×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Shtëpia botuese “Pika pa sipërfaqe” do ta sjellë në shqip librin “Kundërhistori e liberalizmit”

    Insajderi
    29 April 2023 - 20:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shtëpia botuese tiranase “Pika pa sipërfaqe”, në faqen e saj në rrjetin social facebook, ka njoftuar se së shpejti do të jetë në duart e lexuesve shqiptarë libri “Kundërhistori e liberalizmit” i filozofit dhe historianit italian, Domenico Losurdo. Libri është përkthyer në gjuhën shqipe nga Alfred Bushi.

    Domenico Losurdo (1941-2018) ka qenë filozof dhe historian italian. Ka dhënë mësim lëndën e Historisë së filozofisë në Universitetin e Urbinos. Losurdo është shquar në fushën e historisë së ideve, veçanërisht në kritikën radikale ndaj liberalizmit, kolonializmit dhe kapitalizmit, si dhe figurave kryesore të mendimit në Perëndim.

    Në gjirin e traditës liberale, lëvdimi i Lirisë shkon krah për krah me katandisjen e punëtorëve me mëditje në mjete të rëndomta pune, me ndërtimin e një teorie despotike, me skllavërimin e popujve kolonialë. Në këtë vëllim Losurdo heton dhe sheston kontradiktat dhe zonat e errëta që kanë ndjekur studiuesit. Jo më kot titulluar “kundërhistori”, libri nxjerr në pah vështirësinë për të pajtuar mbrojtjen teorike të lirive individuale me realitetin e raporteve politike dhe shoqërore.

    Nga ky hulumtim del në pah se terreni historik dhe shoqëror ku ka lindur liberalizmi dhe idetë liberale është i mbuluar dhe i ngarkuar me skllavizëm, secesion, ndarje ne-ata, popuj të lirë dhe të robëruar, racizëm, gjenocid, etj.

    Liberalizmi, na thotë Losurdo, ka luajtur rol vendimtar, po aq sa marksizmi, fashizmi dhe të tjera ide politike moderne me rrënjë në ideologjitë e luftës.

    Ndaj, në trashëgimitë perëndimore totalitare, por edhe globale, liberalizmi ka luajtur një rol vendimtar porsi marksizmi, fashizmi, nazizmi dhe ide të tjera moderne politike që kanë patur në rrënjët e tyre ideologjitë e luftës. Për rrjedhojë, kur marrim në shqyrtim totalitarizmat, nuk mund ta lëmë jashtë edhe liberalizmin si përcaktues, për shembull, në përvojat historike të popujve të botës nën kolonializëm, në dhunën gjatë Luftës së Ftohtë në Botën e Tretë dhe në historinë moderne të një vendi si Shqipëria, tashmë nën sundimin e një forme të përditësuar të kësaj ideologjie, neoliberalizmit.

    Mund të thuhet pa drojë se “Kundërhistori e liberalizmit” është ndër ata tekste që ofrojnë mundësi për ndryshime themelore të perspektivës mbi tema me rëndësi jetike për çdo lexues bashkëkohor.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark