×
  • Sport
  • Sport / Insporti

    Skënderbeu shet yllin e skuadrës në Turqi – kjo është shuma që ka përfituar

    Insajderi
    28 June 2022 - 09:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Uerdi Mara hedh hapin e madh në karrierë, transferohet në kampionatin turk.

    Akordi është arritur dhe 23- vjeçari ka marrë dje në mbrëmje avionin për t’u nisur në Turqi, atje ku sot pritet që të lidhë zyrtarisht marrëveshjen me klubin e ri.

    Është Ankara Keçiorengucu klubi që merr shërbimet e lojtarit nga Maliqi. Për talentin nuk do të jetë e vështirë përshtatja, pasi atje gjen një koloni me shqiptarë.

    Skuadra e cila edicionin e shkuar u rendit në vendin e 12-të në ligën e parë, ka në organikë edhe Jurgen Bardhin e Arb Manajn. I pari u transferua pak ditë më parë tek Ankara Keçiorengucu, ndërsa kosovari ishte edhe vjet. Skënderbeu nuk del “thatë” nga ky operacion.

    Gazeta “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se klubi përfiton 150 mijë euro dhe njëherësh ruan 10% të vlerës së kartonit. Edhe pse presidenti Ardjan Takaj donte 20% të kartonit, në fund ka pranuar dhe nuk është bërë pengesë.

    LAMTUMIRA

    Pikërisht dje, Uerdi Mara i dha lamtumiren Skënderbeut. Ndarja me klubin ku luajti në 5 sezonet e fundit, nuk ishte aspak e lehtë. Dhe këtë e kupton nga postimi i ndjerë që 23-vjeçari ka bërë në rrjetet sociale.

    “Është e vështirë të gjesh fjalët e duhura në këtë moment, pasi janë shumë vite, shumë emocione dhe të gjitha së bashku… Nuk do harroj kurrë ato që më keni bërë të përjetoj, çdo ndeshje.

    Me ju jam rritur, kam mësuar, kam jetuar e kam ëndërruar.

    Dua të falënderoj të gjithë trajnerët të cilët më kanë mësuar dhe ndihmuar të rritem dhe të jem ky që jam sot…

    Pa dyshim që dua të falënderoj gjithë tifozërinë korçare dhe në veçanti ‘ujqërit e dëborës’ të cilët na kanë mbështetur në çdo moment të mirë dhe të keq…

    Mirënjohje për të gjithë klubin e Skënderbeut, që do të mbetet gjithmonë në zemrën time, në veçanti. Presidentin dhe familjen e tij për mundësinë dhe mbështetjen që më kanë dhënë.

    Më e rëndësishmja, falënderimi i shkon familjes sime, mbështetësit e mi kryesorë!

    Uroj që ekipi i Skënderbeut të ringrihet dhe të shkojë në nivelet që meriton”, ishin këto fjalët që kishte zgjedhur i riu, që numëron 7660 minuta me Skënderbeun nga 113 ndeshje në total.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark