×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Situata në vend, EULEX jep detaje për zbarkimin e karabinierëve italianë në Kosovë

    Insajderi
    09 November 2022 - 10:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Misioni i BE-së për sundim të ligjit (EULEX) ka bërë të ditur se të martën e 8 nëntorit është përforcuar përkohësisht me një Njësi Policore të Specializuar Rezervë (NJPSR) të përbërë nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR).

    “NJPSR u dislokua në Kosovë si përgjigje ndaj nevojës së Misionit për të pasur forca shtesë në terren dhe për t’i mbështetur më mirë homologët tanë kosovarë, nëse kjo kërkohet dhe nëse është e nevojshme”, thuhet në njoftim.

    NJPSR-ja e sapozbarkuar aktualisht përbëhet nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe është e vendosur në Kompleksin Mbështetës të EULEX-it në Fushë Kosovë.

    NJPSR-ja është nën komandën e EULEX-it dhe do ta mbështesë Misionin në përmbushjen e detyrave të tij, përfshirë ato si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë nëse është e nevojshme.

    Tutje thuhet se NJPS-ja e rregullt e EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, është e stacionuar në Mitrovicë dhe është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, që është pjesë përbërëse e mekanizmit me tre nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i i treti.

    Kjo është hera e dytë që një NJPSR zbarkohet në Kosovë: në mars 2022, EULEX-i e përforcoi përkohësisht NJPS-në e tij me një Njësi Rezervë prej 70 xhandarësh nga Portugalia dhe Franca.

    Ndërsa xhandarët u larguan nga Kosova më 18 korrik.

    “Siguria e grave, burrave, vajzave dhe djemve nga të gjitha komunitetet në Kosovë është prioriteti kryesor i EULEX-it dhe zbarkimi i Njësisë Policore të Specializuar Rezervë e tregon vendosmërinë e EULEX-it që të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin e Kosovës dhe të kontribuojë në sigurinë e popullatës së saj”, thuhet tutje.

    Ndërkaq, të martën, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka njoftuar se për shkak të situatës së krijuar në veri të Kosovës, pas bojkotimit të institucioneve të Kosovës nga serbët lokalë, ai ka dërguar përforcime për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit “EULEX”.

    Borrell ka thënë se xhandarmëria e karabinierëve, e cila ka mbërritur në Kosovë, ka për qëllim përforcimin e përkohshëm të njësisë policore të EULEX-it, për ta menaxhuar situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark