×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Shpërfillen militantët që protestuan rrugëve për VV`në – Njeriu i LDK-së fuqizohet me nënshkrim të Kurtit

    Insajderi
    25 May 2022 - 15:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri Albin Kurti, ka fuqizuar edhe më shumë një zyrtar shtetëror i cili ishte ngritur në pozitën e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, duke u ndihmuar edhe nga Agim Veliu.

    Naim Gashi mund të cilësohet si zyrtari shtetëror “Sui Generis”. Bazuar në të dhënat publike, askujt deri më tash nuk i ka ndodhur që të jetë falënderues ndaj dy kundërshtarëve më të mëdhenj politik: Albin Kurtit e Agim Veliu.

    Kjo i ka ndodhur Gashit. Ai është shpërblyer me poste të larta edhe nga Agim Veliu edhe nga Albin Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ishte data 6 mars e vitit 2020, kur Gashi ishte bërë drejtor i përgjitshëm i Agjencisë Kosovare të Akreditimit të Kosovës.

    Emërimi i tij u bë në mbledhjen e qeveritare. Ishte Agim Veliu, atëkohë ministër i Punëve të Brendshme e Administratës Publike, i cili kishte potencuar se “kandidati i preferuar nga MASHT’i është Naim Gashi”.

    Veliu kishte kërkuar nga kabineti qeveritar që Gashi të votohej për drejtor të AKK-së, një institucion me peshë të madhe vendimarrëse që ka fuqinë të licencojë e pezulloj programe të kolegjeve private e universiteteve publike.

    Por, pak kush e kishte menduar që zyrtari i njejtë pas vetëm dy viteve të emërohet edhe në një tjetër pozitë të fuqishme nga Qeveria Kurti. Pikërisht nga kundërshtari më i rreptë i Agim Veliut, kryeministri Kurti i cili e kishte bërë horë ish-nënkryetarin e LDK-së duke e shkarkuar nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme, shkruan Gazeta Insajderi.

    Veprimi i Kurtit bie në kundërshtim me pritjet e aktivistëve të VV-së të cilat kanë besuar se zyrtarët e emëruar nga ish-pushtetet e kaluara do të largohen nga puna për t’ia mundësuar njerëzve të Vetëvendosje që të futen në pozita kyçe në institucionet e Kosovës.

    Si u fuqizua Gashi nga Qeveria Kurti?

    Vendimi që e bënë Gashin kryesues të Komisionit Shtetëror për pozitat e kategorisë së lartë drejtues mban nënshkrimin e kryeministrit Kurti. Është marrë me datën 30 prill të vitit 2022 në mbledhjen e 73-të të Qeverisë së Kosovës.

    Aty ceket se vendimi është marrë konform ligjit e rregulloreve qeveritarëve. Ky komision duhet të përbëhet nga tre zyrtarë të lartë shtetëror e dy ekspert.

    Gashi ka pozitën e drejtorit të Agjencisë së Akreditimit dhe do të jetë edhe kryesues i komisionit për emërimin e pozitave të larta.  

    Pjesë e komisionit do të jenë edhe Anita Alaj-Kalenderi, drejtoreshe e përgjithshme e ANJF-së, Edi Gusia, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë për Barazi Gjinore sid he Bedri Xhafa e Safet Fazliu nga organizata të specializuara. Anëtarët e këtij komisioni kanë mandat dy vjeçar, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nënshkrimi i këtij vendimi shfuqizon vendimin e marrë me datën 25 gusht të vitit 2021.

    Vendimi i para nëntë muajve emëronte Edi Gusia në pozitën e kryesues se komisionit. Pjesë e komisionit ishin edhe Arton Berisha, drejtor i përgjithshëm i AKSP-së si Ramiz Krasniqi, anëtar i KPMM-së.

    Në vendimin e vitit të kaluar cekej se mandati i anëtareve është dy vjeçar. Në vendimin e ri të Qeverisë nuk jepet asnjë arsyetim se Gusia u largua nga pozita e kryesueses ende pa u bërë as nëntë muaj nga marrja e vendimit. Po ashtu, nuk sqarohet se pse me vendimin e ri Gusia është vetëm anëtare ndërsa Gashi kryetar, një zyrtar i cili nuk ishte fare pjesë e komisionit shtetëror në vendimin e vitit të kaluar.

    “Kush i shtin brinat me mu në RTK…”

    Ish-gazetari Naim Gashi para se të bëhej drejtor i Agjencisë së Akreditimit kishte mbajtur edhe një pozitë tjetër të rëndësishme. Atë të anëtarit të bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

    Këtë pozitë e kishte mbajtur nga viti 2016 deri në vitin 2019. Jehonë në media pati bërë një incident i tij me një prej gazetarëve.

    Nebih Maxhuni që punonte atëkohë në RTK, kishte bërë publike disa biseda me ish-anëtarin e bordit Gashin.

    Ai ishte i pakënaqur me një storje të RTK-së. Edhe pse ishte shef i këtij mediumi, ai e kishte parë veten të kritikuar nga vetë RTK-ja. Për këtë kishte kërkuar llogari nga Maxhuni.

    “Po më intereson, kronikën e mbrëmshme prej Komisionit a ke qenë ti dora e fundit?”, i kishte thënë Gashi si anëtar bordi gazetarit Maxhuni.

    “Aty emri im përdoret në aspektin pezhorativ edhe smë erdhi mirë që ishe ti. Të paktën prej teje se kam prit”, kishte vazhduar Gashi.

    “Kush i shtin brinat me mua në RTK nuk ndahet kollaj”, i kishte thënë Gashi gazetarit Maxhuni. “Kjo punë ka me shku goxha larg edhe tu kanë me të rrokë do stërpika, po hajrin ua pafsh”, kishte kërcënuar Gashi, Maxhunin. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark