgosur, me shtretërit ngjitur njëri pas tjetrit, me tre kate, më ruante miku im.

    Ai i fshehu fletoret, s’di ku i çoi, kujt ia dha. Dhe unë vazhdova të shkruaja të tjera fshehurazi.

    U shtuan fletoret, miqtë besnikë që i fshihnin, lexuesit e pakët, që nuk janë aq shumë për aq vite burg sa bëra. Po ata nuk na denoncuan, na mbrojtën dhe ne mbetem gjallë. Dhe shkruaja:

    …në këtë llogore burgu

    plot baltë vuajtjesh

     rri dhe pres.

    Sa keq të jesh luftëtar pa lufëra!

    Edhe vetë u specializova në fshehjen e poezive në thasët e rrobave tona të grisura, i mbështillnim me pece të pista, që të mos i kontrollonin dot, në kashtën e dyshekut, në opinga, etj, u bëra kontrabandist i poezisë.

    Aty nga viti i pestë a i gjashtë i burgut, guxova t’i marr me vete në takimet me nënën, me vëllezërit, Shpëtimin dhe Ilirjanin dhe me motrën, Arbëreshën. Vinin herë pas here, në çdo 3-4 muaj, jo të gjithë bashkë. Edhe fletoret, të fshehura në trup, te këpucët e burgut apo në astarin e çantës së ushqimeve, gjeja rastin, kur kisha siguri dhe ua jepja atyre. Më ka shpëtuar Zoti!

    Pse shkruaja, kur mund të humbja dhe jetën?

    Duke shkruar, edhe në kushte tmerri, edhe pse për burgun, për punën e rëndë, për minierën, ku punonim si skllevër, për të vrarët, policët, spiunat, telat me gjëmba dhe hënën sipër tyre, për borën e burgosur, këpucët e burgut, qentë, ylberin, etj, etj, unë s’isha më aty, por në një si skrivani të padukshme, njëlloj me këdo që shkruante, në Tiranë, ku kam lënë shtëpinë time a po në Romë, në Paris, në New York, këtu në Michigan, arrija kështu përhumbjen time, delirin tim, i vidhesha burgut dhe kjo ishte liria ime e munguar, e rishpikja, e krijoja.

    Pastaj zbulova mrekullinë: kur shkruaja, s’kishte rëndësi çfarë, e mirë ose jo, a do të duhej, a do të kishte lexues, etj., në ato çaste unë nuk jetoja si i burgosur, gjë për të cilën shteti kujdesej si përbindësh, pra sfidoja vendin dhe kohën, pavetëdijshëm rishpikja dhe emocionin e gjallë të krijimit, pra bëja poetin duke e zhvleftësuar krejt dënimin.

    Dhe kuptova se po kryenim dy akte të mëdha dhe me rëndësi, sipas meje:

    – Një nga një dhe së bashku po krijonim një “letërsi tjetër”…

    – Po kështu ne krijuam lexuesin e burgosur dhe të fshehtë të kësaj letërie.

    3.

    Poezitë tona, pra, si asnjë poezi tjetër në botë, kanë dhe “biografi”, aventurën dhe rrezikun dhe ishin pa asnjë mundësi botimi.

    Siç tregova, poezitë e mia arritën të dalin para meje nga burgu, por unë nuk e dija ç’bënin familjarët e mi me to, ku i çonin? Sigurisht në shtëpi, në Lushnjë, në apartamentin tonë të vogël murehollë, me dysheme çimentoje. Me fëmijët e vegjël, që mund t’i gjenin… Po fqinjët, që s’dihej se si… Motra ime kishin shtëpi përdhese dhe me kopsht. Bashkëshorti i saj, Thomai, sajoi një arkë metalike, mbylli fletoret e poezive të mia atje dhe i futën nën dhé. Dhe nga nën(ë)dheu kishin ardhur… Ç’t’ju them, ky është një poemë tjetër…

    Kur u lirova nga burgu, me të mbërritur në shtëpi, m’i dorëzuan, të ruajtura me dhëmbshuri mitike, Po unë çfarë t’u bëja? Unë s’kisha më të drejtën e botimit, punoja si punëtor në një fabrikë tullash dhe po i rezistoja Sigurimit të Shtetit për të mos u bërë bashkëpunëtor i tyre, spiun. Dhe vazhdoja të shkruaja. Mbarova dhe tre drama

    Duhej të shëmbej Muri i Berlinit, të binte perandoria komuniste dhe në vendin tim të fillonin ndryshimet, që edhe unë të mund të botoja…

    Ndërkaq nga burgjet dolën ashtu si gjithë të burgosurit poezi, tregime, memuaristikë, romane, studime, përkthime…

    Erdhi një “letërsi tjetër” jo që të zëvendësonte letërsinë shqipe siç u trembën shkrimtarët e Realizmit Socialist, por për të sjellë vetveten, të vërtetën dhe moralin, që edhe Franc Kafka e thotë se pa ato nuk ka letërsi të madhe. Albert Kamy definon: E vërteta është urdhër.

    Letërsia jonë e burgjeve dhe internimeve, që nuk e dinin se ekzistonte, e pasuroi letërsinë e re shqipe dhe tani ajo ka lexuesit më të shumtë, zotëron si frymë.

    Edhe unë nisa të botoj poezi, tregime, ese, romane, së fundmi të gjitha ato fletoret e nëndheshme në një botim të ri anastatik, faksimile, “Dorëshkrimet  e fshehta të burgut”, madje iu dha çmimi i parë kombëtar për poezinë nga juria e vitit 2022, por para se të shpallej ky çmim, studiuesi dhe shkrimtari Lisandri Kola, pedagog në universitetin tuaj,  bëri disa pyetje dhe konstatime me rëndësi për problemet e letërsisë shqipe sot. Bashkë me përgjigjet e mia ato dolën  një botim më vete, pra kemi kështu një libër për një libër, por që i ngjan një guide për mendimin e ri kritik.

    Ne jemi letërsia që ka brenda vetes burgun, jo vetëm metaforik, por dhe atë realin dhe ndoshta jemi letërsia e vetme në botë që ka dhe një varrezë monumentale të shkrimtarëve dhe poetëve të vrarë, ca vdiqën në burg dhe ca i pushkatuan, të cilët ende nuk ka një varr ku të vendosim një lule. Në nderim të gjakut të poezisë dhe gjakut të tyre, që janë të përzier tani midis tyre, lejomë të përmend disa emra këtu:

    Dom Lazër Shantoja, poet, esperantisti i parë shqiptar, i pushkatuari i parë nga kleri katolik, në vitin 1945, sapo kishte mbaruar Lufta e Dytë Botërore. Në vitet më pas do të pushkatonin të tjerë.

    Beqir Çela në vitin 1947, në moshën e Krishtit, kishte shkruar dhe një nga Himnet Kombëtare.

    Në vitin 1948 pushkatojnë poetin Ali Skëndi – Baba Tomorri, klerik bektashian.

    Vdes në burg në moshën 86 vjeçare, në vitin 1951 Dom Ndoc Nikaj, romancieri i parë shqiptar.

    Në vitin 1961 pushkatojnë poetin 31 vjeçar Trifon Xhagjika.

    Në vitin 1965një javë para lirimit, helmojnë në burg tragjedianin e parë shqiptar Et’hem Haxhiademi, kurse në vitin 1967 pushkatojnë dy poetë të rinj, kushërinj, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka.

    Në vitin 1983 vdes në internim, pasi kishte dalë nga burgu, shkrimtarja Musine Kokalari, ndër të parat, në mos e para grua shkrimtare. 

    Në vitin 1988 varin poetin Havzi Nelaj, kjo është dhe varja e fundit në të gjithë perandorinë komuniste, se pas një viti rrëzohet Muri i Berlinit bashkë me gjithë perandorin:e komuniste.

    Ne na vranë me plumba ata që bënë diktaturën, kurse ne edhe pas vdekjes i vrasim me poezi, që të ndërtojm;e ëndrrën.

    Po e mbyll fjalën time ashtu siç e nisa, dua të them se pas disa mijëvjeçarëve nga Homeri kemi mësuar se duhet të bëjmë një luftë të përditëshme ashtu si në “Iliadë” për një grua të bukur, Helenën e Trojës, ne të luftojmë që të fitojmë bukurinë shpirtërore, ndërsa nga Dantja t’i japim më rëndësi në jetë asaj që është në Komedinë e tij hyjnore, “Parajsa” dhe të kujtohemi se poema më e bukur në botë është ajo e dashurisë.

    Ann Arbor, 14 prill 2023

    Fjala e mbajtur në Universitetin e Miçiganit.   

    (Marr nga gazeta e përjavshme për letërsi dhe kulturë “ExLibris”)

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark