×
  • Hulumtime/Analiza
  • Aktuale

    Skandali i Berjanit me benzinë, përfshihet edhe Lab Oil e multimilionerit Raif Gashi

    Insajderi
    06 April 2022 - 14:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Emri i kompanisë së derivateve “Lab Oil”, që drejtohet nga multimilioneri Raif Gashi, është përmendur në seancën gjyqësore ndaj Fadil Berjanit, në vitin 2017. Atë kohë, Berjani që u dënua nga gjykata për mashtrim me cilësinë e benzinës, kishte deklaruar se benzinën e ka blerë nga  kompania “Lab Oil”. Kjo kompani nuk ka komentuar deklaratat e Berjanit, deri në momentin e publikimit të tekstit nga gazeta

    Në vitin 2017, kur shteti e mori në pyetje Fadil Berjanin, kryetarin e Shoqatës së Naftëtarve të Kosovës, lidhur me akuzën për mashtrim me cilësinë e benzinës, ai e kishte lidhur me rastin edhe emrin e një biznesmeni tjetër kosovar, që merret me derivate.

    Gjatë seancës gjyqësore, Berjani duke kundërshtuar raportin e inspektorëve të Ministrisë së Tregtisë me gjetjet. Ishte munduar të arsyetohet se këtë produkte kishte blerë nga kompania e multimilionerit, Raif Gashi.

    Berjani pati deklaruar në gjykatë se “mallin-benzinën e blenë nga importuesi “Lab-Oil””, shkruan Gazeta Insajderi bazuar në dokumentin e gjykatës të cilën e posedon.

    Ai thoshte se gjatë importit të benzinës nga Lab Oil, e posedonte edhe deklaratën e konformitetit për benzinë nga: ““Lab Oil” dhe se në inspektimin që i është bërë me datë 1.07.2016 është konstatuar se presioni i avullit është 56.3 që do të thotë se kanë qenë konform dispozitave rregullative”, kishte deklaruar ai.    

    Gazeta Insajderi, lidhur me këtë çështje ka kërkuar sqarim nga kompania “Lab Oil”, për të sqaruar deklarimet e kryetarit të shoqatës, Fadil Berjani, por e njëjta kompani nuk është përgjigje në pyetjet e gazetës.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, ka gjetur se biznesi i Berjanit “Dilloni Benz”, ka tejkaluar limitete e presionit të avullit në derivate. Këtë veprim sipas gjykatës e ka bërë përgjatë muajve të verës së vitit 2016.

    Limiti i lejuar i presionit të avullit sipas inspektorëve është 60.0 ndërsa në biznesin e Berjanit në kohën e inspektimit kihte qënë 62.5, e që sipas tyrë është jo konform dispozitave rregullative.

    Lidhur me këtë veprim të tij, që është konstatuar nga inspektorët e Ministrisë së Tregtisë, pas mostrave të marra në “Dilloni Benz”, gjykata mori vendim që Berjani të dënohet me gjobë 3 mijë euro.

    Punëtori i “Lab Oil” vdes duke pastruar kazanët e derivateve

    Emri i kompanisë “Lab Oil” pronë e multimilionerit, Raif Gashi përveç se në rastin e e mashtrimit me benzinë që ka konstatuar gjykata kur e dënoi Fadil Berjanin, lidhet edhe me një rast tjetër tragjik.

    Në vitin 2019, në kompaninë “Lab Oil” vdiq një punëtor 22-vjeçar duke pastruar kazanët e derivateve të naftës.

    Për vdekjen e punëtorit kishte njoftuar zyrtarisht vetë kompania.

    “Më datë 24.02.2019 në fabrikën e Petrokoksit që gjendet në Preoc (magjistarja Prishtinë-Ferizaj), aksidentalisht ka humbur jetën punëtori ynë, Krenar Jemini (1997). I ndjeri Jemini në momentin kritik ka qenë duke kryer punët e tij në fabrikë dhe ka shkarë në shiritin transportues të fabrikës, ku ka marrë lëndime vdekjeprurëse”, thuhej në komunikatën e Labi-Oil.

    Por një ditë pas vdekjes së punëtorit, kjo kompani kishte penguar zyrtarët e shtetit të inspektojnë vendin ku ndodhi tragjedia, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kompania e Gashit, nuk ia lejonte hyrjen në hapësirat e saj kryeinspektorit të Punës në atë kohë, Basri Ibrahimi. Ndonëse Ibrahimi jepte urdhër që të lejohej të hyjë në vendin e ngjarjes, dyert e fabrikës nuk u hapën për të.

    Ispektorati i punës u lejua të hyjë në fabrikën e “Lab Oil”, vetëm dy ditëve pas vdekjes së punëtorit.

    Sheteti disa ditë pas vdekjes së punëtorit, gjeti se shiriti transportues ishte shkaktari kryesore i vdekjes së 22-vjeçarit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Dhe se për këtë konstatoi se “Lab Oil” është përgjegjës edhe për mos ofrimin e sigurisë në vendin e punës. Dhe se punëtori nuk ka qenë i trajnuar për punën që ka qenë duke e kryer.

    Lidhur me gjetjet inspektorati i Punës e gjobiti kompaninë ‘Lab-Oil’, me 9 mijë e 500 euro për saktësisht          pesë shkelje që ishin gjetur në këtë biznes, shkruan Gazeta Insajderi.

    Me 1 mijë euro ishte dënuar për cënimin e dispozitës së Ligjit të Punës, për përmbajtjen e kontratës, 3 mijë euro gjobë për për trajtimin e punëtorëve sipas Ligjit për Shëndet dhe Siguri

    Pas konstatimeve për shkelje të Ligjit për Siguri, saktësisht përdorimin i mjeteve dhe pajisjeve mbrojtëse u dënua me 2 mijë euro.

    Derisa për mos sigurimin në vendin e punës sipas Inspektoratit të Punës “Lab Oil” u dënua me 2 mijë euro.

    Dhe gjobë me 1 mijë e 500 euro për mos kryerjen e kontrollimeve mjekësore të punonjësit.

    Për sqarimin e më tej të gjithë rastit edhe prokuroria pati nisur hetimet.

    Multimilioneri Gashi ishte dekoruar nga shteti në 10-vjetorin e pavarësisë

    Multimilioneri Raif Gashi, në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, kishte pranuar një dekoratë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

    Dekoratat Thaçi i kishte ndarë,  për 10 kompanitë më të mëdha që paguajnë taksa në buxhetin e shtetit, në mesin e të cilave edhe kompania “Lab Oil”.

    Për dekorimin e Gashit, njoftoi kompania “Lab Oil” në ëeb faqen e saj zyrtare.

    “Për nder të përvjetorit të 10-të të Pavarësisë së Kosovës, Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, e ka dekoruar  me mirënjohje të veçantë kompaninë “Lab-Olil”, si njërën nga 10 kompanitë më të mëdha taksapaguese  në Buxhetin e Shtetit”. 

    “Mirënjohjen nga Presidenti Thaçi e ka pranuar pronari i kompanisë, z. Raif Gashi, i cili  e ka falenderuar Presidentin dhe ka thënë se është fakt inkurajues për të gjithë kur vlerësohet puna e atyre që shtetësinë e Kosovës e ndërtojnë dhe e fuqizojnë për çdo ditë, në heshtje dhe pa zhurmë”, thuhej në njoftimin e “Lab Oil”. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark