×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    “Shpërthen” ish-gjyqtari Jakup Musolli, pretendon për nepotizëm në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Prishtinës, reagimi i LRFP

    Insajderi
    28 May 2021 - 14:22

    Njëri ndër gjyqtarët më të njohur të futbollit të pasluftës në Kosovë, Jakup Musolli, është përjashtuar nga funksioni i vëzhguesit në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Prishtinës me 13 prill të këtij viti, pa ndonjë vendim apo arsye, shkruan Insporti.

    Jakup Musolli është i licencuar në mars të vitit 2000, ai i takon gjeneratës së parë të gjyqtarëve të pasluftës, teksa për 20 kampionate radhazi ndau drejtësinë në futbollin e Kosovës, deri në pensionimin e tij në qershor të vitit të kaluar.

    Në një intervistë ekskluzive për Insportin, Musolli zbulon se kritika e tij për nepotizëm në Lidhjen Rajonale të Futbollit të Prishtinës, i kushtoi me përjashtim nga funksioni si vëzhgues i LRFP-ës, duke bërë që kontributi i tij përgjatë dy dekadave të hidhet poshtë.

    Musolli nis rrëfimin me momentin kur iu kumtua se është përjashtuar nga Lidhja Rajonale e Futbollit e Prishtinës, me arsyetimin që kishte ofenduar bordin e këtij institucioni rajonal të futbollit vendor.

    “Pas pensionimit si gjyqtar isha i angazhuar si vëzhgues i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës. Me datën 13 prill të këtij viti, njoftohem se jam i përjashtuar pa asnjë arsye nga kryetari i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës, z.Ismajl Ajeti, gjoja se unë jam kontroller i gjyqtarëve në Ligën e Parë të Kosovës. Përmes një mesazhi i tregoi z.Ajetit se pas përvojes 20 vjeçare më takon të jem vëzhgues i LRFP-ës, por ai shpif kinse unë i kam fyer ata, kur në fakt unë vetëm se kam kritikuar sepse Lidhja Rajonale e Futbollit të Prishtinës është e mbipopulluar me familjar të drejtuesëve. Të gjithë punojësit e Lidhjes Rajonale të Futbollit të Prishtinës kanë të angazhuar familjarë, duke bërë që personat që kanë dhënë kontribut me dekada të përjashtohen, me qëllim afrimin e familjarëve të cilët për çështje të referimit janë analfabetë” – nis rrëfimin ai.

    No description available.

    Përgjatë 20 vite karrierë si gjyqtar, Jakup Musolli nuk mori asnjë notë të dobët dhe asnjë ankesë nuk mban emrin e tij, por ai mbeti jashtë Ligës Rajonale të Futbollit të Kosovës për shkak të një kritike në një takim para fillimit të garave të Lidhjes Rajonale e Futbollit e Prishtinës në këtë sezon.

    “Nuk ekziston asnjë arsye për përjashtimin tim vetëm, se unë jam person i papërshtatshëm duke qenë se ata të gjithë e kanë familjarizuar Lidhjen Rajonale të Futbollit të Prishtinës. Për këto çfarë them mbajë përgjegjësi dhe para drejtësisë. Unë nuk kam fyer askënd, vetëm se kam kritikuar familjarizimin e LRFP-ës“.

    Skemat familjare brenda Lidhjes Rajonale e Futbollit e Prishtinës

    I zhgënjyer me trajtimin që i është bërë përkundër kontributit 20 vjeçar, Musolli tregon lidhjet familjare që dominojnë në Lidhjen Rajonale e Futbollit e Prishtinës.

    Sipas rekomandimit të FIFA-s dhe UEFA-s për Federatat e Futbollit, në ndeshjet ku nuk ka kontrollor të gjyqtarëve, vëzhguesit duhet të jenë ish gjyqtarë që kanë të paktën kategorinë e njejtë me gjyqtarin e takimit. Por kjo gjë duket se nuk përfillet nga ana e LRFP-ës.

    “Kryetari Ismajl Ajeti ka të angazhuar vëllain e tij, i cili delegohet në të gjitha Ligat pa asnjë thirrje për të gjykuar gjyqtarët e futbollit. Gruaja e tij është e punësuar në FFK, teksa nipi i tij është angazhuar si gjyqtar së bashku me dy familjar të tjerë nga fshati i tij”.

    “Rasti tjetër është ai i Bajram Krasniqit, i cili është në Komision për Delegimin e Gjyqtarëve tek kategoritë e reja dhe në Ligën e Tretë, ku i njëjti delegohet me vëllain dhe me djalin e tij nga Superliga deri tek fatosët”.

    Ndërkohë rasti më eklatant i nepotizimit duket të jetë ai i kryetarit të gjyqtarëve të regjionit të Prishtinës, Ergyn Janovaliu i cili ushtron katër funksione.

    “Ergyn Janovaliu, ushtron katër funksione. Është kryetar i gjyqtarëve të regjionit të Prishtinës, është anëtarë i bordit, është në Komision për Delegimin e Vëzhguesëve të Gjyqtarëve pranë FFK-së, dhe i njëjti delegohet si vëzhgues në të gjitha kategoritë në përjashtim në Ligën e Parë dhe në Superligë. Ergyn Janovaliu poashtu ka avansuar djalin e tij për një kohë rekord deri në rangun e Ligës së Parë si gjyqtar, kurse gjyqtarë tjerë diskriminohen nga ai. Ka gjyqtarë në Lidhjen Rajonale të Prishtinës që referojnë që 10 vite, dhe gjatë gjithë kampionatit iu jepet mundësia vetëm në një ndeshje në Ligën e Dytë. Ky institucion duhet ta ndryshojë emrin në Lidhjen Familjare të Futbollit të Prishtinës“.

    May be an image of 3 people and people standing

    “Të gjithë anëtarët e bordit të LRFP, përpos që kanë paga delegohen çdo ditë nga Liga e Dytë deri te Fatosët, ku delegimet mbahen sekrete për të mos u zbuluar nepotizmi i tyre”.

    Takimi me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës

    Duke konsideruar të padrejtë vendimin për përjashtimin e tij, Musolli tregon se kishte takuar kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agimin Ademin, ku i kishte shprehur kërkesën për qasje në dokumentinme të cilin ai përjashtohej nga LRFP-ja.

    “Kam kërkuar dokument nga Agim Ademi në të cilën përmenden arsyet pse unë jam larguar në këtë mënyrë. Ademi vetëm më udhëzoi që të shkojë në zyret e LRFP-ës, por aty nuk pranuan që të më japin një dokument të tillë”.

    Musolli, i cili tashmë delegohet vetëm në Ligën e Parë si vëzhgues i gjyqtarëve, shprehet se arsyja e përjashtimit të tij është që t’i bëhet vend edhe më shumë nepotizimit që ka kapluar Lidhjen Rajonale të Futbollit të Prishtinës.

    “Për 20 kampionate radhazi kam bërë punën me nder dhe profesionalizëm. Nuk kam abstenuar në asnjë ndeshje, pavarësisht rreziqeve ndërkohë tani diskriminohem sikur në Shqipërinë e komunizimit nga një grup i caktuar personash që për meditje kanë degraduar gjithçka aty.

    Gjykata e Apelit vërteton dënimin ndaj kryetarit të FFK-së, Agim Ademi

    Sakrificat përgjatë viteve, incidenti në Gjakovë që i kushtoi me humbje të dëgjimit

    Në prillin e vitit 2013, Musolli pësoi një lëndim të rëndë që la pasoja të përhershme fizike nga një sulm që iu bë pas përfundimit të ndeshjes Vëllaznimi – Trepça 89 në Gjakovë. Askush nuk u dënua për sulmin teksa Federata e Futbollit të Kosovës nuk mori mundin të interesohet për shëndetin e tij, lërë më që të mbulonte shpenzimet e operacionit.

    “Në mesjavën e fundit të prillit të vitit 2013, në ndeshjen Vëllaznimi – Trepça 89 në Superligën e Kosovës, isha i caktuar si gjyqtar rezervë. Për shkak të abstenimit të dy gjyqtarëve anësor, delegohem unë, ku pas përfundimit të takimit, u godita me një copë betoni në kokë, nga e cila kam humbur dëgjimin në veshin e djathtë 100%. Federata nuk mori mundin as të interesohej nëse isha gjallë, qoftë edhe përmes telefonit” – shprehet ai.

    Si njëri nga gjyqtarët me më së shumti përvojë në Kosovë, Musolli rrëfën se ishte pjesë e tri seminarëve për gjyqtar të organizuar nga UEFA në vitin 2017, 2018 dhe 2019.

    “Si gjyqtar kam përcjellur tri seminare të organizuara nga UEFA, në vitin 2017, 2018 dhe 2019. Përvoja dhe profesionalizimi nuk merret parasysh nga Lidhja Rajonale e Futbollit të Prishtinës, por unë jam i gatshëm që të ballafaqohem qoftë edhe para drejtësisë për secilën fjalë të thënë. Nuk jetoj nga futbolli por jetoj për futbollin” – përfundon rrëfimin ai.

    Në lidhje me këtë çështje Insporti ka kontaktuar me administratën e Lidhjës Rajonale së Prishtinës, e cila ka dërguar një deklaratë zyrtare.

    “Lista e vëzhguesve aprovohet nga Bordi i Lidhjes Rajonale e Prishtinës, si për kategori të reja, ligën e tretë, si për ligën e parë ashtu edhe për Superligën. Pastaj kur aprovohet lista shkon te komisonarët. Ato e kanë përgjegjësinë, ato vendosin kush shkon dhe kush nuk shkon, marrin parasysh edhe përformancën. Orientimi është që në secilën komunën përfaqësimi të jetë I barabartë. Podujeva dy-tre, Obiliqi dy-tre, Lipjani dy-tre, ndërsa rajoni i Prishtinës më shumë sepse ka më shumë klube. Kërkun nuk shkruan se duhet me shku vëshguesi në çdo javë, momentalisht janë mbi 40, varet Edhe nga përformanca e tyre, përvoja, shumica e tyre mbesin në Superligë.Kriteri për mu paraqitë si vëzhgues, klubeve iu takon. Edhe prej pastaj nga klubet seleksionohen edhe vëzhguesit. Ne jemi duke punuar që të avancohemi në këtë drejtim, duke bërë testime të reja, të rrisim kapacitet teknologjike që të bëhet puna sa më e lehtë për të gjithë”. /Insporti.com/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark