×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Subvencionimi për izolim të shtëpive – Qytetarët ankohen se nuk po mund të aplikojnë, ministria hesht

    Insajderi
    29 August 2024 - 15:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Para dy dite është hapur afati për aplikim për subvencionim të izolimit të shtëpive. Sipas njoftimit të Qeverisë, aplikimi bëhet përmes platformës e-Kosova. Si hap i dytë i aplikimit është kontakti me një prej auditorëve të çertifikuar për tu pajisur me raportin e nevojshëm për aplikim. Mirëpo, sipas disa ankesave që ka siguruar Insajderi, qytetarët po e kanë të pamundur komunikimin me këta auditorë. Sipas pretendimeve të ankuesve, përgjigja e auditorëve po është: Nuk jam i lirë, e kam plotësuar numrin e kufizuar…

    Gazeta Insajderi

    Më 27 gusht 2024 është hapur afati për aplikimin për subvencionimin për efiçiencë të energjisë elektrike për shtëpitë individuale të banimit të qytetareve të Kosovës. Përmes këtij subvencionimi mundësohet, termoizolimi i mureve të jashtme, termoizolimi i kulmit dhe ndërrimi i dyerve dhe dritareve të jashtme.

    Qytetaret që duan ta shfrytëzojnë këtë mundësi duhet t’i plotësojnë kushtet dhe kriteret që janë përcaktuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE). Kriteri i parë është që këta qytetarë të jenë të regjistruar dhe verifikuar në platformën E-Kosova, shtëpia duhet të jetë e banuar dhe duhet të jetë e lidhur me furnizues operues energjetik të Republikë së Kosovës dhe pas plotësimit të këtyre kritereve përmes platformës E-Kosova qytetarët do ta kuptojnë nëse kualifikohen ose jo për këto subvencione.

    Faza tjetër është plotësimi i kritereve teknike, qytetarët duhet të kenë konsumin minimal prej 250 KWh për muaj për 21 muaj gjatë dy viteve të fundit, gjithashtu edhe ky verifikim bëhet në mënyre automatike përmes e-Kosovës.

    Si kusht që të kalohet në hapin e dytë, është të kontaktohet një auditor i energjisë nga lista e publikuar. “Auditori ju pajis me raportin e nevojshëm për aplikim“. Tutje thuhet se “pasi të pranoni raportin nga auditori ju mund të vazhdoni me aplikimin në e-Kosova.

    Lista e auditorëve është e publikuar në faqen e Ministrisë së Ekonomisë, kostoja për auditorin fillimisht do të paguhet nga qytetarët e më pas do të rimbursohen nga FKEE.

    Mirëpo, vetëm dy ditë pas hapjes për aplikim, kanë filluar ankesat e qytetarëve.

    Sipas informacioneve që ka Gazeta Insajderi, auditorët të cilët janë të publikuar në faqen e-Kosova, po i endin tek njëri-tjetri, duke mos e kthyer raportin e kërkuar.

    Një aplikues anonim (emër i njohur për redaksinë) ka treguar për Insajderin se ditën e parë kur është hapur aplikimi, ka kontaktuar me më shumë se 10 auditorë, dhe asnjëri nuk e ka marr përsipër.

    “Ju kom shkru ma shumë se 10 prej tyre, siç thoshte tek E-kosova, por, të gjithë më thonin se e kanë plotësu numrin, nuk janë të lirë etj, më referonin tek një auditor tjetër”.

    Ai tutje tha se për këtë arsye ka mbetur pa aplikuar ende, sepse pyetjet që kërkohen janë të komplikuara. Personi në fjalë ka dërguar edhe disa mesazhe që i ka marrë nga disa auditorë.

    Gazeta Insajderi ka mbledhur edhe disa prej komenteve, në profilin e kryeministrit Kurti, dhe Ministres Artane Rizvanolli, në postimin ku kanë njoftuar për hapjen e thirrjes për subvencionimin e izolimit të shtëpive.

    “200 auditor a sa janë në listë, asnjë nuk të len termin me arsyetimin se është i nxanë (e ka të plotësuar nr e lejuar) qysh në ditën e parë të hapjes së mundësisë së aplikimit! E aplikimi është i kushtëzuar me ardhjen e auditorit! Shumë jam kurioz me dite cila është asistenca që e jepni në këtë rast?, ka shkruar një komentues.

    “Listen e auditorëve është mirë me e shkrujt edhe prej cilit vend janë, se viset malore s’po munden me kontaktu me asnjë auditor”.

    Ka prej komentuesve që janë ankuar edhe për pyetjet e parashtruara, duke i cilësuar shumë të komplikuara.

    “500 pyetje bre i kishit qit aty”, “Ministre aq shumë e kishit komplikuar aplikimin”.

    “Asnjë përgjigje nuk jepni qe dy ditë”, ishin disa prej komenteve.

    Insajderi poashtu ka kontaktuar edhe me një prej auditorëve që janë në listë, i cili tha se është një situatë që nuk kanë faj as konsumatorët as auditorët, pasi siç tha ai, një auditorë e ka të caktuar sa konsumatorë me i marrë, pasi ti mbushet numri ai nuk merret më.

    Tutje A.G tha për Insajderin se auditorët janë të zënë edhe për shkak se janë në puna primare, ku pastaj si punë të dytë e bëjnë këtë.

    “Ne auditorët jemi në presion tjetër, psh unë ka ndodhur tre raporte i kam bo të gatshme edhe që i kam bo raportet s’kom mujt me apliku është dasht me ja kthy paret. Një raport merr kohë me e bo psh 2 orë deri të shkojsh në terren tani kur të kthehesh 4-5 orë i ki punë”, tha ai për Insajderin.

    Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me Ministrinë e Ekonomisë, mirëpo përgjigja e tyre ishte automatike.

    “I/e nderuar për informata në lidhje me thirrjen publike “Zbatimi i Masave të Efiçiencës së Energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, duhet t’i drejtoheni Fondit të Kosovёs pёr Efiçiencё tё Energjisё (FKEE).   Për të gjithë qytetarët që kanë paqartësi rreth çfarëdo aspekti të thirrjes, po listojmë më poshtë të gjitha format e informimit:  Fillimisht lexoni thirrjen e publikuar, në të cilën mund të qaseni direkt duke klikuar këtë link: https://shorturl.at/CTrOi  Për t’i marrë përgjigjet në pyetjet më të shpeshta, hapni listën e pyetje-përgjigjeve, duke klikuar në këtë link: https://shorturl.at/nfYV8  Nëse keni nevojë të kontaktoni direkt me stafin e FKEE-së, atëherë mund të telefononi në numrat si në vijim:  Në zyrën qendrore në Prishtinë: 038 223 777, 038 223 776 apo 0800 222 70 Në Zyrën rajonale në Mitrovicë të Veriut: 045 755 444. Ose shkruani e-mail në [email protected] apo [email protected], thuhet në përgjigjen e Ministrisë. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark