17:53 - 08 Prill 2021

Nijazi Kolgeci, nënkoloneli i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit është suspenduar nga puna me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Arbër Beka, zëdhënësi i IPK-së ka konfirmuar rastin për Gazetën Insajderi, me ç’rast ka bërë të ditur se rasti është përcjellë në Departamentin e Hetimeve.

“Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve ka pranuar informacionet e para lidhur me rastin në fjalë nga Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale në Gjilan. Pas pranimit të informacioneve, IPK ka pranuar rastin e kompletuar nga Policia dhe rasti është përcjellë në Departamentin e Hetimeve të IPK-së”, thuhet në përgjigjen e IPK-së dhënë Insajderit.

Tutje, Beka ka bërë të ditur se veprimet tjera do të ndërmirren në koordinim me prokurorinë kompetente.

“Me rekomandim të IPK-së zyrtari policor (nënkoloneli policor) është suspenduar. V​eprimet e tjera do të ndërmirren në koordinim me prokurorinë kompetente e cila ka autorizuar hetuesit të ndërmarrin veprime hetimore dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigje.

Sipas vendimit të IPK-së vazhdimi i suspendimit për Kolgecin erdhi për shkak se i njëjti është nën hetime për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, meqë organizoi dasmën e të birit gjatë pandemisë.

“Divizioni për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion më datë 6.4.2021, nga Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar autorizimin për ndërmarrjen e veprimeve hetimore në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414, paragrafi 3, nënparagrafi 3.2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, të Republikës së Kosovës, hetim i drejtuar kundër të dyshuarit nënkolonel Nijazi Kolgeci, në pozitën shef i Operativës Rajonale të Policisë në Gjilan, sepse ai më datën 4.4.2021 kishte organizuar dasmën në restorantin “Vali Ranch” në Gjilan, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për pandeminë dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në vendim. /Insajderi.org