Është inauguruar sot bunkeri muze i diktaturës, pranë Ministrisë së Brendshme, i quajtur ‘Bunkart2’, që një vit më parë, gjatë një proteste të opozitës, u sulmua me mjete të forta e zjarr me qëllim për t’u shkatërruar.
Kryeministri i vendit, Edi Rama në fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit të këtij muzeu, tha se pavarësisht se ky bunker përfaqëson një pjesë të errët dhe të dhimbshme të historisë sonë, të gjithë duhet të jemi dëshmitarë të saj, për të mos harruar dhe për të gjetur guximin për t’u përballur me plagët e së shkuarës, njofton Gazeta Shqip.
“Nuk është aspak rastësisht pjesa e programit që ne i kemi propozuar përfaqësuesve të diasporës, edhe atyre që nuk kanë lindur në Shqipëri. Në këtë pikë pranoj, të gjithë ata që me gjasë do të hidhen të bëjnë atë që bëjnë gjithmonë duke akuzuar se kryeministri e vendosi me qëllim ngjarjen gjatë samitit, kanë të drejtë. Ata janë thirrur si dëshmitarë të përpjekjeve të përbashkëta për ndërtimin e vendit, dhe ata s’kanë se si të mos jenë dëshmitarë të historisë së vendit të tyre të prejardhjes, jo vetëm pjesës së lavdishme, por të së tërës.
Nëse të gjithë ne nuk e gjejmë të natyrshëm motivimin për të bashkëpunuar me plagët tona më të dhimbshme, nuk mund ta gjejmë shtysën për të ardhmen. Historia nuk riciklohet. Ajo i bindet një kodiku ligjesh prej çeliku. Ky bunker dhe gjithë nëndheu i tij dikur ishte organizëm i gjallë ku gëlonin xhelatë dhe viktima. Njerëzimi ka tendencë shpesh të harrojë duke ikur nga një realiteti tronditës deri në mohim. Një murtajë intelektuale që gjen justifikimin në faktin se sytë nuk shohin”, tha Rama.