×
  • Lajme
  • LifeStyle
  • Lajme

    Si inflacioni po e kthen përmbys skenarin ekonomik

    Insajderi
    14 August 2022 - 19:37
    Prirja shqetësuese po përhapet në çdo cep të ekonomisë globale, me efekte dramatike. McKinsey Global Publishing vëren të dhënat më të fundit

    Çdo mëngjes, një titull i ri nënvizon shqetësimet ekonomike që po rriten: Inflacioni është në nivelin më të lartë që nga vitet 1970.

    Bankat qendrore po rrisin, në mënyrë agresive, normat e interesit. Besimi i konsumatorëve është në nivele të ulëta rekord. Çmimet e mallrave janë pranë niveleve më të larta të të gjitha kohërave.

    Duket qartë se inflacioni ka ndryshuar gjendjen ekonomike dhe ai mund të ketë ndryshuar gjithashtu rrugën e ekonomive globale dhe kombëtare në mbarë botën, për vitet në vijim.

    Ekspertët e McKinsey kanë shqyrtuar shumë nga implikimet strategjike të inflacionit. Ata përdorin të dhënat më të fundit të disponueshme publikisht, për të ofruar shtatë tabela që ilustrojnë përshkallëzimin e rrezikshëm të inflacionit.

    Një telash i dyfishtë

    Në gjashtë muajt e fundit, inflacioni ka tejkaluar shumë pritshmëritë e dhjetorit 2021. Në shumë vende, normat aktuale kanë dyfishuar parashikimet. Vendet europiane janë veçanërisht të cenuara. Për shembull, inflacioni në Lituani ka arritur në nivelin 15.5% në bazë vjetore, gati sa pesëfishi i normës së parashikuar.

    Polonia e ka në nivelin 11% dhe Mbretëria e Bashkuar në 9%, shumë më lart se parashikimet. Zvicra është në një gjendje më të mirë, me 3%. Azia po përjeton një ndryshim më pak të rëndë: inflacioni në Indi është rreth 7%, vetëm paksa mbi parashikimet; dhe në Korenë e Jugut është në nivelin 5%. Në Kinë dhe Japoni, inflacioni mbetet i ulët.

     Inflacioni në shumë vende ka qenë mbi dy herë më i lartë se parashikimet në gjashtë muajt e fundit

    Shënim: Kufijtë dhe emrat e treguar në këtë hartë nuk nënkuptojnë miratim ose pranim zyrtar nga McKinsey & Company. Burimi: OECD

    Përpjekjet për shpëtim

    Në përgjigje të rritjes alarmante të inflacionit, bankat qendrore në mbarë botën, po rrisin normat e interesit bazë të huadhënies bankare. Megjithatë, deri tani, rritja e normave në shumicën e vendeve, nuk është përputhur me ritmin e inflacionit.

    Rritja e normave pritet të lehtësojë kërkesën dhe të ulë çmimet për dy komponentë kritikë të inflacionit total: banesat dhe mallrat, mbi të gjitha energjia dhe metalet.

    Bankat qendrore në mbarë botën po rrisin normat

    Shënim: Kufijtë dhe emrat e treguar në këtë hartë nuk nënkuptojnë miratim ose pranim zyrtar nga McKinsey & Company. Burimi: Faqet e bankave qendrore.

    Të sigurta si shtëpitë?

    Çmimet e banesave u rritën ndjeshëm edhe para valës së inflacionit të vitit 2022, pasi pandemia nxiti riorganizim masiv të pasurive të paluajtshme. Këtu vëmë në dukje rritjen nga viti 2020 në 2021.

    Çmimet e banesave u rritën shumë më tepër se sa pritshmëritë, në një nivel global. Në Europë, pronarët turq të shtëpive arritën fitimet më të mëdha, të ndjekur nga ata në Republikën Çeke dhe në Lituani.

    Në rajonin Azi-Paqësor, Zelanda e Re dhe Australia shënuan fitime të mëdha. Në Amerikën e Veriut, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, përfituan të dyja nga rritja, ndërsa Meksika jo. Në Kolumbi, një nga tre vendet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në Amerikën e Jugut, fitimet ishin të vogla.

    Çmimet reale të banesave u rritën fuqishëm në vendet e OECD-së gjatë pandemisë

    Shënim: Kufijtë dhe emrat e treguar në këtë hartë nuk nënkuptojnë miratim ose pranim zyrtar nga McKinsey & Company. Burimi: OECD

    Kontributi i mallrave

    Investitorët shpesh thonë se në kohë inflacioni, duhet investuar në mallra. Kjo për shkak se çmimet e mallrave pasqyrojnë kërkesën për lëndë të para të nevojshme për zgjerimin ekonomik. Kjo është e vërtetë për shumicën e të gjitha mallrave: ndërsa stimuli ekonomik ringjalli ekonominë globale që ishte goditur nga pandemia COVID-19, çmimet u rritën.

    Më pas pushtimi i Rusisë i rriti edhe më tepër çmimet. Rritja më e madhe ishte për çmimet e plehrave kimike. Për shkak të mungesës së gazit natyror, një komponent kyç në prodhimin e plehrave kimike, dhe për shkak të rritjes së kërkesës nga fermerët, çmimet e plehrave kimike u rritën ndjeshëm.

    Çmimet për mallrat janë më të larta në të gjithë sektorët

    Burimi: Jongrim Ha et al., One-stop source: Një bazë të dhënash globale për inflacionin, Grupi i Bankës Botërore, studim për hulumtimin e politikave 9707, korrik 2021

    Afrimi i një krize ushqimore

    Rritja e çmimeve të plehrave kimike, së bashku me pasojat e tjera nga lufta në Ukrainë, i ka shtrenjtuar shumë ushqimet bazë. Që nga viti 2021, çmimet e ushqimeve janë rritur në nivelin më të lartë që kur Zyra e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, filloi indeksin e saj.

    Çmimet sot janë shumë më të larta se në rritjet e kaluara në vitet 2008 dhe 2011, të cilat u nxitën nga trazirat e krizës financiare globale. Në dekadën që nga ajo kohë, çmimet janë moderuar ndjeshëm. Por ato u rritën sërish në vitin 2021, për shkak të pengesave në zinxhirët e furnizimit, thatësirës dhe faktorëve të tjerë. Lufta në Ukrainë i ka rritur çmimet e ushqimeve në një nivel rekord.

    Çmimet e ushqimeve kanë arritur nivele rekord

    Shënim: Indeksi i Çmimeve të Ushqimit FAO (FFPI) është një matje e ndryshimit mujor në çmimet ndërkombëtare të një shporte mallrash ushqimore. Ai përbëhet nga mesatarja e pesë indekseve të çmimeve të grupeve të mallrave, të ponderuara me përqindjet mesatare të eksporteve të secilit prej grupeve gjatë viteve 2014-16. Figura tregon të dhënat mujore; më i fundit është maji 2022. Burimi: OECD

    Ndikimi tek pagat

    Nga komponentët e inflacionit, ne u drejtohemi tani dy nga efekteve më kritike të tij në ekonominë globale, duke filluar nga pagat.

    Pagat reale ishin ulur për shumë vite në ekonomitë më të mëdha të OECD-së. Pak para pandemisë, pagat reale u rritën fuqishëm; shtrëngimi i tregjeve të punës u dha punëtorëve përparësinë në negociata. Pandemia e ndryshoi rrënjësisht ekuacionin.

    Ndërsa ekonomitë u stabilizuan dhe u ndryshuan, pagat reale filluan të rriteshin përsëri. Por inflacioni i shfrenuar e shfuqizoi këtë rritje, duke zvogëluar fuqinë blerëse të pagës së njerëzve. Për shembull, punëtorët në Mbretërinë e Bashkuar sot vërejnë se kompensimi i tyre real ka rënë me afërsisht 8% në bazë vjetore.

    Inflacioni më i lartë po godet rritjen e pagave reale

    Burimi: Baza e të dhënave të OECD-së; qershor 2022; llogaritjet e OECD-së

    Një perspektivë e zymtë për rritjen ekonomike

    Ndërsa çmimet po rriten dhe tregojnë pak shenja uljeje, rreziku është që inflacioni të rrënjoset dhe bankat qendrore të duhet të rrisin normat edhe më tepër, për të ngadalësuar kërkesën. Prandaj, shumë analistë po ulin parashikimet e tyre për rritjen ekonomike.

    Për shembull, në Perspektivën Ekonomike të OECD-së, rritja e parashikuar reale e PBB-së në Turqi, është tani rreth tetë pikë përqindje më e ulët se parashikimet e mëparshme; dhe për Argjentinën është pothuajse e njëjta gjë. Parashikimet për Mbretërinë e Bashkuar tani janë 7.4 pikë përqindje më të ulëta.

    Megjithatë, në sajë të kërkesës së lartë për naftë, parashikimet për rritjen reale të PBB-së së Arabisë Saudite, tani janë rreth 6 pikë përqindje më të larta.

    E ardhmja duket më e zymtë në një periudhë afatshkurtër për shumicën e ekonomive në G-20

    Burimi: Baza e të dhënave OECD Economic Outlook, qershor 2022; Baza e të dhënave OECD Economic Outlook, dhjetor 2022, Llogaritjet e OECD.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark