Pas rënies nga elita e futbollit kosovar, klubi i Ulpianës po përballet edhe me një “tollovi” të madhe në organizimin e brendshëm.
Pas dorëheqjes së Abedin Salihut – Dino nga posti i kryetarit, legjenda e futbollit lipjanas, Jeton Gashi bëri me dije se në një kuvend zgjedhor të mbajtur, e ka fituar besimin për ta drejtuar Ulpianën.
Megjithatë, nga kryesia në detyrë e klubit, kanë reaguar ashpër me anë të një komunikate, duke e cilësuar jolegjitim këtë kuvend.
Madje, ata e kanë njoftuar kryetarin e komunës, Imri Ahmeti, ministrin e MKRS-së, Hajrulla Qeku, kryetarin e FFK-së, Agim Ademin si dhe LRF-në e Prishtinës.
Madje, në këtë komunikatë, flitet për fillimin e organizimit të klubit, mes të tjerash edhe për rikthimit të ish-kapitenit, Shqiprim Kelmendi.
“KF ULPIANA 1926, ditë më herët ka prezantuar edhe përforcimin e parë për edicionin 2022/23 duke rikthyer mesfushorin Shqiprim Kelmendi, ku edhe është prezantuar në ambientet e klubit së bashku me UD-Kryetarin Enver DURIQI“, thuhet mes tjerash në këtë komunikatë.
Megjithatë, e vërteta qëndron ndryshe.
Siç mëson FrontOnline, Kelmendi ka pasur një takim me kryesinë në detyrë, por që as nuk është arritur marrëveshja e transferimit.
Burimet e portalit bëjnë me dije se palët nuk janë dakorduar për rikthimin e Kelmendit në klub.
Ndryshe, Kelmendi ishte larguar nga Ulpiana në afatin kalimtar dimëror pas shumë vjetësh kontribut në klubin lipjanas.