×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Trajtimi i rasteve të dhunës seksuale, Kurti: Institucionet të mos i hedhin fajin njëra-tjetrës

    Insajderi
    05 December 2022 - 14:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se dhunuesit e abuzuesit në shumë raste nuk kanë marrë dënimet e merituara. Edhe në rastet kur viktimat raportojnë dhunën, Kurti tha se institucionet nuk i kanë kryer e zbatuar obligimet ligjore.

    Kështu ka deklaruar ai gjatë lansimit të protokollit shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale. Ministrja Albulena Haxhiu deklaroi se nga viti 2019 janë shënuar mbi 300 raste të dhunimeve seksuale.

    Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti ka thënë se jo rrallëherë sistemi i drejtësisë ka pësuar nga brishtësia e vet, në mungesë të mekanizmave të mirëfilltë të cilët përcaktojnë fushëveprimet ku adresohen lëndët përkatëse.

    “Protokolli shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale është një dokument pune për tu përdorur nga të gjitha institucionet përgjegjëse për trajtimet e rasteve së dhunës seksuale. Ky protokoll shtetëror synon të qartësojë të gjitha institucionet përgjegjëse se nuk ka rëndësi nëse viktima apo e mbijetuara kontakton së pari me urgjencë, denoncon rastin në polici, kontakton me mbrojtësin e viktimave, apo kërkon ndihmë në qendrën e specializuar të shërbimeve për gratë e dhunuara.

    “E rëndësishme është që pavarësisht se cili institucion merr informacionin i pari për rastin, duhet të fillojë trajtimin me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm dhe duhet të përmbushen të gjitha nevojat specifike të viktimave, nëpërmjet qasjes shumë sektoriale e të koordinuar”, ka thënë Kurti.

    Sipas tij, qëllimi kryesor i këtij protokolli është standardizimi i veprimeve të nevojshme për një reagim të vazhdueshëm, gjithëpërfshirës e me përgjegjshmëri për mbrojtjen, identifikimin, fuqizimin dhe riintegrimin e viktimave.

    “Nuk mund të lejohen papërgjegjësi të tilla, ku institucionet i hedhin fajin njëra-tjetrës për mosveprim dhe gjithashtu shmangin përgjegjësitë apo neglizhojnë thirrjet e viktimave të dhunës, kur ato trokasin në dyert e institucioneve. Shpeshherë në rastet e paraqitura, institucionet nuk i kanë kryer e nuk i kanë zbatuar obligimet ligjore, duke i lënë viktimat pa trajtimin që u takon dhe që ato e meritojnë. E po ashtu në raste të këtilla, dhunuesit dhe abuzuesit nuk e kanë marrë dënimin e merituar”, ka shtuar Kurti.

    Kurti shtoi se viktimave u takon përkrahja institucionale, shëndetësore e psikologjike.

    Në lansimin e protokollit shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale, Kurti tha se përfshin të gjitha detyrimet për mbrojtjen e menjëhershme të viktimës.

    “Protokolli përfshin zbatimin e të gjitha detyrimeve të parashikuara ligjërisht për mbrojtje të menjëhershme të viktimës, si dhe shërbimet gjithëpërfshirëse: Marrjen e pëlqimit të informuar, ofrimin e përkthyesve të gjuhës, interpretëve të gjuhës së shenjave në rast nevoje, trajtimin në ambiente të përshtatshme miqësore, ofrimin e infrastrukturës së plotë që mundëson qasjen e personave me nevoja të veçanta, ofrimin e shërbimeve të profesionistëve të së njëjtës gjini me viktimën si dhe shmangien e lodhshme të intervistimit të shumëfishtë”, tha Kurti.

    Me miratimin e këtij protokolli, shefi i ekzekutivit theksoi se përpilimi i dokumentit mundëson dhe lehtëson punën për ta eliminuar dhunën seksuale ndaj grave.

    E, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se protokolli shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale është një nga dokumentet më të rëndësishme që ka hartuar Ministria e Drejtësisë.

    “Të dhënat e viteve të fundit në Kosovë tregojnë për një rritje të rasteve të dhunës seksuale. 311 raste të ekzaminuara në Institutin e Mjekësisë Ligjore, vetëm për periudhën 2019-2021. Të dhënat gjithashtu tregojnë një numër të konsiderueshëm të fëmijëve, vajza e djemtë të kësaj forme të dhunës, krahasuar me numrin e të rriturve. Ndërsa, në numrat e rritur janë gratë ato që me përqindje më të lartë lajmërojnë apo kallëzojnë një incident të dhunës seksuale, krahasuar me burrat”, ka thënë Haxhiu.

    Më tej, ministrja Haxhiu është zotuar se do të vazhdojë përpjekjet për zvogëlimin e rasteve të dhunës seksuale.

    Haxhiu: Ajo çfarë i jep vlerë këtij mjeti është përllogaritja e kostove financiare bazuar në nevojat përkatëse

    “Ajo çfarë i jep vlerë këtij mjeti mjaft të rëndësishëm në punën e përditshme institucionale është përllogaritja e kostove financiare bazuar në nevojat përkatëse që e kthejnë këtë protokoll në një mjet të zbatueshëm realisht. Dhe që të arrihet kjo është detyrë e secilit institucion përgjegjës që për nevojat që ka për të praktikuar detyrimet dhe përgjegjësitë e mirë-përcaktuara në protokoll, të përkthejnë kostot financiare me buxhete të planifikuar e të alokuara në shpenzimet e realizuara”, ka shtuar ajo.

    Shefi i misionit të EULEX-it të Kosovë, Lars Gunnar Ëigemark tha se 85 për qind të dhunës seksuale të raportuara kanë qenë gra nën moshën 18-vjeçare.

    “85 për qind e dhunës seksuale të raportuara kanë qenë gra nën moshën 18-vjeçare. Mirëpo, ka edhe burra e djemë të cilët kanë qenë pjesë e kësaj dhune seksuale apo viktimë, mirëpo nuk janë raportuar për shkak të stigmatizmit meshkujt më pak duan që të raportojnë dhe sidomos komuniteti LGBTI hezitojnë të raportojnë dhunën seksuale. Dhe për shembull grupeve të ndryshme të cenueshme, djemve e vajzave të rinj është vështirë për ta që të raportojnë, ose personave që kanë probleme shëndetësore e mendore që e kanë të vështirë të klasifikojnë se çfarë ka ndodhur me ta. 228 raste janë klasifikuar si dhunim për këto vjet, një numër i vogël i këtyre rasteve ka arritur deri në seanca gjyqësore dhe kanë marrë një vendim gjyqësor”, ka deklaruar ai.

    Lansimi i protokollit shtetëror për trajtimin e rasteve të dhunës seksuale po bëhet në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me baza gjinore.

    Gjatë këtyre ditëve janë vrarë dy gra, ku dyshohet se janë viktima të bashkëshortëve të tyre

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark