×
  • Lajme
  • Lajme

    Tahiri: BE-ja tha se muri do të rrënohet, Rakiq: Muri nuk rrënohet

    Insajderi
    08 December 2016 - 22:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës ka interpretuar komunikatën e Bashkimit Evropian e cila nëpërmjet zyrës për media ka kërkuar ë të garantohet lëvizja e lirë dhe e papenguar në pjesën ku serbët lokalë kanë filluar ndërtimin e një muri afër urës së lumit Ibër.

    “Të dy palët janë pajtuar për të harmonizuar dizajnin e projektit për rivitalizim të urës së Mitrovicës dhe për projektin e këmbësorëve në rrugën ‘Mbreti Petar’. Ato janë pajtuar që rrethrrotullimi në Mitrovicën e veriut të lidhet me rrugën e këmbësorëve ‘Mbreti Petar’ duke i lënë të gjithëve hapësirën e lirë për lëvizje, derisa ka adresuar shqetësimet mbi sigurinë në rrugë”,thuhet në një komunikatë për media të BE-së.

    E kjo sipas Tahirit, nënkupton heqjen edhe të murit dhe barrikadave.

    “Lëvizja e lirë krijohet pa mure e barrikada”, ka thënë Tahiri për Insajderin përmes mesazhit telefonik.

    Insajderi e ka pyetur Tahirin nëse ka ndonjë datë se kur pritet të hiqet muri i ndërtuar gjatë këtyre dy ditëve por nuk ka marrë përgjigje.

    Ndërsa kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq ka thënë për mediat serbe BE-ja nuk ka thënë se muri nuk do të rrënohet.

    Sipas shpjegimit të tij për takimin, palët janë pajtuar vetëm për ridizajnimin e murit.

    “Përkundër asaj që ministrja për dialog me Beogradin, Edita Tahiri përhap të pavërteta duke thënë se muri do të rrënohet, dhe me këtë për të satën herë e shkelë marrëveshjen e arritur, pala serbe është e kënaqur me pajtimin për ridizajnim, e cila e them bindshëm, nuk parasheh rrënimin e murit”, ka thënë Rakiq për Tanjugun,

    Në ndërkohë BE ka shkruar se do të mbesë në kontakt me dy palët për të siguruar implementimin e marrëveshjes së gushtit 2015 dhe implementimin e marrëveshjes nga gushti 2016 dhe ka mirëkuptim nga të dy palët që më 20 janar, afati i fundit, për rihapje të urës dhe të projektit për kthimin e “Mbretit Petar’ në rrugë të këmbësorëve të përmbushen./Insajderi.com

    Kthim në pikën zero – Barrikada, Parku i Paqes dhe Muri

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark