×
  • Lajme
  • Aktuale

    Sot shpallet aktgjykimi në rastin ku Meliza Haradinaj akuzohet për korrupsion

    Insajderi
    04 June 2021 - 10:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gjykata Themelore në Prishtinë sot pritet të shpallë aktgjykimin ndaj ish-ministres së Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, e akuzuar për mos raportim të pasurisë.

    Ajo po akuzohet se me rastin e marrjes së detyrës si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, më 11 shtator 2017, nuk e kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) pronësinë e saj mbi biznesin “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, edhe pse ka qenë e obliguar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Rigjykimi në këtë rast ka përfunduar më 1 qershor, gjatë së cilës seancë, e akuzuara ka thënë se biznesin e saj në Londër nuk e kishte deklaruar në AKK, pasi kështu ishte udhëzuar nga avokati i saj anglez.

    Haradinaj-Stublla ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor 2019, për veprën penale “Mos raportimi apo raportimi i rrem i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare.

    Për këtë vepër penale, ajo ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht. Gjithashtu, ajo ishte dënuar edhe me njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit, detyrohej ta paguajë brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë, kurse në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohet me burgim, ku do të llogaritet 20 euro, për një ditë burgim.

    Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

    Sipas Apelit, aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

    “Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët. Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim”, thuhej në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 26 mars 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Meliza Haradinaj-Stublla në drejtim të kryerjes së veprës penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”, nga neni 437 paragrafi 2 të KPRK-së.

    Gjithnjë sipas prokurorisë, e akuzuara Meliza Haradinaj-Stublla, në cilësinë e Zyrtares së Lartë Publike, dhe atë Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 paragrafi 1.3 dhe nenin 6 par. 1.1 të Ligjit Nr. 04/L-050, për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë publik dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

    Prokuroria pretendon se e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër edhe pse ka qenë e obliguar. 

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    24 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark