×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Situata në veri mund të përshkallëzohej në konflikt të armatosur”

    Insajderi
    08 August 2022 - 13:32

    Në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

    Radio Evropa e Lirë: Kryeministër përmendët grupet e armatosura që ishin të gatshme të qëllonin ndaj turmave. A ka pasur rrezik që në atë natë situata të përshkallëzohej në një konflikt të armatosur në veri?

    Albin Kurti: Rrezik ka pasur për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd. Pra, mbledhjet në Beograd dhe në Rashkë janë vendet dhe ngjarjet ku është planifikuar ai tensionim i situatës në Kosovë. Padyshim që rreziku ekziston, por ne bëjmë gjithçka që atë ta minimizojnë.

    Sipas tij, barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut, në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë.

    Kurti ka thënë se nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse në takimin që do ta ketë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel. Sipas tij, në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”.

    Kryeministri ka bërë të ditur se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.

    Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për Komunat me shumicë serbe, ai ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark