Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka marrë pjesë në takimin e Grupit Punues, i cili është themeluar për të rishikuar dhe amendamentuar Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se qysh në fillim të marrjes së mandatit si president, ka kërkuar ndryshim dhe plotësimin e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.
“Këtë gjë e kam kërkuar në funksion të rishikimit të legjislacionit të drejtësisë penale me qëllim të plotësimit të infrastrukturës ligjore në fushën e drejtësisë penale dhe eliminimin e zbrazëtive dhe mangësive ligjore në këtë fushë”, ka thënë presidenti para Grupit Punues i themeluar për rishikimin e këtyre kodeve.
Ai ka thënë se rreziqe të përmasave globale, siç janë terrorizmi dhe krimi i organizuar, kërkojnë infrastrukturë ligjore më të fuqishme në funksion të lehtësimit të punës së institucioneve zbatuese që t’i luftojnë këto dukuri.
“Si President i Republikës së Kosovës, e kam potencuar disa herë prioritetin që ka Kosova në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, ka shtuar ai, duke kërkuar nga Grupi Punues që t’i kushtojë vëmendje të veçantë dispozitave që kanë të bëjnë me veprat penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Me këtë rast, ai ka bërë thirrje që të bëhen ndryshimet e nevojshme që institucionet zbatuese të kenë kompetenca më të fuqishme për të goditur krimin, me qëllim të fuqizimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
“Dua të ritheksoj edhe njëherë përkushtimin tim si president i vendit për të mbështetur çdo iniciativë që vjen nga institucionet e Republikës së Kosovës për të fuqizuar kornizën ligjore, për luftimin e krimit në përgjithësi, por krimit të organizuar dhe korrupsionit në veçanti”, ka thënë ai, njofton zyra për media e Presidencës.
Thaçi ka shprehur besimin se iniciativa të tilla si kjo e ndryshim-plotësimit të legjislacionit penal, tregojnë se Kosova është shumë serioze dhe e vendosur për të luftuar krimin dhe për të fuqizuar sundimin e ligjit./Insajderi.com