×
  • Lajme
  • Insajderi

    Thanë se ishte kërkesë për t’u renovuar rruga – Organizata e Çiklistëve e demanton Komunën e Prizrenit: S’ishte kërkesë e jona, ishte interes i juaji

    Insajderi
    15 October 2022 - 18:12
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Disa fotografi të publikuara në rrjetin social Facebook, nga gjendja në rrugën Kala-Pashaçeshme në Prizren ngjallën shqetësim tek shumë qytetarë të kësaj ane.

    Akuza të njëpasnjëhëshme u panë nga opozita dhe organizatat e bjeshkatarëve dhe biçiklistëve për ndalimin e këtyre punimeve, për të cilat thuhej se nuk dihet se çfarë po punohet.

    Gazeta Insajderi ka kontaktuar zyrtarët në Komunën e Prizrenit. Nga Drejtoria për Shërbime Publike kanë thanë se kanë intervenuar në atë rrugë pasi që ia ka kërkuar Organizata e Çiklistëve, për të renovuar rrugën që është dëmtuar.

    Drejtoria e Shërbimeve Publike pas një takimi me Organizatën e Çiklistëve të cilët kanë shprehur shqetësimin se shtegu i biçikletave së bashku me rrugën është shumë i dëmtuar dhe kërkojnë nga drejtoria që të intervenojë në renovimin – sanimin e rrugës Kala-Pashaçeshme. Me këtë rast drejtoria ka dhënë urdhëresë operatorit ekonomik për intervenim në këtë aks rrugor”, ka thënë Çelë Lamaj, Drejtor i Shërbimeve Publike në Prizren.

    Por, në kundërshtim me këtë deklaratë të drejtorit Lamaj, janë postimet e Organizatës së Biçiklistëve “G 04 Rider”.

    Përmes një postimi në Facebook, grupi që përfaqson çiklistët e Prizrenit ka thënë se kjo nuk është kërkesë e tyre dhe se tashmë ky shteg nuk mund të shfrytzohet më.

    Kerkoj nga ana e Komunes se Prizrenit qe te mos publikoj lajme te rreme rreth kerkesave tona, sepse ky shteg tani me nuk mund te shfrytezohet aspak, se kesi kerkesa nuk mund te parashtroj asnje organizate e çiklisteve. Per shkak te kesaj, Komuna e Prizrenit ka humbur mundesine e pjesemarrjes me guidat nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Shqiperia dhe mbare Evropa.Shtigjet, parqet nuk jane individuale, jane te qytetareve!”, thuhet në postimin e G 04 Riders.

    Ndërsa, në një postim tjetër të kësaj organizate thuhet se kjo është bërë nga Komuna e Prizrenit për interesa private, dhe kanë kërkuar të mos ua shkatërrojnë atë pjesë.

    Kjo nuk eshte rregull i shtegut, kjo eshte prishje e shtegut te riparueshem!  Shtegu i çiklisteve nuk duhet te jete autostrade, por shteg! Andaj, kjo nuk ishte kerkese e jonja, por pune e juaja per interesa private! Ju lutemi ndergjoni kerkesat tona dhe mos shkaterroni te vetmen qe posedojme”, thuhet ndër të tjera në postim.

    Kurse, nga Shoqata e Bjeshkatrëve “Sharri”, kanë bërë thirrje të ndalen punimet dhe të mos shkatrrohet natyra në atë zonë.

    Apel për ndaljen e degradimit dhe shkatërimit të pasurisë natyrore të qytetit  të Prizrenit. Shtegu dhe vendi më ikonik mbi Kalanë e qytetit, Kroi i Pashës, dhe pylli shekullor me pisha përreth tij këto ditë po vazhdon të shkatërohet pa mëshirë.Nëse kjo do të vazhdojë ky do të jet një KRIIM të cilin gjeneratat e ardhshme nuk do të na falin”, thuhet në postimin e SHB “Sharri”.

    Asamblisti nga rradhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Selman Sokoli, ka thënë për Insajderin se çdo sqarim i komunës po bie ndesh me reagimet e Shoqatës së Bjeshkatarëve dhe atë të Çikilstëve.

    Ne nuk i dijmë synimet e vërteta të komunës, sepse ata kanë qenë shumë kontradiktor në shpjegimet e tyre publike. Cdo shpjegim apo sqarim i radhës binte ndesh me atë paraprak. Janë thirrë në kërkesën e Shoqatës së Bjeshkatarëve dhe atë të Çikilstëve, por dyjat bashkë e kanë mohuar që kjo ndërhyrje është bërë me kërkesën e tyre“, u shpreh ai.

    Tutje, ai thotë se Qeverisja e PDK’së nuk ka treguar nëse është duke ndërtuar ndonjë projekt aty.

    Komuna nuk ka prezentu ndonjë projekt që po e ndërton aty, përveq punëve në zgjerim të rrugës që po e cilësojnë si rregullim të shtigjeve të çiklistëve, e në fakt edhe vetë Shoqata e Çiklistëve është ankuar se nga punimet e Komunës është dëmtuar shtegu, që këta pretendojnë që intervenimi ishte bërë për ta rregulluar; është dëmtuar edhe rruga malore; janë dëmtuar edhe kërcimoret që janë atraksion i shtegut të biçikletave“, ka thënë Sokoli.

    Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se e kanë ngritur këtë çështje si shqetësim në Kuvendin Komunal.

    Florent Ukaj, asamblist nga LDK, tha për Insajderin se kanë kërkuar të mos ketë degradim dhe të merren parasysh të gjitha vrejtjet që janë dhënë nga shoqatat dhe nga qytetarët.

    Këtë shqetësim e kemi pas edhe na si kuvendar dhe opozit ne kuvendin komunal dhe e kemi ngrit si shqetësim. Në atë seancë drejtoria për shërbime publike ka dal me sqarim se aty për shkak të reshjeve të shumta është dëmtuar shtegu dhe vetem po riparohet si rrugë dhe nuk do të ketë dëmtime të shtegut dhe rrugës. Ne kemi kërku që të kenë kujdes me natyrën mos të ketë degradim dhe te merrën në konsideratë të gjitha vërejtjet që janë dhanë nga shoqatat të ndryshme dhe nga qytetaret“, deklaroi Ukaj për Insajderin.

    GAZETA INSAJDERI

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark