×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Studentët, biznes ilegal me kartelat e konvikteve dhe mensës

    Insajderi
    04 December 2022 - 11:21

    Studentët të cilët janë banorë të konvikteve nëpërmjet rrjeteve sociale po i shesin ID kartelat e tyre të qëndrimit dhe të mensës.

    Janë mbi 2 mijë studentë të cilëve iu është refuzuar aplikacioni për t’u bërë banorë në konvikte, por disa nga ata që fituan atë të drejt, po bëjnë pazare me ato kartela.

    Drejtori për strehimin e studentëve në Qendrën e Studentëve, Isak Beha për KosovaPress, tha se konviktet janë në vazhdimësi të vëzhguara dhe të kontrolluar dhe ata studentë që kanë tendencë të manipulojnë me ID kartelat e tyre, përjashtohen nga konvikti.

    “Ne në vazhdimësi përcjellim studentët, banorët tonë brenda konvikteve, mirëpo prononcimet e tyre nëpër rrjete të ndryshme sociale, mund të ketë student individual të cilët tentojnë të keqpërdorin apo të manipulojnë me ID kartelat e tyre, të cilat i kemi pajisur. Mirëpo çdo tentim, i kemi bërë me dije çdo studenti dhe banori i ynë por edhe nëpër rrjete sociale se çdo tentim nga ana e studentëve që mund të ketë, studentët ndëshkohen sipas masave që janë të parapara dhe janë në fuqi të parapara nga Qendra e Studentëve. Nëse një student kapet që ka përdor ID kartelën dhe ai student përjashtohet automatikisht nga konvikti, e humb të drejtën e banimit dhe të ushqimit dhe futet në listën e zezë dhe nuk do të ketë të drejtë të aplikoj për vitin e ardhëm për banim në konviktet”, tha ai.

    Beha tregoi se kontroll të veçantë iu bëhet në konvikte me qëllim që të parandalohet keqpërdorimet.

    “Ne si staf i Qendrës së Studentëve, në veçanti në konvikte, bëjmë kontrolle të vazhdueshme nëpër dhomat e studentëve në të gjitha konviktet me qëllim që t’i parandalojmë keqpërdorimet.Mundësia për të realizuar qëllimin është në raste individuale, mund të ceku dy raste gjatë javës së kaluar gjatë kontrolleve, kemi hasur në dy student të cilët kanë keqpërdor ID kartelat e tyre dhe automatikisht studentët e tillë janë përjashtuar nga konvikti. Jemi institucioni shtetëror dhe jemi të obliguar të zbatojmë rregulloren e brendshme të cilat i kemi në fuqi. Çdo student vetëm atij i takon e drejta për ta shfrytëzuar vendin për të banuar dhe për t’u ushqyer në mensën e studentëve”, theksoi ai.

    Sipas tij, me futjen në sistem të aplikimit online, ka ulje të madhe të mashtrimit.

    “Derisa është bërë përmes sistemit online dhe aplikimi i sistemit online, në të kaluarën mund të themi se ndoshta numri ka qenë më i lartë. Mirëpo që nga marrja e këtyre masave dhe metoda e avancimit të komunës, mund të them se kjo dukuri është minimizuar në 99% të rasteve mos të them 100% që nuk është e pranishme. ..nuk mundemi t’i ulin kriteret për shkakun se kriteret vlejnë për të gjithë aplikantët që aplikojnë, problemi qëndron tek kapaciteti në Qendrën e Studentëve. Qendra e Studentëve ka kapacitet rreth 4 mijë studentë, ndërsa këtë vit kemi refuzuar mbi 2 mijë kërkesa, është në pyetje mungesa e kapaciteteve për ta fituar të drejtën e banimit në konvikt”, tha ai.

    Drejtori i mensës së studentëve, Fahri Osmani nuk mohoi tendencën e manipulimit me ID kartela, por shtoi se çdo tendencë me anë të digjitalizimit të mensës, evidentohet.

    “Një tendencë të tillë studentët e kanë po thuajse rregullisht, mirëpo bëjë apel që të mos bien pre e manipulatorëve, ngase mensa e studentëve është e digjitalizuar nga një periudhë e gjatë dhe çdo tendencë e tillë kapet nga ana e stafit…Kemi raste të tilla që na paraqiten ngase stafi që iu shërben has në dukuri të tilla dhe me mirëkuptim, kulturë iu ofron që raste të tilla studentëve mos t’iu shërbejnë më kartela, ngase kapet që të gjithë dhe iu merret e drejta e ushqimit në mensë…Duke pasur parasysh gjendjen socio-ekonomike, raste të tilla janë po thuajse të njëjta dhe shfaqet gjithmonë, mirëpo i kemi parasysh raste të tilla dhe gjithmonë iu bëjmë apel që mos të bëjnë veprime të tilla, ngase të gjithë këto raste evidentohen dhe studentët të cilët kapen duke bërë veprime të tilla, futen në listë të zezë dhe nuk kanë mundësi që viteve të ardhshme t’i nënshtrohen proceseve të vendosjes në konvikt dhe ushqimit në mensë”, tha ai.

    Gjithashtu, Osmani tregoi edhe procedurën e ushqyerjes së mensë.

    “Procesi i ushqyerit në mensë fillon me vendosjen e studentit në konvikt, në momentin që studentët vendosën në konvikt, ata bëjnë pagesën edhe për mensë, marrin kartelën e tyre dhe me kartelën e mbushur e kanë vaktin për ushqim, për drekë dhe për darkë. Ky proces është i evidentuar përmes sistemit këtu digjital që e kemi dhe çdo studentë regjistrohet këtu, merr shujtën dhe njëkohësisht përfundon procesin e ushqimit e merr enën e dorëzon dhe e bënë Check-out. Janë procese të thjeshta të cilët na kanë lehtësuar jetën shumë në përgjithësi dhe në veçanti shërbimin për studentë…Shanset janë shumë të vogla ngase gjithçka është e kontrolluar, është e digjitalizuar dhe çdo rast i tillë menjëherë kapet. Një dukuri e tillë që është ende prezente lidhur me faktin sepse kërkesat janë shumë të mëdha të studentëve me u ushqyer në mesë, sepse çmimi është simbolik”, përfundoi ai.

    Studentja e Universitetit të Prishtinës, Majlinda Bytyqi, ka konsideruar se është absurde që studentët ta shesin vendin që e kanë fituar në konvikte. Këtë e ka lidhur me faktin se ajo nuk është pranuar në konvikt, edhe pse udhëton nga një Prizreni.

    “Kam aplikuar në konvikt, fatkeqësisht nuk jam pranuar dhe jam detyruar që të udhëtojë çdo ditë nga Prizren-Prishtinë për t’i vijuar ligjëratat…Sfidat kanë qenë të shumta… besoj se shkak i mospranimit tim në konvikte është numri i kufizuar i banuesve… Kam hasur në disa grupe në rrjetet sociale dhe duke marrë parasysh se disa studentë kanë nevojë për konvikt… më duket absurde që dikush me marrë vendin dhe me shit, e dikush që ka nevojë për atë vend, të mos pranohet”, u shpreh ajo.

    Një nga studentët e UP-së, Floriana Alija, dhe njëherësh banore e konvikti, tha se viteve të kaluara nuk ka hasur në këtë dukuri përveç këtij viti.

    “Viteve të kaluara nuk kam hasur në këtë dukuri, por vitin e fundit dhe njoh persona të cilët janë marrë me shitjen dhe blerjen e kartelave të konviktit. Edhe personi i cili e ka bërë këtë veprim është përjashtuar nga konvikti, personi që e ka shit iu është anuluar e drejta për të aplikuar në tre vitet tjera në Qendrën e Studentëve. Është dukuri shumë negative të cilët ka studentë të cilët janë prej më larg dhe u ka mohuar e drejta për të qenë banues dhe persona të cilët e kanë shumë më pak nevojë dhe shumë më afër me distancë, vinë dhe banojnë në Qendrën e Studentëve”, u shpreh ajo.

    Edhe studentja, Elonë Selmani pohoi se është e pranishme kjo dukuri. Ajo tregon edhe për mënyrën si duhet zgjidhur ky problem.

    “Kjo dukuri  (manipulimin me kartela) është bërë shumë e përhapur në secili rrjet social dhe mendoj që nuk është gjë e mirë por besoj faji është i dyanshëm. Qendra Studentore është dashur të rregullojë mekanizma të ndryshëm për t’i zgjedhur studentët përfitues të banimit, por nëse edhe ata studentë përfitues që përzgjedhjen nga QS fitojnë të drejtën e banimit, dhe nëse e shohin se nuk kanë nevojë më për atë banim, është dashtë të lidhet si një kompromis me QS që ato konvikte që janë të lira me ia jep dikujt tjetër dhe jo duke bërë pazare”, theksoi ajo.

    Qendra e Studentëve në Kosovë është e gatshme që të strehojë 4 mijë studentët e pranuar për vitin akademik 2022/23.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark