×
  • Lajme
  • Aktuale

    Testimi i mësimdhënësve/ SBAShK pajtohet por me një kusht

    Insajderi
    25 April 2023 - 10:42

    Ministria e Arsimit tha se mësimdhënësit do t’i nënshtrohen një numri vlerësimesh, që do t’ju mundësojë atyre ngritjen në karrierë por edhe paga më te mëdha. Por, MAShT tha se vlerësimi do të bëhet nga drejtorët e shkollave dhe Inspektorati i Arsimit.

    Një kohë të gjatë përplasjet ndërmjet Ministrisë dhe mësimdhënësve u zhvilluan për nivelin e vlerësimit dhe këta të fundit kundërshtuan çdo mundësi të testimit të tyre me shkrim. Drejtori i shkollës “Asim Vokshi”, Nazif Jashari, tha se një tjetër vlerësim që ndërlidhet me gradim është i pranueshëm.

    “Mësimdhënës të karrierës, mësimdhënës i avancuar, mësimdhënës mentor dhe mësimdhënës i merituar, këto janë katër nivele ose grada të gradimit të licencimit të mësimdhënësve që faktikisht këto mësimdhënës e presin shumë me kënaqësi për arsye se kjo ndikon drejtpërdrejt në ngritjen e pagës, gjegjësisht ndikon edhe në ngritjen e nivelit të performancës së mësimdhënies dhe mësimnxënies”, tha ai.

    Për Sindikatën e Arsimit testimi i mësimdhënësve është nënçmues. Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jashari thotë se vlerësimi për gardim është i pranueshëm dhe atij do t’i nënshtroheshin vetëm mësimdhënësit që dëshirojnë ta sfidojnë veten.

    “Gradimi do të ndikojë shumë pozitivisht në ngritjen e cilësisë në arsim sepse krijon një garë të brendshme mes mësimdhënësve, krijon një angazhim dhe nevojë që ata të jenë të përgatitur maksimalisht për profesionin e tyre dhe po them ky gradim nëse vërtet fillon me kohë dhe arrihet, do t’i sjellë vetëm të mira arsimit të Kosovë sepse cilësia, duke u bërë kjo garë për tu përballur me sfidën që e caktojnë kriteret për gradim, do të ndikojë që mësimdhënësi të jetë akoma më i përgatitur”, tha ai.

    Për, Rinor Qehajën nga Instituti EdGuard, vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është i domosdodhëm por nuk duhet të shihet si ndëshkim për ta.

    “Ajo që shpresojmë shumë të shohim është një vlerësim performance kryesisht të bazuar në shkollë, jo shumë nga vlerësime formale të jashtme por vlerësim brenda komunitetit si përkrahje i komunitetit për çdo mësimdhënës. Në të njëjtën kohë ky vlerësim duhet të jetë i lidhur me gradimin e mësimdhënësve në licenca që të na shërbej edhe si një incentivë e mirëfilltë financiare për performancë më të mirë por edhe dallim brenda komunitetit të mësimdhënësve”, tha Qehaja.

    Vlerësimi dhe përformanca e mësimdhënësve është një problem i kamotshëm në sistemin e arsimit në Kosovë por deri më tani nuk ka pasur ndonjë iniciativë për zgjidhjen e këtij problemi.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    29 March 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark