×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Përkujtohet ndihma e shqiptarëve ndaj hebrenjve

    Insajderi
    29 July 2017 - 21:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    Drejtori i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Izrael njëherësh edhe gazetar në KTV, Lekë Rezniqi, të shtunën ka organizuar një performancë në sheshin “Zahir Pajaziti” përmes të cilës ai donte të përshkruante shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët e Kosovës.

    Rezniqi qëndronte pranë një instalacioni ku shfaqej një foto e një tavoline me karrike dhe në anën tjetër përshkrimi i aktivitetit të tij i cili do të zgjaste deri në orën nëntë pasdite.

    Ai u tregon të interesuarve për domethënien e performancës.

    “Kjo është tavolina e cila i takon familjes hebreje, ka shkuar prej manastirit të Maqedonisë prej nga ka qenë dhe familja hebreje e që sot është në Izrael”, tregon Rezniqi për tavolinën që për të ka një domethënie të madhe.

    Ai ka vazhduar të tregojë për historinë e tavolinës të cilën e ka vënë si shejë simbolike, në shesh.

    “Kjo tregon se si stërgjyshi im, Arsllan Rezniqi, e ka mbrojtur një doktor hebre, Haim Abravanel, gjatë Luftës së Dytë Botërore në shtëpinë tonë që ka qenë në Deçan dhe i ka ndihmuar për gjashtë muaj”, thotë ai, shkruan Insajderi.

    Gjithashtu Rezniqi tregon se si gjatë gjashtë muajve sa ka qëndruar doktori në shtëpinë e tyre, ai ka trajtuar edhe popullatën lokale aty që kanë pasur nevojë për trajtim mjekësor dhe ky doktor kishte dhënë një kontribut të madh për familjen e tij.

    E arsyeja se pse Rezniqi ka zgjedhur pikërisht ditën e sotme është se sot është 54-vjetori i takimit të fundit mes stërgjyshit të tij dhe doktorit hebre pas tërmetit të vitit 1963 në Shkup, me ç’rast kishin mbetur të vdekur familjarë të doktorit.

    Ndërsa vetë Rezniqi ka qenë në Izrael për të vizituar familjen e doktorit. Mbesa e doktorit, e cila tani është pronare e tavolinës, i kishte treguar atij se në këtë tavolinë Abravanel dhe stërgjyshi i Rezniqit kishin biseduar me orë të tëra në manastir kur Arsllan Rezniqi kishte shkuar për vizitë.

    “Kjo foto është edhe ilustrim i marrëdhënieve mes familjeve tona”, thotë ai.

    E në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë, “pasardhësja e doktorit hebre e ka kërkuar familjen tonë nëpër kampe të refugjatëve në Maqedoni për të ndihmuar, por pastaj lufta përfundoi dhe ne u kthyem”.

    Sipas Rezniqit, një mesazh i fundit që e jep kjo performancë është se në Kosovë sot nuk ka asnjë monument që nderon familjet shqiptare që kanë mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    “Kjo është për të sensibilizuar edhe më shumë shqiptarët e Kosovës për shpëtimin e hebrenjve, për shkak se në Kosovë institucionet nuk kanë bërë asgjë për t’i nderuar familjet”, thotë ai.

    “Familja jonë është familja e parë shqiptare e Kosovës që është e nderuar nga Izraeli me titullin ‘Fisnik mes Kombeve’ nga institucioni i përkujtimit të martirëve të Holokaustit (Yad Vashem në Jerusalem), për shkak të kontributit që e ka dhënë stërgjyshi im në shpëtimin e hebrenjve”, tregon Rezniqi. /Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark