Rreth 53 mijë euro gjoba janë shqiptuar këtë vit ndaj kompanive farmaceutike private, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës. Shkak për këtë u bë mosdërgimi me kohë i barnave për të cilat ishin kontraktuar nga ky institucion. Sipas listë së ShSKUK-së të siguruar nga Gazeta Insajderi, dënimet kapin vlerën nga 2 deri në 17 mijë euro.
19-të kompani farmaceutike të cilat kishin fituar tender nga ShSKUK për furnizim me barna dhe material shpenzues, janë dënuar në total me 52 mijë e 727 euro nga ky institucion.
Në një raport të Zyrës së Prokurimit të SHSKUK-së të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, zbulohet se këto gjoba janë shqiptuar nga muaji shkurt i këtij viti deri më 1 shtator.
Vonesat në dorëzimin e barnave nëpër klinika të QKUK-së, shtynë ShSKUK-në që të publikojë listën e kompanive që i gjobiti.
Ato ishin kontraktuar për dërgimin e barnave esenciale, të cilat sipas marrëveshjeve do të duhej të dorëzoheshin me kohë në klinkat përkatëse të QKUK-së.
Disa nga kompanitë që morën gjobat më të larta janë: “Liri-Med”, “Agani LTD”, “Redoni”, “Medical Group”, “Santepharm”, “Lego”, zbulon Gazeta Insajderi.
Njëra prej kompanive që mori dënim më të lartë për vonimin e barnave është firma “Liri-Med” e biznesmenit nga Podujeva, Lirim Mustafa. ShSKUK atë e dënoi me 17 mijë e 349 euro.
Kurse, kompania “Santefarm” nga Prishtina, me pronar Milaim Abdullahun u dënua nga ShSKUK-ja me 7 mijë e 120 euro.
Kompania e biznesmenit Skënder Kutllovci, “Medical Group”, u dënua me plot 4 mijë e 294 euro, për mosliferim të mallit.
Ndërsa, firma e biznesmenit Armend Agani, “Agani LTD”, mori një gjobë prej 4 mijë e 038 euro, për moskorrektësi në çuarjen e barnave.
Sipas listës që ka siguruar Gazeta Insajderi nga ShSKUK-ja, kompania “Redoni HM”, me pronar Mentore Murati është dënuar me 3 mijë e 552 euro.
Ndërkaq, kompania “Lego” që mbanë pronësinë e Fëllënza Abazit është dënuar me 3 mijë e 160 euro për mosfurnizim me barna./Gazeta Insajderi/