×
  • Sport
  • Sport

    Ten Hag “mburret” në Holandë: United bënte merkato të dobët, i mungonte mentaliteti

    Insajderi
    07 January 2023 - 17:37

    Manchester United duket se është rikthyer në rrugën e duhur dhe falë katër fitoreve radhazi, “Djajtë e Kuq” janë ngjitur në vendin e katërt në tabelën e klasifikimit. Trajneri Erik ten Hag është i lumtur me paraqitjen e skuadrës ndërsa në një intervistë për prestigjiozen holandeze, Voetbal theksoi se drejtuesit e klubit në të kaluarën kishin gabuar me merkaton duke transferuar lojtarë mesatarë. Nga ana tjetër, tekniku holandez shtoi se në fillimin e sezonit, iu desh që të punonte shumë me mentalitetin pasi United nuk i trembte kundërshtarët në fushë.

    “Te Manchester United kishte humbur diçka shumë e rëndësishme, kundërshtarët nuk e kishin më frikë këtë skuadër. Nuk kishte shpirt skuadre në fushë, mungonin dinamikat dhe mentaliteti nuk ishte i duhuri. Unë e kisha vënë re këtë edhe kur e ndiqja United si i jashtëm dhe kjo më pas ishte shumë e dukshme kur mora drejtimin e skuadrës. mjafton të shohësh historinë e klubit, si u bë Manchester United i madh? Patjetër që kishin ndikim lojtarët me mentalitetin e duhur.

    Në vitet e fundit janë afruar shumë lojtarë, por ishin të nivelit mesatar. Nuk mund të luash për United nëse je i nivelit mesatar, fanella e kësaj skuadre është shumë e rëndë. Vetëm personalitete që mund të performojnë në presion të jashtëzakonshëm mund të luajnë për United. Ne na duheshin lojtarë të tillë dhe prandaj afruam një si Casemiro.

    Së bashku me Varane, ai është nga ata që ka eksperiencë në të fituarit tituj. Po ashtu Malacia, Antony, Martinez janë të gjithë luftëtarë ndërsa Eriksen ka kualitet teknik dhe një personalitet të mrekullueshëm. Ne kërkojmë më të mirët dhe kushdo që vjen te United duhet të plotësojë standartet më të larta”, u shpreh Ten Hag.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark