19:25 - 16 Shtator 2021

Kundërshtarët sllovenë të masave për të luftuar koronavirusin sonte u mblodhën në Sheshin e Republikës në Lubjanë. Ata kritikuan qeverinë duke brohoritur thirrje për dorëheqje. Pas dy orësh, ata ndezën pishtarë dhe filluan t’i hedhin në Parlamentin e Sllovenisë, raportoi “N1 Sllovenia”.

Disa policë u plagosën në trazirat dhe helikopterët u panë duke fluturuar mbi qytet. Protestat, në të cilat policia vlerësoi se morën pjesë më shumë se 8,000 persona, u qetësuan rreth orës 22:30, transmeton Zeri.info.

Protestuesit, të cilët u mblodhën sot në Sheshin e Republikës në Lubjanë, kishin dy kërkesa: ndryshimin e masave për të luftuar Covid-19 në rekomandime dhe zgjedhje të parakohshme.

Para protestës, organizatorët bënë thirrje për një tubim paqësor, por incidenti ndodhi sapo një person i panjohur hodhi një shishe ndaj njërit prej policëve që ruanin tubimin. Turma iu afrua gjithashtu hyrjes në ndërtesën e Parlamentit. Prandaj policia rriti praninë e tyre para Asamblesë Kombëtare.

“Kur luajmë futboll, ‘Viola’ dhe ‘Green Dragons’ janë në anë të kundërta, por kur vjen puna te Sllovenia, ata janë së bashku”, tha një protestues, duke konfirmuar se dy grupet më të mëdha të tifozëve në këtë vend po marrin pjesë në tubim.https://zeri.info/inarticle.html

Turna gjithashtu vuri në dyshim të gjitha gjetjet shkencore dhe faktet e padiskutueshme në lidhje me koronavirusin dhe vaksinat.

Ndërsa turma iu afrua Parlamentit dhe hodhi pishtarë, policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe i shpërndau. Pastaj ata përdorën topa uji disa herë. Shumë protestues u larguan, kurse pishtarët dhe gazi lotsjellës vazhduan të fluturojnë. Protestuesit vazhduan të hedhin gurë në një makinë të parkuar të policisë.

Disa automjete policie, dyqane, makina u thyen, kontejnerët u dogjën.

Sllovenëve të pavaksinuar iu ndalua blerja e karburantit

Dita e parë e aplikimit të masave më të rrepta anti-epidemike në Slloveni u shënua me pakënaqësi mes shoferëve të cilët nuk mund të mbushin automjetet e tyre me karburant me pa një konfirmim të vaksinës COVID-19.

Shumica e kompanive të shitjes së derivateve po i zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat për gjendjen me SVT (të sëmurë, të vaksinuar, testuar), të cilat qeveria i miratoi të shtunën, që do të thotë se pompa për karburant aktivizohet vetëm kur shoferi vërteton me dokumente se e ka tejkaluar Covid-19, se është vaksinuar ose ka një test negativ jo më të vjetër se 48 orë.

Ju kujtojmë se qeveria në Slloveni ka prezantuar detyrimin e certifikatave të COVID-it për të gjithë njerëzit – në punë, gjatë blerjeve, në transport publik dhe në një numër aktivitetesh të tjera të përditshme. Qeveria njoftoi se nuk përjashtohet mundësia e vendosjes së masave edhe më të rrepta.

Dje, pas 6645 testeve PCR, 1364 persona rezultuan pozitivë. 76 persona po trajtohen në kujdes intensiv, dhe gjashtë pacientë me Covid-19 kanë vdekur.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Sllovenisë, aktualisht janë 11,238 raste aktive të infeksionit në vend.

Megjithëse interesi për vaksinimin po rritet, mbulimi i mjaftueshëm i vaksinimit ende nuk është arritur. Aktualisht, 50 përqind e popullatës janë vaksinuar me një dozë, dhe 45 përqind ose 947.759 persona janë imunizuar në tërësi.