×
  • Lajme
  • Insajderi / Ballina 5

    Tërnava mbajti ligjëratë, i vërsulet Mehmet Krajës, por asnjë fjalë për Behar Mjekiqin

    Insajderi
    25 December 2022 - 15:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava iu kundërpërgjigj kryeakademikut Mehmet Kraja, për analizën e tij të publikuar në Akademinë e Shkencave të Kosovës. Por, i njëjti nuk tha asnjë fjalë për hoxhë Behar Mjekiqin, i cili është raportuar se ka sulmuar fizikisht të dashurën e tij. Tërnava iu vërsul Krajës në ligjëratën e xhumasë. Po në atë ditë Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje tek Bashkësia Islame e Kosovës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

    Gazeta Insajderi

    Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava nuk e ka komentuar rastin e hoxhë Behar Mjekiqit, i cili u denoncua për dhunë ndaj të dashurës së tij të martën e 20 dhjetorit.

    Mjekiqi, i cili është kryetar i BIK-ut në Obiliq, e kishte larguar nga shtëpia të dashurën me të cilën kishte qenë duke bashkëjetuar. Më pas ajo e kishte denoncuar imamin në polici për dhunë në familje.

    Lidhur me rastin e dhunës të hoxhë Mjekiqit, organet e drejtësisë tanimë veçse kanë filluar të merren, për të cilin janë ngritur dyshimet se me ndihmën e komandantit të policisë atje e ka mbyllur rastin.

    Në ligjëratën e ditës së ‘xhuma’, kryetari i BIK-ut, Tërnava zgjodhi që si temë diskutimi të mos e ketë dhunën ndaj grave. Ai zgjodhi t’i kundërpërgjigjet kryeakademikut Mehmet Kraja.

    Nga xhamia e fshatit Revuq të Podujevës, Tërnava tha se Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës nuk nuk e njeh, nuk e di dhe nuk e ka studiuar fenë islame.

    Kreu i BIK e vlerësoi si tendencioze analizën e Mehmet Krajës sa i përket fesë islame dhe në përgjithësi myslimanëve shqiptarë të Kosovës.

    Çka shkroi Kraja për islamin në analizën e tij

    Në analizën e tij “Synimet destabilizuese në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor”, Kraja shkroi rreth islamit dhe të konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.

    Ai thekson se shqiptarët e krishterë u konvertuan në myslimanë me dhunë sistematike nga ana e Perandorisë Osmane.

    Kraja kishte shkruar poashtu se kosovarët dhe shqiptarët në përgjithësi “përqafuan bektashizmin”.

    Kreu i ASHAK-ut shkoi edhe më tutje, ai i cilësoi myslimanët e Kosovës si radikalë që u përdorën nga Serbia për qëllime politike.

    Pas publikimit të analizës, Kraja ka marrë kritika të shumta, të cilat e kanë shtyrë atë që ta redaktojë tekstin, duke hequr prej tij pjesët ku janë përmendur ish-presidenti Hashim Thaçi dhe politikani shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti.

    Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark