×
  • Lajme
  • Lajme

    Shqipëria, destinacioni i tretë turistik më i mirë i vitit

    Insajderi
    13 May 2023 - 18:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Barometri botëror i turizmit UNWTO ka nxjerrë indeksin e destinacioneve turistike me performancën më të mirë të vitit, e Shqipëria renditet aty e treta pas Katarit dhe Arabisë Saudite.

    Disa vende raportuan rritje të jashtëzakonshme të mbërritjeve për 2023-shin krahasuar me vitin 2019: Katari, 98% më shumë, Arabia Saudite 64%, dhe Shqipëria 54%. Raporti i agjencisë së OKB-së konfirmon një trend të vënë re prej kohësh tashmë: Interesi i turistëve të huaj për Shqipërinë, është rritur ndjeshëm. Shifrat flasin qartë: sektori i turizmit po forcohet dita-ditës edhe jashtë sezonit veror.

    Të dhënat e Instat-it treguan se në muajin janar pati një shtim të vizitorëve me pothuajse 100% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022-shit. Me rritje dyshifrore ishte edhe numri i turistëve të brendshëm, nga gati 260 mijë janarin e vitit të kaluar në 456 mijë janarin e këtij viti. Në 2022-shin, rreth 7.5 milion vetë e vizituan Shqipërinë, një rritje kjo prej 32% krahasuar me një vit përpara.

    Turizmi në vendin tonë ka përjetuar një rritje të konsiderueshme vitet e fundit, çka është përcjellë edhe në revista e gazeta prestigjioze ndërkombëtare, duke tërhequr festivale muzikore dhe duke bërë që të vërshojnë komente të shkëlqyera nga influencuesit e Instagram dhe YouTube.

    E mbyllur nga bota për gati gjysëm shekulli, Shqipëria, thonë korrespondentët e huaj, ka punuar fort për imazhin e saj për të tërhequr turistët në vijën e saj bregdetare prej afro 300 miljesh, në peizazhin e mrekullueshëm, në kalatë dhe kështjellat, si dhe në gamën e larmishme të maleve dhe liqeneve.

    Ajo u rendit së fundi nga Organizata Botërore e Turizmit si një nga vendet me rimëkëmbjen më të mirë të turizmit pas COVID-19, me numrin e vizitorëve dhe të ardhurat nga turizmi që i kapërcejnë edhe nivelet e përpara pandemisë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark