20:27 - 26 Nëntor 2022

Është e vështirë të kujtohet kur një ndeshje e kombëtares së Anglisë shkaktoi kaq shumë zemërim publik ndaj trajnerit Gareth Southgate, siç ndodhi mbrëmë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës në raundin e dytë të Kupës së Botës.

Pavarësisht paraqitjes së dobët të Anglisë mbrëmë kundër SHBA-ve, tifozët, si dhe disa media britanike, janë të zemëruar me vendimet e zëvendësimit të Southgate.

Edhe pse Anglisë i mungonte kreativiteti, ai vendosi të linte Phil Foden në stol dhe të mos hidhte në fushë sulmuesin e madh të Manchester Cityt dhe ndoshta lojtarin më në formë nga të gjithë anglezët. Foden po shkëlqen në një klub kaq të fortë, por ai nuk merr asnjë minutë nën drejtimin e Southgate.

Është vërtet e vështirë të shpjegosh pse Southgate e “dënon” Fodenin, veçanërisht kur skuadra nuk po shkon mirë.

Për shkak të kësaj, Southgate u përball me sulme të ashpra në mediat sociale. Tifozët, por edhe disa media, u tronditën nga vendimi për të mbajtur në stol një lojtar të tillë dhe shumë tifozë theksojnë se trajneri i Anglisë po shkatërron futbollistin më të talentuar dhe më të fuqishëm të këtij brezi.

“Mendova se ishte mirë të mbaja të njëjtin ekip që në fillim, si kundër Iranit. Ne menduam se nuk ishte mirë që Phil të luante në mes, sepse ai nuk luan as te City në atë pozicion. Hodhëm në fushë Rashford dhe Grealish. Menduam se Jack do ta ruante mirë topin dhe se Marcus do të ishte një kërcënim në fund me shpejtësinë e tij”, theksoi Soutghate pas ndeshjes.

Anglia tani ka katër pikë para xhiros së fundit me Uellsin dhe nuk ka një situatë kaq komode sepse të gjitha skuadrat mund të shkojnë më tej.