×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Stoltenberg: NATO duhet të përballet me rritjen e Kinës

    Insajderi
    14 June 2021 - 13:44

    Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u bëri thirrje vendeve anëtare që t’i përgjigjen rritjes së ndikimit të Kinës.

    Në Bruksel, mbahet sot një samit i aleancës ushtarake, në të cilin po merr pjesë edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

    Udhëheqësit e NATO-s pritet të lëshojnë një deklaratë, në të cilën Kina do të etiketohet si rrezik për sigurinë.

    “Ne nuk po hyjmë në një Luftë të re të Ftohtë dhe Kina nuk është kundërshtari ynë, as armiku ynë”, u tha Stoltenberg gazetarëve në selinë e NATO-s, përpara samitit.

    “Por, ne duhet t’i trajtojmë së bashku, si aleancë, sfidat që ngritja e Kinës paraqet për sigurinë tonë”, tha ai.

    Mesazhi i tij pason një deklaratë të lëshuar nga grupi i vendeve më të industrializuara G7, i cili u takua në Mbretërinë e Bashkuar, javën e kaluar.

    G7 e akuzoi Kinën për shkelje të të drejtave të njeriut dhe kërkoi hetime transparente të origjinës së koronavirusit.

    Në përgjigje, Kina e akuzoi G7-ën për “gënjeshtra, thashetheme dhe pretendime të pabazuara”.

    Në agjendë të diskutimeve të NATO-s pritet të jetë edhe tërheqja e trupave nga Afganistani, pastaj marrëdhëniet me Rusinë, shpenzimet në mbrojtje e të tjera.

    Biden po merr pjesë në një samit të NATO-s për herë të parë prejse ka marrë detyrën e presidentit, në muajin janar.

    Ai ka shprehur mbështetje për aleancën dhe është zotuar për forcim të bashkëpunimit.

    Paraardhësi i tij, Donald Trump, shpesh e ka denigruar NATO-n dhe ka kërcënuar me tërheqje nga aleanca e sigurisë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark