Teknologjia e re gjysmë automatike për pozitë jashtë loje, do të përdoret në Botërorin “Katar 2022”. Lajmin e ka konfirmuar kreu i Komitetit të Arbitrave të Federatës Botërore të Futbollit (FIFA), Pierluixhi Kolina.
Teknologjia e re për pozitat jashtë loje, do të reduktojë kohën e vendimit nga 70 në vetëm 25 sekonda dhe do të plotësojë “VAR”-in, i cili do të përdoret për të gjitha situatat e tjera të kontestuara.
Është një sistem me 12 kamera dhe një sensor në top, i cili do të dërgojë 500 të dhëna në sekondë dhe do të përcaktojë saktësisht se kur goditet topi dhe kamerat do të regjistrojnë pozitën jashtë loje me sinkronizim 100% dhe do të marrin shpejt një vendim.
“Ky është një hap shumë pozitiv. Teknologjia për Kupën e Botës është gati”, tha Kolina.
Teknologjia e re është përdorur tashmë në Kupën Arabe dhe Kupën e Botës për Klube, si një projekt pilot përpara se të miratohej. Kujtojmë se Botërori në Katar, nis më 21 nëntor dhe mbyllet më 18 dhjetor.