×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Ujmani” nuk është dashur që të përfshihet në marrëveshjen me Serbinë – u pagua vetëm nga Kosova

    Insajderi
    03 July 2021 - 23:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar me 4 shtator një marrëveshje për normalizim ekonomik në Shtëpinë e Bardhë në praninë e presidentit amerikan Donald Trump, në kuadër të së cilës, bashkë me ekspertët amerikanët, parashihet hartimi i një studimi të fizibilitetit me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë.

    Liqeni i Ujmani është liqeni më i madh i Republikës së Kosovës së varfër me ujëra. Është edhe ndoshta pika ma e nxehtë e krejt debatit për të ardhmen e këtij vendi me fqinjin e tij Serbinë. Ka një histori të veçantë. Kontroverse bëhet më vonë. Nisi si projekt i domosdoshëm për ekonominë e tash është bërë material për politikanë dhe negociatash.

    Liqeni i Ujmanit është më i madhi në Kosovë, i cili shtrihet në veri-perëndim të vendit, konkretisht në Komunën e Zubin Potokut, komunë kjo e banuar me shumicë serbe.

    Ky liqen ka sipërfaqe prej 11.9 kilometra katrorë (nga të cilat 9.2 kilometra katrorë në territorin e Kosovës dhe 2.7 kilometra në territorin e Serbisë) dhe 370 milionë kub ujë.

    Penda e Ujmanit është ndërtuar midis viteve 1970-1984. Hidrocentrali prodhon 35 megavat për orë energji elektrike, kurse kanali Ibër-Lepenc është 49 kilometra i gjatë dhe është ndërtuar me fonde të buxhetit të Kosovës.

    Kanali Ibër – Lepenci kalon nëpër territorin e pesë komunave – Zubin Potok, Mitrovicë, Vushtrri, Obiliq, Prishtinë, duke kaluar nëpër 33 vendbanime rurale dhe dy qytete.

    Ky liqe menaxhohet nga ndërmarrja hidroekonomike “ Ibër-Lepenc” me seli në Prishtinë, në pronësi të Qeverisë së Kosovës.

    I gjithë rrëfimi për ndërtimin e këtij liqeni që është tepër i rëndësishëm pos si rezervë uji, edhe si pjesë kruciale e vetë termocentraleve kosovare prej ku vije pjesa më e madhe e energjisë për familjet dhe industrinë e pakët të vendit, është që ai është një projekt që u nis e u realizua me financa të kosovarëve.

    InDoks sa i përket historisë së Liqenit të Ujmanit, ka foluar me Avdi Gjonbalaj. Është njëri prej inxhinierëve shqiptar që mori pjesë në projektin për ndërtimin e liqenit të “Ujmanit”.

    Ai për InDoks ka rrëfyer historinë e këtij projekti kaq të rëndësishëm për vendin, dhe thotë se deklarimet e tij i mbështet pos në memorien e tij edhe në dokumente.

    Gjonbalaj ka thënë se “Ujmani” nuk është dashur që të përfshihet në marrëveshjen me Serbinë, pasi para disa vjetësh është paguar nga buxheti i Kosovës, në kohën e ish-Jugosllavisë.

    “Grenelli ka pas mundësi me ja u imponu, por askund në botë nuk shkohet negociata pa platforme pa u përgatit me muaj të tërë varësisht prej temës që shqyrtohen. Unë kam pas fatin kam qenë në komision jugosllav-shqiptar për ujëra a din çfarë përgatitje kemi bërë ne, kemi kërkuar ekspertë për çdo sen ku janë e ku s’janë, kështu nuk shkohet në negociata ndërshtetërore, duke e pas një shtet si Serbinë që ka resurset njerëzore që ka traditën diplomatike. Ne shkojmë me duar në xhepa e shtyhem kush po del i pari e di dyti, çfarë dinë delegacioni se çka është “Gazivoda” besomëni asnjëri nuk dinë gjë”, ka thënë Gjonbalaj.

    Ndërtimi i tij ka filluar në vitin 1972 dhe ka përfunduar në vitin 1977, ndërsa ndërtimi i hidrocentralit ka zgjatur prej vitit 1983 deri 1986. Projekti është financuar nga Banka Botërore.

    Argumenti i Serbisë bazohet në faktin se pjesa më e madhe e infrastrukturës së hidro sistemit “Ibër-Lepenc” gjendet pikërisht në territorin e komunës Zubin Potok në të cilën shumica e banorëve janë serbë, por që është paguar nga shqiptarët. Pastaj, ndërtimi i hidro sistemit i financuar nga kredia e Bankës Botërore është paguar nga buxheti i ish-Jugosllavisë. Prandaj qeveria në Beograd konsideron se ka legjitimitet për fatin e kësaj ndërmarrjeje.

    Serbia pretendon se shfrytëzimi i tepërt i rrjedhës së ujit në lumin Ibër, mund të rrezikojë ekonominë e saj në hapësirën e Rashkës dhe Kralevës. Serbia planifikon të ndërtojë mini hidrocentrale në Rashkë dhe Kralevë, e nëse ulet sasia e ujit dhe shfrytëzohet në Kosovë, atëherë askush nuk do të investonte në këto projekte në Serbi.

    Avdi Gjonbalaj që ishte pjesë e këtij projekti ka treguar procesin e ndërtimit të Ujmanit. Thotë që Kosova pagoi një shumë milionëshe ani pse tash në Uashington lidhet marrëveshje për të.

    “Para se mu dhënë kredia është shpallë zonë interesi, zonë ekspoprimi ku shtrihet diga. Janë pesë komuna të prekura me kanale të ujitjes. Meqenëse në atë kohë janë krijuar rregullat juridike që kompensimi vetëm në bazë të çmimit të tregut me fillim parallogartije ka pasur shpronësim ka kushtuar 1 milionë e 400 mijë dollarë, derisa është realizu i gjithë shpronësimi ka kushtuar 14 milionë e 800 mijë dollarë, dhjetëfishi i shumës së paraparë. Nuk ka pas trup pemë e as kotec pulash që nuk është vlerësuar e paguar nga Kosova”, ka potencuar Gjonbalaj.

    Por nga ana tjetër, pa këtë liqen nuk ka ekonomi në Kosovë. Pa këto resurse ekonomia ndalet dhe jo vetëm ekonomia e industrisë elektrike në Obiliq, sepse uji shfrytëzohet atje për ftohje në centralin Kosova B, por ky ujë shfrytëzohet edhe për industrinë në Feronikël, Trepçë dhe për bujqësinë në vend.

    Rreth 35 për qind e banorëve të Prishtinës furnizohen nga ky rezervuar përmes fabrikës së re të ndërtuar për përpunimin e ujit në Shkabaj, pak kilometra larg qendrës së kryeqytetit. Komunat tjera që furnizohen me ujë janë: Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj, Gllogoci, Obiliqi dhe Fushë Kosova. Kur ka thatësira, uji nga ky liqen përdoret për t’i mbushur dy rezervuarët tjerë afër Prishtinës, të Batllavës dhe Badovcit.

    Dokumentari i plotë:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark