16:56 - 06 Qershor 2022

Një tender prej 17 mijë eurosh i është dhënë kompanisë “Lex Business” nga Ministria e Drejtësisë e drejtuar nga Albulena Haxhiu. 50 për qind të aksioneve në këtë firmë i ka Vjosa Shkodra, zëvendës shefe e aktivitetit të USAID-it Drejtësia Komerciale që ndihmon Ministrinë e Drejtësisë. Insajderi e ka përcjellë nga fillimi këtë tender, dhe sjell detajet se si erdhi deri te shpërblimi më të për kompaninë e Shkodrës.

Visar Duriqi

Ishte qershori i vitit 2021 kur Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu kishte njoftuar publikun në profilin e saj në Facebook se ka proceduar ligjin për Themelimin e Gjykatës Komerciale. “Lajm Fantastik”, ishte mbishkrimi me të cilin atë status do ta shpërndante Vjosa Shkodra, zëvendës shefe e aktivitetit të USAID-it Drejtësia Komerciale që ndihmon Ministrinë e Drejtësisë.

Katër muaj më vonë, Vjosa Shkodra e Njomëza Zejnullahu Ahmeti do të regjistronin kompaninë private “Lex Business SH.P.K.”. secila mban nga 50 përqind të aksioneve në të, derisa si aktivitet primarë e kanë “aktivitetet juridike”.

Ministria e Drejtësisë, me kërkesë të Avokaturës Shtetërore do të inicionte tenderin “Shërbime – ekspertiza, Ligjore, Financiare, Ekonomike (bankare), për procedurën e arbitrazhit”.

Disa kompani ishin në garë, dhe tenderi qëndroi për disa javë i hapur. Në fund, dy nga tri pjesët e këtij tenderi i fitoi firma “Lex Business SH.P.K.”. Vlera e pjesëve që iu dhanë kompanisë ku 50 përqind të aksioneve i ka Vjosa Shkodra arrin në afro 17 mijë euro.

Projekti ku Vjosa Shkodra është zëvendës shefe, pra aktiviteti Drejtësia Komerciale është një aktivitet me të cilin USAID e mbështet Ministrinë e Drejtësisë në reforma ligjore. Pos Shkodrës, në këtë aktivitet direkt është e përfshirë edhe ortakja tjetër e biznesit që fitoi tenderin po nga Ministria e Drejtësisë, po për arbitrazhin- një fushë e drejtësisë komerciale. Ortakja tjetër me 50 përind në firmën fituese, “Lex Business SH.P.K.”, është Njomëza Zejnullahu, Këshilltare e Lartë Ligjore në Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale.

Lidhja e dy ortakeve të biznesit fitues të tenderit me aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë

Insajderi ka pritur për një javë përgjigje nga kompania fitues, “Lex Business SH.P.K.” për të marrë një koment nga ta nëse vet kompania sheh konflikt interesi pasi që të dyja ortaket janë direkt të përfshira në një aktivitet që e ndihmon ministrinë ku fituan tender, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje.

USAID që ka krijuar këtë aktivitet për ta mbështetur Ministrinë e Drejtësisë i ka thënë Insajderit, se të njëjtin e ka nën-kontraktuar.

“Vjosa Shkodra mban pozitën e zëvendës shefes në aktivitetin Drejtësi Komerciale që implementohet nga “Dexis”, një kompani e kontraktuar nga USAID për të dhënë shërbime që nevojiten në realizimin e këtij aktiviteti. Kështu që USAID nuk ka raport direkt punëdhënës-punëmarrës me individët dhe së këndejmi pyetjet tuaja duhet të shkojnë tek kontraktori”, ka thënë për Insajderin Xheraldina Cernobregu nga USAID.

Insajderi e ka kontaktuar edhe kompaninë “Dexis”, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur ende pyetjeve të gazetës.

Ministria e Drejtësisë nuk e komenton mundësinë për konflikt interesi

As në Ministrinë e Drejtësisë që drejtohet nga Albulena Haxhiu nuk kanë komentuar nëse në këtë rast mund të ketë konflikt interesi, duke ditur që dy pronarët e firmës fituese janë pjesë e një aktiviteti që ndihmon po këtë ministri.

Në këtë Ministri vetëm kanë shpjeguar tashmë atë që dihet, se si është shpallur ky tender.

“Duke u bazuar në kërkesat e firmave ligjore të kontraktuara për përfaqësim në Arbitrazhin Ndërkombëtar, Avokatura Shtetërore ka filluar procedurën e hapur të prokurimit për shërbime – ekspertiza nga e drejta kushtetuese, civile dhe ligjore – për tri llote. Nga operatoret ekonomik që kanë aplikuar për tender, Komisioni ka përzgjedhur operatorin që i ka plotësuar kushtet për hartimin e ekspertizave për dy llote dhe atë ekspertizë nga e drejta kushtetuese dhe civile. Ndërsa për ekspertizën ligjore nuk është përzgjedhur asnjë operator dhe është anuluar ky llot”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Media të Ministrisë së Drejtësisë.

Sipas tyre, procedurat e prokurimit, me kërkesë të Avokaturës Shtetërore, zhvillohen nga Divizioni i Prokurimit, pasi të jetë siguruar buxheti i nevojshëm nga Divizoni i Financave.

“Avokatura Shtetërore inicion këto procedura, si mekanizëm i pavarur, sipas nevojave dhe kërkesave që paraqiten në procedura të Arbitrazhit Ndërkombëtar ndërsa për hapat e ndërmarruara procedurale – profesionale nuk raportohet as nuk kërkohet miratim nga Kabineti”, thuhet tuitje në përgjigje.

Pak kohë para se biznesi privat, “Lex Business SH.P.K.” në pronësi të Vjosa Shkodra e Njomëza Zejnullahu Ahmeti të fitonte tenderin prej afro 17 mijë eurosh nga Ministria e Drejtësisë,  Qendra për Edukim Profesional e Institutit të Kosovës për Drejtësi në bashkëpunim me Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale kishin organizuar punëtorinë e parë për grupin e tretë të studentëve të Klinikës Ligjore.

Tema e trajtuar përgjatë kësaj punëtorie ishte “Rëndësia e Drejtësisë Komerciale”,  e ligjëratat i mbajtën dy pronarët e firmës “Lex Business SH.P.K.”  të prezantuara aty  Vjosa Shkodra në cilësinë e Zëvendës Drejtoreshë e Programit të USAID-it Drejtësia Komerciale dhe ortakja e saj, Njomëza Zejnullahu, Këshilltare e Lartë Ligjore në Programin e USAID-it Drejtësia Komerciale./GazetaInsajderi