×
  • Lajme
  • Insajderi

    Sveçla pas vendimit për targat e përkohshme: Qytetarët e Luginës së Preshevës do të kompensohen

    Insajderi
    20 September 2021 - 17:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhela Sveçla ka thënë se qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës do të kompensohen, pasi që ata preken nga vendimi për zbatimin e reciprocitetit në targa ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Ky vendim ka të bëjë me qarkullimin me targa të shtetit të Serbisë. Shumë shpejt në një kohë të përshtatshme do të ketë mekanizma të tjerë të cilët do ta kompensojnë çfarëdo dëmi që u bëhet bashkëkombësve tanë nga Presheva Bujanovci e Medevegja”, tha Sveçla në konferencë për media.

    Sveçla në një konferencë për media ka folur edhe një herë pas fillimit të zbatimit të reciprocitetit në targa ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se partnerët ndërkombëtarë kanë qenë të njoftuar për këtë vendim dhe se është bërë në koordinim me ta.

    Ministri ka thënë se gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë.

    “Në vazhdimësi sa i takon situatës së sigurisë ne angazhojmë të gjitha kapacitetet tona, dhe bashkëbisedojmë me dhe koordinohemi me të gjithë aleatët tanë. Edhe për këtë rast ata kanë qenë të njoftuar”, tha ai.

    Sipas tij ky vendim u mundëson drejtuesve të automjeteve që të qarkullojnë deri në 60 ditë.

    “Nga data 16 shtator asnjë veturë e pajisur me targa KS nuk ka të drejtë të lëviz në trafik dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore janë ato RKS”, shtoi ministri Sveçla.

    Sipas tij nga data 21 shtator përveç mundësisë së pajisjes së tyre me targa të përkohshme në kufi, qytetarët mund të pajisen edhe në të gjitha qendrat e regjistrimit të automjeteve në komuna.

    Ai tha se gjendja e sigurisë është e qetë, Polica e Kosovës ka marrë masat që të mos pengohet lëvizja e njerëzve dhe mallrave.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark