×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Të varur në fije floku

    Insajderi
    26 October 2016 - 21:14

    Dardan Zhegrova dhe Lola Sylaj janë dyshja që kanë fituar një nga çmimet më të rëndësishme në Kosovë sa i përket artit bashkëkohor: “Artistët e së nesërmes”. Ky çmim i ofron atyre një rezidencë në ShBA e përtej kësaj mundësinë për të shpërndarë konceptet e tyre përtej audiencës lokale.

    Sipas jurisë dyshja Dardan Zhegrova dhe Arberore Sylaj prezantuan një skulpturë konceptualisht dhe formalisht të fuqishme, duke shprehur ide komplekse rreth formimit të identitetit në një mënyrë të fuqishme dhe specifike dhe treguan ambicie për të prezantuar një vepër të re të krijuar, formalisht bindëse dhe të prekshme.

    Insajderi ka zhvilluar një intervistë me dyshen si tentim për të hapur një diskutim mbi atë se çka përfaqëson një gjeneratë e cila cilësohet si “e nesërme”.

    loladardan
    Jetmir Idrizi

     

    A ekziston e nesërmja në art, apo arti është një punë e përhershme kuptimi i të cilit evoluon në varësi të konteksteve sociale apo politike, apo asnjëra prej tyre?

    Lola&Dardan: Arti nuk ka kohë, mirëpo i referohet si e ardhme apo e nesërme për shkak të evouluimit personal që duhet të ndodhë tek një artist.

    Puna juaj artistike është e ndarë. Lola me “Haveit” dhe Dardani si Dardan. Çka i shtynë dy artistë të bëhen bashkë për të krijuar një punë të vetme?

    Lola&Dardan: Bashkëpunimi ka ardhur natyrshëm sepse ne njihemi qysh kur kemi qenë 13 vjecarë, e gjatë gjithë kohës kemi punu bashkë, kemi diskutu për gjëra të ndryshme dhe punët tona janë ndërtu prej imputit të të dyve – duke sfiduar dhe vendosur pikëpytje në qëndrimet tona personale.

    Pse çmimi “Artistët e së nesërmes” është i rëndësishëm sa ju të krijoni një vepër ekskluzivisht për një garë?

    Lola&Dardan: Çmimi ka rëndësi të veçantë për shkak të rezidencës dy mujore në New York si dhe mundësisë për të krijuar kontakte të reja në skenën ndërkombëtare. Puna është vazhdimësi e praktikës tonë artistike, dhe prezantimi i saj në “Artistët e së nesërmes” nuk është fillimi për ne, mirëpo një hap tjetër në hulumtimin tonë artistik. Vlen të përmendet që vendimi nga juria nuk është marrë vetëm në bazë të punës finale, por edhe në bazë të portfolios dhe CV-ve tona e gjithashtu praktikës dhe aktiviteteve që kemi pasur gjatë dy viteve të fundit.

    Në konceptin e veprës suaj, të titulluar “Kujtimet e mia gjemba të vjetër gërvishin qiellin”, ju shkruani se vepra “synon ta bëjë bashkë anën fizike me atë emocionale, dhe anën personale me atë publike”. Cili është efekti i kësaj ndërthurje në kërkimin tuaj artistik?

    Lola&Dardan: Nëse bazohemi edhe në punët e mëhershme si Lola me Haveit në punën “Kur baba kajke, nana mi lajke sytë”, dhe Dardani në “am I, if you”, por edhe në performancën “Nevojat e harrnuara” që bëri hapjen e DAM festivalit, fokusi jonë është tek influenca që individi e ka nga prindërit, familja dhe shoqëria në përgjithësi. Në këtë formë ne e vazhdojmë kërkimin rreth këtij ndikimi ku në punën “Kujtimet e mia gjemba të vjetër gërvishin qiellin” sjellim një “përkthim” të procesit apo nevojës personale për tu zhveshur nga këto imponime, në një skulpturë surealiste që bën bashkë kontekstin publik me atë personal.

    porta1

    Gjithashtu shkruani se “Qysh në fëmijëri individit në shoqëri fillojnë t’i imponohen disa ide të përkatësisë dhe më pas ato ide barten nga individi dhe ushtrohen si norma personale të sjelljes në shoqëri”. Si kanë ndikuar këto “ide” tek ju dhe identiteti juaj si artistë dhe a duhet artisti ta “mbys” këtë ndikim përpara se të jap një këndvështrim mbi këto ide?

    Lola&Dardan: Çka për ne është më e rëndësishme është që jo vetëm duhet ta mbysësh këtë ndikim, por është me rëndësi procesi dhe “akti i mbytjes”, pra mënyra se si trajtohet, cfarë influence ka në ty dhe vendosja e tyre në një kontekst më të gjerë në mënyrë që “mbytja” të bëhet publike.

    Duke u kapur tek koncepti artistik i veprës suaj, ju thoni se vepra “ka të bëjë edhe me procesin e pandalshëm të rritjes së flokëve karshi procesit të pandalshëm të dëshirës sociale për të arritur një qëllim, një synim, një cak”. Cili është synimi, qëllimi apo caku i një artisti?

    Lola&Dardan: Qysh edhe puna tregon që qëllimet apo synimet shkojnë paralelisht me rritjen e flokëve, që do të thotë se është proces i pandalshëm. Për ne është esenciale që t’i sfidojmë dhe t’i vendosim në pyetje rrethanat në të cilat gjendemi, pra një jo-konformizëm me atë që të servohet.

    Pse një portë me flokë të ngjitura në shtyllën transversale? 

    Lola&Dardan: Nëpërmjet punës ne dëshirojmë të shkojmë përtej ndarjes gjinore sepse besojmë që është vetëm konstrukt shoqëror i imponuar.

    Në një vështrim sipërfaqësor, porta e futbollit shihet si diçka  që i “imponohet burrave” ndërsa me flokët e gjata si diçka që i “imponohet femrave”? Qysh Dardani e sheh atë që i “imponohet femrave” dhe qysh Lola e sheh atë që i “imponohet burrave”?

    Lola:Floku biologjikisht përmbanë kujtesë (ADN) e neve çdo ditë në rrethana të ndryshmë na kujtojnë se çfarë gjinie kemi. Fillon në familje e vazhdon në shkollë ku do duhej të mësohej më shumë rreth barazisë gjinore. Profesorët shpesh herë ka ndodhë që kanë kërkuar nga djemtë të prejnë flokët dhe nga vajzat të rrisin flokët. Në këtë aspekt puna ngritë pyetje rreth imponimit të gjinisë, temë kjo që e kemi prekur edhe në punët e mëhershme. Mendoj se është vështirë të definohet diçka, e i gjithë procesi i punës me portën dhe flokët lidhet me këto definimime apo ide që imponohen vazhdimisht e që jo të gjithë ndihen rehat me to.

    Dardani: Hmm, kur kam qenë 15 vjeç prindërit më kanë shtyrë që t’i rris flokët, dhe për tri vite kam pasur flokë të gjata. Dmth nuk mendoj shumë që është vetëm tek femrat, dhe nuk mendoj se ka të bëjë me gjininë por më shumë me kulturën dhe stereotipin e një roli gjinor. Përndryshe flokët përdoren si dicka që prezanton një anë të karakterit apo imazhit që një person dëshrion të ndërtoj.

    porta2

    Shumë kritikë të artit e lidhin gjeneratën e re të artistëve me “depresionin” dhe temat që kanë të bëjnë me identitetin si një kërkim të vazhdueshëm. Sa e lidhni ju vetën me këtë pohim?

    Lola&Dardan: Periudha në të cilën jetojmë dhe veprojmë është shumë ngushtë e lidhur me internetin dhe komunikimin virtual, kjo besoj që ka ndikuar mjaft shumë në mënyrën se si njerëzit sot i përceptojnë gjërat. Ka të bëjë edhe me vetminë e ndoshta edhe depresionin si pasojë e shkëputjes fizike apo nevojës për të pasur dikë afër, normal që edhe ne bëjmë pjesë në këtë, por megjithatë gjithmonë kërkimi për të ndërtuar identitetin ka qenë aktual dhe proces i pandalshëm.

    Rezidenca në New York, a do të jetë një kërkim artistik si dyshe apo do të ndaheni në kërkimet tuaja?

    Lola&Dardan: Residencën e kemi së bashku, kështu që do e vazhdojmë bashkëpunimin, mirëpo normal që çdo eksperiencë të ndikon personalisht dhe inspirimi është personal, mirëpo do ta transofrmojmë në punë të përbashkët. /Insajderi.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark