Pas Elseid Hysajt që kërkohet nga gjigantë kontinentalë si Bayern Munchen, Barcelona, Atletico Madrid dhe Arsenal, tashmë në fokus janë Etrit Berisha dhe Armando Sadiku.
E ardhmja e portierit kuqezi duket larg Lazios, ndërsa interesimi për 27-vjeçarin nuk mungon. Gjigandët turq të Besiktasit dhe Galatasarayt kanë nisur të mbledhin informacion për Berishën, kontrata e të cilit me Lazion përfundon vitin e ardhshëm.
Për Berishën interesohet gjithashtu edhe Sassuolo në Serinë A dhe që mund ti jepte shansin të luante në Europa League, ndërsa për shërbimet e tij interesohet edhe Watford, skuadër që është rikthyer në Premier League.
Interesim nga Superliga turke ka edhe për golashënuesin historik të Shqipërisë në Kampionatin Europian, Armando Sadiku. Interes konkret për shërbimet e 25-vjeçarit, kartoni i të cilit zotërohet nga Zurich, ka shfaqur Rizespor.
Megjithatë, Sadiku duket se do të presë. Sulmuesi po sponsorizohet nga trajneri De Biasi dhe zv.trajneri Tramezzani për t’u transferuar në Itali, ndërsa në një intervistë për “Corriere dello Sport”, ai tregoi se ëndërron që një ditë të luajë në elitën e futbollit përtej Adriatikut.
Sadiku tha se e adhuron Serinë A dhe ëndërron që një ditë ti vijë shansi për të luajtur, ndërsa zbuloi se shokët e Kombëtares e ngacmojnë duke i thënë se duhet të ndihet me fat, pasi shumë lojtarë të mëdhenj të futbollit nuk kanë arritur të shënojnë gol në evenimentin më të rëndësishëm kontinental. /Insajderi.com