Këtë të diel u përjetësua përgjithmonë shtatorja e futbollistit mitrovicas, Erion Kajtazi. Shtatorja e ish-reprezentuesit të grupmoshave të Kosovës u vendos pranë stadiumit që mban emrin e tij tek Liqeni Akumulues në Mitrovicë.
Por, në këtë organizim nuk mori pjesë askush nga Federata e Futbollit të Kosovës.
“Organizimi ka shku shumë mirë, i falenderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen, po ashtu edhe fytyrat publike si Ministrin Çeku, deputetët e shumë të tjerë. Por, unë dhe familja Kajtazi jemi të dëshpëruar me mospjesëmarrjen e askujt nga FFK-ja. I kemi bërë ftesë zyrtare. Në rregull, kryetari Agim Ademi paska qenë jashtë shtetit(kështu janë arsyetu), por ku janë të tjerët? Në FFK-kë punojnë edhe njerëz të tjerë, është dashur të vijnë”, tha presidenti i Trepçës 89′, Abedin Zeka.
Tutje, Zeka shtoi “Erioni ka qenë lojtar i Kombëtares, edhe nëse kanë inate me Trepçën 89 sot është dashur të vijnë për hir të familjarëve të tij”.
Në kërë organizim mori pjesë ministri Çeku dhe shumë fytyra të njohura nga bota e sportit dhe jo vetëm.
Ceremonia u organizua nën patronatin e Presidentit të KF Trepça’89 FC Abedin Zeka dhe me Iniciativën e Klubit dhe familjes Kajtazi./rtvdukagjini.