Qeveria turke të martën shkarkoi nga detyra rreth 15,000 punonjës të sektorëve të ushtrisë, policisë dhe të shërbimit civil, si pjesë e një hetimi mbi përpjekjen e dështuar të grushtit të shtetit.
Qeveria gjithashtu mbylli më shumë se 500 institucione, nëntë organe të shtypit, dhe 19 institucione shëndetësore.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan është zotuar se do të sjellë para drejtësisë dhe do të ndëshkojë ata që janë përfshirë në përpjekje për grusht shtet. Ai ka akuzuar klerikun mysliman që jeton në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen për organizimin e përpjekjes së dështuar për të përmbysur qeverinë.
Kleriku Gulen, një ish-aleat i presidentit Erdogan, i cili që nga viti 1999 ndodhet në mërgim të vetëimponuar në shtetin Amerikan të Pensilvanisë, ka mohuar në mënyrë të përsëritur përfshirjen në përpjekjen për grusht shtet.
Pas puçit ushtarak në Turqi, presidenti Erdogan filloi një goditje në shkallë të gjerë të pasuesve të klerikut Gulen dhe institucioneve që drejtohen nga pasuesit e tij. Autoritetet kanë arrestuar të paktën 36 mijë vetë dhe kanë larguar nga institucionet qeveritare 100 mijë të tjerë.
Zoti Erdogan vazhdimisht ka thënë se ai dëshiron të shkatërrojë ato që ai i quan organizata FETO terroriste.