×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Turistë në Milano- Afërsia e kryeshefit të “Prishtina Parking” me kryetarin Abdixhiku

    Insajderi
    25 October 2022 - 20:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një ndërmarrje e tërë publike qe ka buxhet të majmë, “Prishtina Parking”, do të drejtohet nga shoku i ngushtë i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    Ndonëse nëpër fushata zgjedhore premtohet që në pozita të tilla të emërohen ekspertët e pandikuar nga politikanët, ndryshe ka ndodhur sot me ndërmarrjen “Prishtina Parking”.

    Kryeshef është emëruar Sokol Havolli, ish-këshilltari i Isa Mustafës. Havolli ka qenë gjatë anëtar i LDK-së dhe kohë të gjatë koleg pune me Abdixhikut.

    Por, afërsia e tyre nuk ndalet me kaq. Ata janë shokë të ngushtë. Udhëtojnë bashkë edhe jashtë vendit. Shikojnë bashkë ndeshje futbollistike.

    Gazeta Insajderi ka siguruar një fotografi ku shihen bashkë Abdixhiku e Havolli. Janë në Milano të Italisë. Është realizuar në kohën kur ekipi i Milanit zhvillonte një ndeshje të rëndësishme. Abdixhiku njihet publikisht si tifoz i këtij ekipi.

    Afërsia e madhe mes tyre nxitë dyshime për ndikim politik në menaxhimin e ndërmarrjes publike, “Prishtina Parking”.

    Emërimi i Havollit në këtë pozitë është kritikuar sot gjatë ditës.

    Abdixhiku së bashku me kryeshefin e “Prishtina Parking”, Sokol Havolli foto e bërë muaj më parë.

    Lumir Abdixhiku mezi pranoi që nga pozita e Parking Prishtinës të hiqet Liridon Restelica

    Ndër ata që reaguan për emërimin e Havollit si kreyshef i “Prishtina Parking” është edhe asamblisti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi.

    Ai në një postim në rrjetin social, Facebook shkroi se Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku mezi pranoi që nga pozita e “Prishtina Parking” të largohet Liridon Restelica, i cili u shkarkua pas disa hulumtimeve të Gazetës Insajderi mbi punën e tij.

    Tutje, asamblisti i VV-së shkroi se Abdixhiku së bashku me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, e zgjodhën Havollin si kryeshef të kësaj ndërmarrjeje.

    Lumir Abdixhiku thuhet se mezi pranoj që nga pozita e Parking Prishtinës të hiqet Liridon Restelica, i dyshuar për kontrata qindra mijëshe të dëmshme për buxhetin e Kryeqytetit. Sepse kishte “kontratë” zgjedhore me të. E tash bashkë me Perparim Ramën, e zgjodhën anëtarin e LDK-së Sokol Havolli, si Kryeshef në këtë Ndërmarrje. Kjo është LDK-ja, që mbron hajninë që i shkaktohet buxhetit të qytetarëve dhe uzurpon secilin hapsirë me marioneta politike” – shkroi ai.

    Përmes një tjetër postimi në rrjetin social, Facebook, Azemi adresoi kritika kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama. Ai madje e ftoi këtë të fundit të kërkojë falje për deklaratën e tij se “ndërmarrjet publike do të menaxhohen nga profesionistë, ka ikur koha e njerëzve partiak”.

    Gjenerata e re e LDK-së, Abdixhiku e Rama e bëjnë drejtor të “Prishtina Parking” ish-këshilltarin e Mustafës

    Ditën e sotme, Gazeta Insajderi raportoi se Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Prishtina Parking e ka zgjedhur Kryeshef të këtij institucioni Sokol Havollin.

    Sokoli kishte mbledhur 38.75 pikë, dhe i njëjti para pak kohësh ka dhënë dorëheqje nga zv.guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës.

    Emërimi i Sokolit ka ardhur pas shkarkimit të Liridon Restelicës në gusht të këtij viti.

    Lajmin për shkarkimin e pati bërë të ditur i pari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një njoftimi në rrjetin social, Facebook, i cili tha se Restelica u shkarkua nga detyra pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme të mbajtur ditën e sotme.

    Ai ndër tjera theksoi se i shkarkuari Restelica kishte keqpërdorur pozitën dhe poashtu nuk kishte përfillur Bordin e Drejtorëve.

    “Në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur sot, Bordi i Drejtorëve të NPL “Prishtina Parking” ka konstatuar se veprimet e Kryeshefit Ekzekutiv, duke përfshirë këtu keqpërdorimin e pozitës, mosinformimin e bordit në lidhje me planet dhe projektet investuese të ndërmarrjes e deri tek mospërfillja e Bordit të Drejtorëve, kanë shkaktuar keqmenaxhim të përgjithshëm të ndërmarrjes dhe kanë cenuar imazhin e NPL “Prishtina Parking”. Vendimi për shkarkimin nga pozita e Kryeshefit Ekzekutiv, z. Liridon Restelica, hyn në fuqi sot, me datë 22.08.2022″ – shkroi Rama.

    Menjëherë pas tij kishte reaguar Restelica, i cili kishte thënë se nuk është shkarkuar, por ka dhënë dorëheqje.

    Restelica pati thënë se dorëheqja e tij ishe e parevokueshme dhe sipas tij nuk kanë pasur nevojë për rrokada të tilla.

    Arsyet e doreheqejes, Restelica thotë se janë të ditura në akt-dorëheqejen e dorëzuar.

    “Arsyet e dorëheqjes veqse janë të theksuara ne akt-dorëheqjen. Sot, u trumbetua nëpër media për kinse shkarkimin tim në orët e vona të mbrëmjes. Nuk kanë pasur nevojë për rrokada të tilla pasi dorëheqja ime ishte e parevokueshme”, pati thënë ai.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark