×
  • Lajme
  • Lajme

    Shpërndahet në gjithë Kosovën peticioni për bashkimin e Mitrovicës

    Insajderi
    25 December 2018 - 10:04

    Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ishte i pari që ka nënshkruar peticionin për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave me qëllim bashkimin e qytetit të Mitrovicës, u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve të Kosovës ta nënshkruajnë peticionin. Kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut ka thënë se peticioni është i gjykuar të dështojë.

    Dje ka filluar në Mitrovicë nënshkrimi i peticionit për bashkimin e këtij qyteti. Deri te inicimi i këtij peticioni ka ardhur pasi Ministria e Administrimit e Pushtetit Lokal ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe vendimin e Kuvendit të Mitrovicës për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim bashkimin e qytetit të Mitrovicës.

    I pari që ka nënshkruar peticionin ishte Agim Bahtiri e pas tij edhe zyrtarët tjerë komunalë. I pari i Mitrovicës tha se bashkimi i qytetit nuk cenon në asnjë mënyrë integritetin territorial të Republikës së Kosovës. “Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të dalim faqebardhë me këtë peticion e t’i drejtohemi në mënyrë legjitime Kuvendit të Kosovës. Nuk do të ketë parti politike, por do të jemi ne për të gjithë. Peticioni ka nisur sot, e hënë, dhe nëse dikush do të ketë hamendje që nuk do të realizohet, gabon, sepse do të realizohet. I lus qytetarët e Mitrovicës që t’i dalin zot vendit të vet dhe në ditën e sotme t’i përgjigjen vullnetarisht dhe masovisht iniciativës sime”, ka thënë Bahtiri.

    Ai ka shtuar se peticioni ka shtrirje, do të nënshkruhet në gjithë Kosovën, ndërsa ka precizuar se në Mitrovicë janë vendosur pesë pika ku mund të nënshkruhet peticioni. I pari i Mitrovicës ka thënë se MAPL-ja ka bërë veprim skandaloz, sipas të cilit vendimi që ka marrë MAPL-ja është vendim politik.

    “Kjo kërkesë jona do të zbatohet pikë për pikë. Nuk është iniciativë që e ka marrë kryetari i Komunës.

    Kryetari i Komunës nuk sjell diçka në Kuvend pa u konsultuar mirë. Këtë iniciativë e përkrahin shumica e partive në nivelin qendror, duke u nisur nga Kadri Veseli, Daut Haradinaj, Agim Veliu, Fatmir Limaj e shumë të tjerë. E ftoj MAPL-në që ta shqyrtojë edhe një herë kërkesën tonë. Nuk kemi nisur diçka që të mbesim në gjysmë. Nuk do të lë gur pa lëvizur deri në zbatimin e plotë të kësaj kërkese”, ka thënë Bahtiri të hënën.

    E ndërkaq në tryezën që është mbajtur para fillimit të nënshkrimit të peticionit për bashkimin e Mitrovicës, kryetari Bahtiri ka thënë se edhe qytetarët serbë të pjesës veriore të Mitrovicës janë lodhur nga paligjshmëria që mbretëron në atë pjesë dhe se edhe ata duan që më në fund të vendoset në atë pjesë ligjshmëria dhe të sundojë ligji, gjë që mund të ndodhë vetëm nëse Mitrovica bëhet një.

    “Unë jam plotësisht i mendimit se edhe qytetarët serbë të pjesës veriore janë lodhur prej njerëzve, prej grupeve të caktuara, të cilat me të vërtetë ia kanë sjellë ngushtë punën këtyre familjeve, ata menjëherë presin që të lirohen përgjithmonë prej tyre dhe të fillojë puna institucionale që t’u ofrojë shërbime të gjithë qytetarëve pa dallim. Ata janë lodhur sepse në atë pjesë nuk sundon ligji, nuk ka drejtësi dhe nuk ka klimë për jetë të qetë të qytetarëve të asaj pjese”, tha Bahtiri.

    Ndërkaq nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, ripërsëriti se “kemi për obligim të kujdesemi për mirëqenien dhe t’u ofrojmë shërbime efikase edhe qytetarëve të pjesës veriore”.

    Të hënën, ndërkaq, me kërkesën e të parit të Mitrovicës është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Mitrovicës së Jugut, në të cilën është diskutuar ideja e bashkimit të Mitrovicës, si dhe vendimi i MAPL-së për të mos lejuar që kërkesa dhe vendimi i Kuvendit të Mitrovicës për ndryshimin e Ligjit për Kufijtë Administrativë të Komunave, me qëllim bashkimin e qytetit të Mitrovicës, të dorëzohet në Qeverinë e Kosovës e pastaj të procedohet në Kuvendin e Kosovës për miratim.

    Në anën tjetër kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Spiriq, e ka quajtur peticionin si një provokim për shqetësimin e serbëve të veriut të Mitrovicës. Ai i ka thënë radio “Kontakt Plusit”, se peticionin që janë duke e nënshkruar shqiptarët në jug të Mitrovicës ka për qëllim t’i tensionojë serbët e veriut të Mitrovicës dhe të shkaktojë pakënaqësi dhe shqetësim tek ata, ndërsa ka siguruar se peticionin që e ka iniciuar kryetari Bahtiri është i gjykuar që të dështojë.

    “Nuk ka nevojë për ndonjë shqetësim të popullatës në veri të Mitrovicës, nuk ka vend për tensione dhe për panik. E di që nuk do të ketë sukses, ne shohim një kolaps të peticionit, i cili në asnjë mënyrë nuk mund të ketë sukses, duke pasur parasysh se në pjesën jugore të Mitrovicës nuk jeton asnjë serb, përveç priftërinjve dhe ky është treguesi se Prishtina dhe shqiptarët e dëshirojnë veriun të pastër etnikisht, pa asnjë serb”, ka thënë Spiriq. Sipas tij, qytetarët e veriut të Mitrovicës me skepticizëm e shohin iniciativën e kryetarit Bahtiri për bashkimin e qytetit. “Qytetarët e veriut të Mitrovicës vlerësojnë se iniciativa për bashkimin e Mitrovicës nuk është hap i mirë dhe se më e mira është që secili të mbetet në pjesën e vet”, ka shtuar kryetari paralel i Mitrovicës së Veriut, Aleksandar Spiriq. /ZERI

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark