×
  • Lajme
  • Insajderi

    Skandali i tenderit 104 mijë euro – Jahja, Hajzeraj dhe Krasniqi përjashtohen përkohësisht nga puna

    Insajderi
    17 September 2021 - 09:42

    Leutrim Jahja, Faton Hajzeraj dhe Ylber Krasniqi janë përjashtuar përkohësisht nga puna në QKUK pas dyshimeve për keqpërdorime me tenderin për kamera në vlerë 104,751 euro.

    Komisioni Disiplinor i SHSKUK-së gjatë ditës së djeshme ka marr masa ndaj tre zyrtarëve të IT-së në QKUK bazuar në raportin e Auditorit të Brendshëm për tenderin me kamera, shkruan Gazeta Shneta.

    Leutrim Jahja, Faton Hajzeraj dhe Ylber Krasniqi janë pezulluar nga puna për dy muaj deri në një vendim përfundimtar. Gazeta ka siguruar vendimet për tre zyrtarët, të cilëve iu ndalohet hyrja në objektet e QKUK-së përveç nevojave shëndetësore.

    Jahja, Hajzeraj dhe Krasniqi janë përballë me këtë masë të Komisionit pasi raporti i Auditimit për tenderin me kamera ka ngritur dyshimet për keqpërdorime.

    Auditori ka gjetur se QKUK ka paguar 104,751 euro për projektin e instalimit të kamerave dhe dhomës së monitorimit, por në fakt ky projekt nuk ishte realizuar ndonëse kontrata ishte nënshkruar para një viti. Auditori gjatë auditimit poashtu nuk i ka gjetur as pajisjet dhe materialet në depon e QKUK-së.

    Jahja, Hajzeraj dhe Krasniqi kanë qenë tre anëtarët e Komisionit të Pranimit, të cilët kishin nënshkruar pranimin e mallit më 22 dhjetor 2020 dhe në bazë të këtij raporti QKUK kishte kryer pagesën. Por në fakt sipas auditorit malli nuk ekziston në QKUK.

    “Ne gjatë auditimit nuk kemi gjetur sasinë e deklaruar të mallit në depo dhe nuk kemi gjetur pranimin e mallit nga depoisti i cili deklaron se deri më datë 27.08.2021, ditë e premte nuk ka pasur asnjë pranim të mallit nga kjo kontratë”, thuhet në raportin e Auditorit.

    Ndërkaq sipas këtij raporti, po atë ditë më 27.08.2021 derisa po kryhej auditimi në depon e QKUK-së është dorëzuar një sasi e mallit, por nuk është pranuar zyrtarisht nga depoisti.

    Auditori në fund kishte rekomanduar që kjo lëndë të procedohej në Polici dhe Prokurori. Menaxhmenti i SHSKUK-së ka realizuar rekomandimin e auditorit duke proceduar lëndën në organet e drejtësisë, ndërsa Policia tanimë ka nisur hetimet për këtë rast. /Gazeta Shneta/

    Për videot e fundit ndiqeni INSAJDERI TV

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark