×
  • Lajme
  • Insajderi

    Shpërthejnë talljet në rrjet me vizitën e Abdixhikut në Llap – ia vendosin afër Agim Veliun

    Insajderi
    30 September 2022 - 18:33

    Në fotografinë ku shihet i pari i LDK-së, Lumir Abdixhku, duke folur para llapjanëve, përpos figurave të partisë që ishin të pranishme në tubim, është montuar edhe Agim Veliu.

    Gazeta Insajderi

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nga Podujeva ka nisur dje fushatën e tij për afrimin me qytetarët.

    Ai deklaroi se LDK-ja duhet të jetë shumë më afër qytetarëve, të dëgjojë problemet e nevojat e tyre, dhe të krijojë zgjidhje që do të zbatohen në programin e ri partiak.

    “LDK po ndryshon dhe po fillon një qasje të re në komunikim me qytetarët. Duhet të dëgjojmë, të flasim dhe të diskutojmë më shumë, anëtarët e partisë dhe qytetarët tanë duhet të jenë në gjendje të ndajnë shqetësimet dhe problemet e tyre, dhe ne si parti duhet të propozojmë zgjidhje”.

    “Programi i ri i LDK-së është duke u përgatitur nga 29 ekipe me ekspertizë në fusha të ndryshme, për të gjitha temat. Këto ngjarje si sot në Podujevë, do të na ndihmojnë neve si udhëheqësi që të kuptojmë më mirë nevojat, dhe të planifikojmë zgjidhje dhe projekte në program, që do të jenë platforma fituese në zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi Abdixhiku, shkruan Gazeta Insajderi.

    Menjëherë pas këtij momenti kanë nisur talljet me të në rrjet, pasi ai shkeli në zonën që dikur e kishe zaptuar Agim Veliu, me të cilin ka raporte të komplikuara.

    Në fotografinë ku shihet i pari i LDK-së duke folur para llapjanëve, përpos figurave të partisë që ishin të pranishme në tubim, është montuar edhe Agim Veliu, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për këtë të fundit, jo më larg se në fillim të këtij muaji, Abdixhiku tha se “me të partia ka pasur rënie”.

    Duke mos përmendur emrat e tyre, kur është pyetur në Pressing, për kritikat që vijnë kryesisht nga zyrtarët e partisë, Agim Veliu e Skender Hyseni, Abdixhiku deklaroi se me ta partia kishte shënuar rënie të madhe.

    “E kanë pru LDK-në në nivel të AAK-së. Mos t’më japin ligjërata. S’mund të më japin as mua e as kolegëve të mi se si qeveriset me një parti”, tha Abdixhiku më 1 shtator, shkruan Gazeta Insajderi.

    Si nisi përplasja Abdixhiku-Veliu?

    Gjithçka u theksua më shumë, kur në fillim të vitit, me thirrjen e një kuvendi të jashtëzakonshëm, Lumir Abdixhiku mbledhi delegatët e LDK-së, dhe me 74 vota pro dhe një abstenim Ekrem Hysenin e zgjedhi zgjedhi kryetar të degës së kësaj partie.

    Kjo kishte ndodh, pas shkarkimit të Veliut nga kjo detyrë, madje për këtë arsye, Veliu nuk kishte marrë atë kohë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme.

    Para këtij momenti ky i fundit pati reaguar ashpër duke thënë se “Abdixhiku është duke e fundosur Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

    “Ata që vitin e kaluar i dhanë goditjen e parë degës së LDK-së në Podujevë, duke e zhveshur nga kompetenca kryetarin dhe kryesinë e degës, po vazhdojnë misionin e tyre të shkatërrimit të degës. Të njëjtit, në krye me kryetarin e partisë Lumir Abdixhiku, sërish duke shkelur mbi statutin e LDK-së, qenkan mobilizuar gjatë natës dhe në mënyrë klandestine paskan thirrur një Kuvend të jashtëzakonshëm të degës në Podujevë”, pati shkruar Veliu në fund janarin e këtij viti, transmeton Gazeta Insajderi.

    “Duke qenë se kuvendi i sotëm është kundërstatutar dhe i paligjshëm, të dashur veprimtarë dhe anëtarë të LDK-së, ju njoftoj se nuk do të marr pjesë në një farsë të tillë, ku do të tentohet të kontrabandohet një kryetar i ri, që nuk është as pjesë e strukturave të degës sonë. Kjo që po bën Abdixhiku, me misionarët anti LDK të mbledhur rreth vetes, nuk është asgjë tjetër veçse një proces i shkatërrimit të degës në Podujevë, bastionit të fundit të LDK-së”, thoshte ai.

    Edhe pas këtij reagimi, Veliu nuk kishte heshtur. Në shkurt ai e kishte shkruar një letër tjetër për Abdixhikun.

    Sipas tij, në krye të degës së LDK-së në Podujevë, ishte një kryetar i paligjshëm, duke aluduar kështu për Ekrem Hysenin.

    Veliu pati thënë se “Lumiri dhe grupi i tij” duhet të marrin përgjegjësi për “vendimin antistatut, të paligjshëm dhe përçarës për Degën e Podujevës”.

    “Lumiri mund të marrë përgjegjësi sa të dojë, por nuk mund të amnistohet humbja në Podujevë e kandidatit të emëruar nga ai, të veshur me të gjitha kompetencat për të zgjedhur shtabin, listën e kandidatëve për asamblistë, autonomi të plotë në bërjen e fushatës, financimin marramendës të fushatës…

    Ti Lumir dhe Kryesia që drejton do ta mbani përgjegjësinë e plotë para anëtarësisë për pasojat e instalimit të një kryetari të paligjshëm në Degën e LDK-së”, ka shkruar Veliu.

    Ai i ka drejtuar edhe disa pyetje kreut të LDK’së.

    “Lumir, pse nuk u organizua asnjë takim i Kryesisë së Degës dhe Komisionit për vlerësim të gjendjes ne Dege pas zgjedhjeve? Pse nuk prite një raport për gjendjen në Degë? Pse gjithë ajo nguti e mobilizim që gjatë natës të thirret një kuvend për të zgjedhur një kryetar, pa kryesi?”, ishin pyetjet e Veliut për Abdixhikun.

    Ky i fundit e kishte shkarkuar Veliun vitin e kaluar nga kryetari i degës së LDK-së. Pavarësisht këtij fakti, ish-kryetari i Podujevës, ka thënë se kurr nuk do të largohet nga partia e dikurshme e Ibrahim Rugovës.

    “Unë jam në LDK, kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë, asnjëherë nuk do të largohem pavarësisht sjelljeve të lidershipit aktual në këtë rast. Unë konsideroj se lidershipi dhe kryetari i LDK-së kanë role të përkohshme kurse LDK është parti sipas meje e përhershme dhe unë do të jem anëtari i saj”, pati pohuar ai në dhjetorin e vitit 2021./Gazeta Insajderi/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark