KB Trepça është kualifikuar në finalen e turneut të Superkupës Mbarëkombëtare. Në duelin gjysmëfinal të luajtur të mërkurën mbrëma në palestrën “Minatori”, Trepça ka triumfuar ndaj Golden Eagle Yllit me shifrat 72:68.
Ylli ishte fitues në fuqi i këtij turneu që sezonin e shkuar u mbajt në Shqipëri.
Me këtë humbje, Ylli ka konfirmuar krizën që po e kalon këtë edicion pasi ka regjistruar disfatën e gjashtë në po aq ndeshje të luajtura në të gjitha garat. Skuadra e Trepçës ka qenë më e mirë se Ylli në dy çerekët e parë, të cilët i ka fituar me katër, përkatësisht tri pikë. Në pushimin midis pjesëlojëve, Trepça është shkuar me shifrat 42:35.
Në periudhën e tretë Ylli arriti ta shkrijë epërsinë e krijuar të Trepçës duke e mbyllur me shifrat 57:57. Në çerekun e fundit, rezultati ishte i ngushtë dhe asnjëra skuadër nuk lejonte shkëputjen e tjetrës. Finishi i takimit, sidomos tre minutat e fundit ishin shumë dramatike.
Ylli arriti ta barazojë rezultatin në 68:68, por Trepça sërish u shkëput me trepikëshin e realizuar nga Mikaile Tmushiq, i cili ishte pjesë e ekipit nga Suhareka sezonin e shkuar.
Pas kësaj pasuan tentimet e paskta Yllit e dështuara të Yllit për të barazuar rezultatin, përpara se Drilon Hajrizi të shënonte njërën prej dy gjuajtjeve të lira kur kishin mbetur edhe 20-të sekonda për t’i dhënë fund dilemës së fituesit. Hajrizi ishte më efikasi te Trepça me 18 pikë të shënuara e tetë kërcime, ndërsa Erjon Kastrati shtoi 12 sosh. Te Ylli, u veçua Henrik Shirko me 19 pikë e shtatë kërcime. Në finale të këtij turneu që po mbahet në Mitrovicë, Trepça do të takohet me skuadrën e Tiranës.
Tirana është kualifikuar në finale pa lojë, pasi Teuta e Durrësit, ekip me të cilin edhe dashur të përballet në gjysmëfinale është tërhequr nga pjesëmarrja.
Dy ditë para këtij turneu, Teuta njoftoi tërheqjen me arseytimin se një pjesë e basketbollistëve të saj nuk ishin në gjendje të mirë shëndetësore. Dueli final mes Tiranës dhe Trepçës do të zhvillohet të enjten prej orës 19:00.