×
  • Lajme
  • Insajderi

    Sot shpallet aktgjykimi ndaj Haki Rugovës

    Insajderi
    14 June 2021 - 09:29

    Gjykata Themelore në Pejë, sot do të shpall aktgjykimin ndaj kryetarit të Komunës së Istogut, Haki Rugova, i cili po akuzohet për konflikt të interesit.

    Rugova akuzohet nga Prokuroria se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 289 mijë euro.

    Për këtë akuzë, Gjykata do të jap verdiktin e saj në ora 15:00. Aktgjykimi do të shpallet nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharaxhiu, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me këtë rast, më 10 qershor 2021 prokurori Ali Uka dhe mbrojtësi i Rugovës, avokati Besnik Berisha kishin dhënë fjalët e tyre përfundimtare.

    Prokurori kishte kërkuar që Rugova të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, pasi sipas tij, Rugova me nënshkrimin e kontratës për kompaninë e vëllait të tij, i kishte mundësuar këtij të fundit realizim të interesit financiar.

    Në anën tjetër, mbrojtja e Rugovës kishte insistuar se nënshkrimi i kryetarit të Istogut kishte qenë pa efekt juridik.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

    Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289,119.85 euro.

    Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

    Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.

    Por, ky i fundit, më 17 janar 2018 me shkresë i ishte drejtuar ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj dhe pas konsultimit me ish-kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe me kryeprokurorin e Pejës, Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

    “Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.

    Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark