Kontrata mes Presidencës dhe kompanisë “Ballard Partners”, parasheh që Kosova t’i paguajë 52 mijë dollar në muaj kësaj kompanie, për lobim, shkruan Gazeta Insajderi.
Vlera totale e kontratës shkon në 1 milionë e 248 mijë euro, gjatë dy viteve sa do të zgjasë marrëveshja e nënshkruar në dhjetorin e 2017-ës.
Kontratën që Presidenca e ka shpalosur para Komisionit hetimor parlamentar, tregon se Kosova kryen pagesat për zbatimin e kësaj marrëveshje çdo tre muaj.
“Detyrat e Ofruesit të Shërbimeve është të konsultohet me Autoritetin Kontraktues dhe të avokoj në emër të tij për ato cështje që Autoriteti Kontraktues i konsideron të nevojshëm dhe të përshtatshëm para qeverisë federale të SHBA-së. Çështjet dhe objektivat mund të përfshijnë, por nuk mund të kufizohen në, zgjerimin e marrëdhënieve SHBA – Kosovë, forcimin e institucioneve demokratike dhe sundimin e ligjit, zbatimin e antiterrorizmit të përbashkët dhe përpjekjeve ushtarake, avancimin e iniciativave të rritjes ekonomike dhe shtyrjen përpara të integrimit të Kosovës në struktura evropiane dhe euro-atlantike dhe që kanë të bëjnë me të kaluarën”, thuhet në njërën nga pjesë e kësaj kontrate që e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Në lidhje me këtë kontratë, në fundin e muajit shtator para komisionit kishte raportuar Fehmi Selimi, drejtor i departamentit të Administratës dhe Buxhetit në Zyrën e Presidentit.
Kurse më 2 korrik kryetari i këtij komisioni, Dardan Sejdiu kishte bërë kërkesë që të ketë çasje në kontratën e Presidencës me “Ballard Partners INC”.
“Ofruesi i shërbimeve do të marrë nga Autoriteti Kontraktues (Presidenca) 52 mijë dollar në muaj për këtë marrëvshje. Tarifa do të paguhet në 8 këste të barabarta, të paguara në fund të çdo tre mujori, deri në përfundimin e marrëveshjes. Kjo marrëveshje hynë në fuqi më 2 dhjetor 2017, dhe mbetet në fuqi deri më 21 dhjetor 2019”, thuhet në kontratën e Presidencës me këtë kompani.
Në mbledhjen e komisionit që ishte mbajtur në shtator, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ishte interesuar të dijë nëse shpenzimet janë shfrytëzuar edhe për librin e presidentit.
Në transkriptet e Komisionit që i ka siguruar Gazeta Insajderi, Vjosa Osmani pyet nëse është bërë ndonjë pagesë nga parat e shtetit për këto promovime.
Mirëpo, Musliu kishte deklaruar se nga buxheti i presidencës nuk ka pasur pagesa të tilla.
Milionat e Ministrisë së Jashtme në lobim:
Shuma të mëdha parash për lobim ka shpenzuar edhe diplomacia kosovare ndër vite. Në dokumentet që i ka siguruar Gazeta Insajderi, bëhet e ditur se prej vitit 2010 deri tash, MPJ ka bërë shpenzime për lobim në vlerë 892 mijë euro.
Ky dokument që i ka shkuar Komisionit hetimor parlamentar, tregon për marrëveshjet që Ministria e Jashtme kishte me kompanitë e huaja dhe çmimet e kontratave.
Si “shërbime këshillëdhënësve” janë shumica e marrëveshje që MPJ i ka bërë me kompanitë ndërko9mbëtare, në emër të shpenzimeve për lobim.
Vetëm brenda vitit 2017, Qeveria i ka pagauar rreth 325 mijë euro kompanisë “Alston e Bird LLP”. Shpenzime që janë arsyetuar për këshilla intelektuale.
Shumica prej marrëveshjeve, MPJ i ka pikërisht me kompaninë pjesë e së cilës është edhe Dole.
275 mijë euro tjera i ka paguar MPJ komapnisë “Squire Patton Baggs”. E kjo vetëm në periudhën korrik-dhjetor të vitit 2016.
Me kompaninë “Cambridge Academy of Flobal Affairs”, MPJ i ka bërë tri pagesa.
Në total kjo kompani ka marrë nga Qeveria e Kosovës, në vitin 2016 dhe 2017, 40 mijë euro.
Insajderi pati raportuar edhe për kontrata e Presidencës për lobuesin e afërt me Trumpin.
Ndryshe raporti final i Komisionit Hetimor pritet të publikohet në muajin dhjetor. /Insajderi.com