×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Uni poetik i Ndue Ukajt në një dialog të pandërprerë me lexuesin

    Insajderi
    09 May 2023 - 12:53

    Autor: Shqiptar Oseku

    (Shënime për vëllimin poetik “Retë prej drite” të Ndue Ukajt)

    Ndue Ukaj është shkrimtar i njohur për lexuesin shqiptar, autor pesë përmbledhjesh pararendëse me poezi, që ka lëruar edhe tjera gjini: libër tregimesh, vepër shkencore për elementet biblike në letërsinë shqip, e monografi (njëfarë lloji) për Kadarenë. Bëhet fjalë pra për një penë të stërvitur shkollari, nga e cila kemi të drejtë të presim cilësi. Ndaj s’do mend se pritshmëritë ishin të larta në nëntor 2022, kur shtëpia botuese Onufri nxori nga shtypi përmbledhjen e tij të radhës, Retë prej drite.

    Le të themi përnjëherë se Ukaj te kjo përmbledhje nuk të zhgënjen. Ky është një libër i vëllimshëm, me 184 faqe, përfshirë dy parathënie (nga Visar Zhiti, e nga Stefan Çapaliku) dhe fiks 102 poezi të ngjeshura, pa intermezzo dhe pa ndarje në cikle: një mitralim i mirëfilltë dhe i pandërprerë me breshëri poetike nga fillimi e gjer në fund. Është pak vështirë ta marrësh veten nga eksperienca e këtij libri. Mua për vete m’u deshën tri lexime, me nga një muaj pauzë midis syresh, për t’i sajuar vetes një ide të artikuluar për atë se ç’po ndodhte.

    E para, gjuha. Çapaliku në parafjalë të vet kishte thurrur një si trajtesë të frymëzuar nga gjuha muzikore e Ndue Ukajt dhe po, eufonia e vargut të Ukajt ka absolutisht një cilësi që stimulon veshin e dashnorit të gjuhës. Mirëpo atje ku Çapaliku dëgjon harmoni të melodisë, unë dëgjoj dinamikë të ritmit. Ben Johnson, dramaturgu dhe liriku anglez i shek. XVII, duke trajtuar dallimin midis prozës e poezisë, vëren se njerëzit që lexojnë poezi ndryshojnë vetvetiu zërin dhe kapin një ton solemn, pse poezia “do thënë me zë më të naltë se një gojë vdektari”. Diksioni e dallon poezinë nga proza, insiston Johnson, e diksioni sajohet me ritëm. Ukaj sajon nganjëherë ritëm me aliteracion, ta zëmë kur përshkruan një grua që “tundet e trullosur” në hapësirë gjethesh të arta, si te poezia “Dekorata”; ose ku e lutet asaj që “Me mangë e mallit mbaji duart”, si te poezia “Gjithmonë i jam trembur lumturisë së shpejtë”. Ukaj ka varg të lirë, por vargu i tij ka shpesh një rimë subtile të brendshme, inerte e latente, e thellësisht intuitive. Por këto s’janë veçse dekor. Efektin kryesor dhe masiv në sajim të ritmit Ukaj e ndërton me përsëritje, me dyshe e treshe komplementare: me dyshe dikotomish strukturore, e treshe repetitive sipër tyre, që i japin masës së tekstit cilësinë e vet muzikore.

    Çiftet dikotomike të Ukajt janë të shumta, ditë e natë, parajsë e ferr, amshim e përkohshmëri, fitore e humbje, dikur e sot, etj. Këto çifte sajojnë rregullisht rrëzët tematike të poezisë. Ja si p.sh dikotomia e ditës dhe natës te poezia “Të mësohesh me errësirën”:

    Në fund të ditës dielli mbështillet me një palltë të mëndafshtë dhe fillon stina e errësirës.

    Njerëzit të hutuar shpejt përshtaten me natën

    dhe në heshtje mësojnë alfabetin e saj.

    Pak më poshtë, vjen dikotomia e dytë, midis dritës e errësirës

    Si fëmijë mësova se drita shkëlqen në errësirë

    por errësira s’mund ta pushtojë atë.

    Pastaj vjen ajo e treta, midis fizikes e shpirtërores

    Si një fëmijë i llastuar para një mësueseje plot dantella

     mësoja për fenomene fizike, por gjithmonë m’kanë joshë                                                                                              ato të shpirtit

    E kështu me radhë, vetëm te kjo poezi hasim një seri antitezash, një ditë vs një jetë, e djeshmja vs e sotmja, terri vs yjet, sot vs nesër, të mirët vs të këqinjtë, etj. Këto dyzime, që sajojnë atmosferën dramatike të poezisë, plotësohen me një diksion prej tri theksesh:

    …lirinë e trazuar,

    orë të gjata policore dhe lajme të këqia për qytetin

    ose

    Rrëfimet për kohët e djeshme, të largëta, dhe të mjegullta

    ose, kur flet për diellin

    i pispillosur, i krehur

    plot energji    

    e kështu me radhë,  diadat ndiqen nga trio repetitive, në poezi pas poezie, duke sajuar gjallëri të tekstit.

    Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, poezia përshkruhet thjesht si “gjini e letërsisë artistike, në të cilën mendimet e ndjenjat shprehen në vargje”, pikë. Por ka edhe diçka më shumë aty apo jo, diçka nga poezia e Ndue Ukajt që është parathënë qëmoti nga Ben Johnson, e që ka të bëjë me mënyrën si është gatuar teksti për lexim. Në frëngjisht, ta zëmë, poezia përkufizohet si “letërsi që evokon vëmendje të përqendruar imagjinative të një përvoje ose respons ndjenjësor përmes një gjuhe të përzgjedhur dhe të ujdisur nga kuptimi, tingulli, e ritmi”; pra këtu theksi s’është te forma metrike, por te diksioni. Kjo i rri më afër kuptimit burimor të fjalëve Prosus e Versus, ku e para domethënë përaf. “ecje e drejtë” ndërsa e dyta “rikthim”. Paul Valéry thonte ngjashëm, se prozë domethënë të marshosh, e poezi të vallëzosh. Në aspektin formal, Ukaj ka gjuhë interesante. Ai vallëzon në një standard të gegëzuar, a si ta quajmë, ku ai ka dashtë, është tundë, është hapë, kah ka adhë, ku ne kemi humbë, që milionë vjet etj, ndërsa lëron toskërishten e letrares me shkathtësinë e bujkut të aftë, i cili ia çmon vlerën e saktë çdo plisi të dheut.

    E dyta, imazheria. Në parafjalën e vet, Visar Zhiti e cilëson imazherinë e Ndue Ukajt si “thënë hapur, frymë katolike”. Dhe këtë s’e luan topi. Më lart fola për mënyrën si e ndërton dinamikën dhe ritmin Ukaj, me dikotomi që plotësohen prej theksesh të trefishta. S’do mend se gjuha e tij është ndikuar nga simbolika e krishterë, me antitezat e vet absolute midis të mirës e të ligës, e me përsëritjen rituale të trinisë së shenjtë. Ukaj i përket një sëre poetësh bashkëkohorë të cilët kanë ankorim të fortë në etikën dhe estetikën e krishterë. Kush ka lexuar p.sh. amerikanin Scott Cairns, francezin Charles Péguy, nobelistin suedez Tomas Tranströmer, ose edhe tonën Luljeta Lleshanaku, e di fort mirë se për çka e kam fjalën. Poetë si Mahmoud Darvish, Naomi Shihab Niye dhe Ndriçim Ademaj gjejnë frymëzim të ngjashëm në islam; përmbledhja e Ervina Halilit Nuk janë sytë e mi (Berk, Tiranë 2021) është pohuar se ka një shoqërim të lirë me sufizmin. Jo vetëm etika, por edhe estetika e gjuha e tyre, është e ndikuar nga burimet e frymëzimeve. Në një botë të sekularizuar anepërtej, poezia ka ngelur një fushë ku ka vend edhe për spiritualistë, shpirtëra të lirë të cilët i bëjnë një interpretim idiosinkretik tekstit fetar dhe nxjerrin që andej ar të shkëlqyer.

    Edhe një person fundekrye ateist si vetja ime mund ta çmojë pa rezervë, ta zëmë, atë moment subtil të suspensës që pikturohet te “Kambanat paralajmërojnë meshë”:

    Mëngjes. Kambanat paralajmërojnë meshë.

     Nga dritarja matanë rrugës dëgjohet valsi i një lumturie që zgjat pak.

    ose alegorinë e gatimit të bukës te “Via Dolorosa”

    gatuajnë bukën e dashurisë me përbërje të gjithëfarëshme

    pak lot, shumë shpresa, ca dhimbje dhe një grusht dashuri.

    Por pamjet që përcjell Ndue Ukaj kanë edhe skena shumë tokësore të dashurisë familjare, gravura historie, kartolina qytetesh, anije në lundrim (ndonëse gjithmonë afër steresë) dhe, para së gjithash, peisazhe të panumërta natyre të gjallë: rreshta e rreshta përshkrimesh të ditës, natës, ujërave, muzgut, shiut etj të gjitha të mbarsura nga shenja mistike të një fuqie të padukshme dhe jo gjithmonë dashamirëse; nuk është aspak e rastit që përmbledhja është emërtuar me re. Ja ta zëmë te poezia “Gjethi”, ku dimri mishëron një kërcënim të frikshëm në latencë:

    Gjethi i lëmuar, si floku i ndritshëm

    rrëzëllen në pranverë

    dhe bëhet baltë në vjeshtë.

    Ai ndien se në çdo stinë ka dhimbje,

    por dimri është rrëfim i pakryer.

    Në një intervistë dhënë Era Berishës te revista KultPlus, Ndue Ukaj thotë: “Por çfarë ndodh me gjethet që bien nga jeta e një njeriu? Kjo pyetje të shtang dhe mu këtu ndodh të lindë poezia.” Për Ndue Ukajn, nostalgjia është një ndër gjeneratorët e krijimtarisë. Këtu bëhet fjalë për nostalgji vetjake, si për oborrin e fëmijërisë a për brezat e bashkëfshatarëve e të meshtarëve të fshatit. Por edhe njëfarë nostalgjie për të shkuarën kastriotase, për fijet që u këputën. Bruce McCall e quan këtë faux nostalgia, mallëngjim për të ardhmen që nuk ndodhi. Ky lloj mallëngjimi lëshon rrënjë që në poezinë e parë, “Harku i dëshirave të thyera”:

    Jemi tepër vonë për t’i përmirësuar gabimet e pandreqshme

    Kjo nostalgji e Ukajt ndërlidhet me diçka që ai në intervistë e cilëson si “krizë ekzistenciale”. Mirëpo, me folë nga del shpirti, unë te përmbledhja s’shoh dot gjurmë të një krize të tillë në planin personal e introspektiv të autorit. Poezia, sidomos ajo e rrëfyerjes, gëlon sot nga kriza moshe, kriza rolesh jetësore etj. Por kjo sërë përsiatjesh mungon komplet tek Ukaj. Ai në poezi del solid si monolit, i ngulitur thellë në një sistem të vetin etik e estetik. Mirëpo, përmbledhja u bën numërim mëkateve kolektive: “kriza ekzistenciale” për të cilën flet Ukaj duket qartë se është krizë e të tjerëve. Vargu i tij këtu ndez flakë me qortime shkurret e Sinait, ngjashëm si ndonjë nga ata “profetë të thinjur” të cilët i përmend në vepër. Ja, ta zëmë, si nis poezia “Të kujt jemi ne”:

    Të gjithë na pyesin të kujt jemi ne, kush janë vëllezërit

       dhe motrat tona.

     ç’kombi i përkasim, kujt i besojmë.

    Realitetiet tona vazhdimisht përplasen, shndërrohen,

      përpjesëtohen.

    (Veni re këtu prapë dikotominë motër-vëlla, si dhe trininë e përplasjeve, shndërrimeve, përpjesëtimeve.)

    Qortimi vazhdon:

     Kur e mësojmë mbiemrin tonë

      në shkolla na thonë historia jonë është e lavdishme,

    por hartat e shpirtit picërrohen në secilën stinë.

    E kështu me radhë në disa poezi, me tituj si “Ne jemi duke u dënuar për mëkatet tona”, “Egoistët”, “Gjithmonë mbërrijmë me vonesë” etj. Ja si mund të tingëllojë, për shembull, tek “E vërteta”:

    Sokrati vdiq dhe pas vete la shumë trishtim.

    Ai tregoi se fillimi i mençurisë qëndron te njohja e injorancës, por ne ishim të përgjumur dhe s’dëgjonim, s’shihnim.

    Gjë që na sjell tek e treta, tek estetika e veprës. Ndue Ukaj për mua shkëlqen kur shkruan për veten, përsiatjet e tij për natyrën e njeriut dhe ndërtimin e botës kanë thellësi e erudicion. Te përmbledhja shfaqen, përveç biblës kuptohet, edhe vizitorë letrarë si T.S. Eliot, Paul Auster, Ingeborg Bachmann, Homer, Dante, Borges, Shakespeare, Sabato, Servantes, Prevert, Hans Kristian Andersen, kompozitorë si Vivaldi, e piktorë si Van Gogh, ashtu si ndodh rëndom kur shkund fletët njeriu i kulturës.

    Mirëpo, kur shkruan për “krizën ekzistenciale” (të kolektivit), kjo s’thuhet dot lehtë prandaj po e them troç, këtu Ukaj ndoshta bjen nganjëherë në grackë të didaktizmit.  Ai thotë vetë, tek intervista në KultPlus, se “poezia gjithmonë bën dritë, madje edhe kur burimi i saj është terri e trishtimi.”  E pra, kjo ambicie për të bërë dritë, lexuesit të kultivuar i shkakton lemzën. Neve s’na ka ëndja as bakllavanë kur na e rrasin me zor, aq më pak idealet. Mua personalisht Ukaj më bind më fort kur flet për veten, e për botën e vet, se kur përdor shumësin e rremë në vetë të parë si më lart: kur thotë “ne” kurse mendon në akuzativ “ju”. Diçka tek unë shkelmon me instinkt ndaj kësaj trope.

    Ajo që më pëlqen më së shumti te përmbledhja është gjuha dhe imazheria e poetit Ndue Ukaj. Kaleidoskopi i gjallë i tij në kombinacion me gjuhën pa ekscese mua më del si remineshencë bashkëkohore e imagjinistëve anglezë, Frank Stuart Flint dhe Thomas Erns Hulme, të cilët parapëlqenin imazheri të saktë e të qartë, e të gjuhë të matur. Përshkrimet e tij të natyrës më fascinojnë, i mësuar siç  jam nga poetët skandinavë dhe përsiatjet e tyre të pambaruara për natyrën, pyllin e qiellin e ujin. Edhe mënyra e dialogut direkt në tekst me lexuesin, me një Ti të drejtpërdrejtë, është e natyrshme për dikë që lexon letërsinë skandinave. Mjerisht, mbiemrat skandinavë s’kanë gjini ndërsa ata shqip po: personi tjetër me të cilin dialogon Ukaj është gjithnjë gjini femërore. Shqipja nazelie më përjashton mua si burrë nga roli aktiv në dialog me poetin dhe më redukton në peeping Tom. Por hej, kjo është tagra e shqipes. 

    Një duartokitje të veçantë Ndue Ukaj ka për portretizimin e arrirë dhe të shumanshëm të gruas në vargjet e veta. Ndue Ukaj ndërton metodikisht imazh të një gruaje njerëzore, krypë të kësaj toke, e cila është partner e skele në këtë jetë. Gruaja e Ukajt di absolutisht të jetë e bukur, a e ndieshme, a e mëndafshtë. Mirëpo ajo është edhe e fortë, ka thellësi refleksioni, e agjendë vetjake përbrenda tekstit poetik. Gruaja dhe burri tek Ukaj janë të krijuar simbas fytyrës së njërit-tjetrit: si pasqyra të kthyera ballë për ballë. Ja si mund të tingëllojë ky raport i barabartë, te poezia “Gjithmonë i jam trembë lumturisë së shpejtë”:

    Ti poetja ime – s’beson në stinën e mërzisë.

     Më shkruan letrare dhe flet për mrekullinë e përditshme.

     Bëji vetë – thua – vargjet dhe shoshiti mendimet.

     Thuaji diellit le të heqë lëkurën dhe të ngrohë siç ke dëshirë.

     Me mangë të mallit mbaji duart

      si dikur në rrugë të lumturisë flamujt e fitoreve.

    Gruaja pra këtu ka mendim të vetin se ç’duhet bërë dhe e artikulon këtë mendim me një autoritet të padiskutueshëm, kjo grua ia di vlerën vetes. Gruaja mund të jetë edhe e frikësuar, si te poezia “Deri dje gjithçka ishte e bukur”, jo për familjen, për fëmijët etj. si duan stereotipet, po një frikë me rezonancë teleologjike për të ardhmen e species, nga një pikëvështrim të pozicionuar brinjas me unin poetik:

    Kohë stuhish.

    Kurse ti e frikësuar kujton arkën e shpëtimit,

    Pulëbardhat dhe  strehën e thyer –

     atë strehë që kërkojmë vetëm në ditë të këqia.

    Te poezia “Shpejt mund të fillojë kapitulli tjetër”, një ndër krijimet më sensitive të kësaj përmbledhjeje, uni burrnor ka rënë në disponim poetik. Jemi në plazh dhe moti ka nisur të ndryshojë, ka llokoçitje peshqish, e hapa të trembur që largohen nga stuhia. Mirëpo gruaja ka agjendë të veten:

     Por mikja ime e habitur e kishte mendjen tek atmosfera politike

    dhe s’vëzhgonte se kush paralajmëronte ndryshimin e ndjenjave.

    Kësaj gruaje aq i bën se ndryshon moti, a se gjindja ikin me vrap. Ajo është vetë forcë e natyrës, ka vullnet të vetin, e i jep kurajo unit poetik:

     Ka diçka që shkon përtej imagjinatës.

    Nga lartësitë e papërfillshme shoh krejt trupin tënd,

      trupin tënd të shtrirë – siç shtrihej pamja e detit

    nga një kënd magjik në buzëmbrëmje.

    E atëhere zemra ime

     është një anije që shkëputet nga spirancat

      dhe hidhet nëpër dallgë të trazuara.

    Të kuptohemi, kjo s’është poezi feministe, gruaja këtu nuk kërkon përmbysje të hierarkive gjinore. Por për dikë si vetja ime, që mbytet nga patriarkalizmi i pareflektuar i shkrimtarëve shqiptarë të të dy gjinive, kjo qasje fine e poetit Ndue Ukaj është vlerë në vetvete. Them se ky është një nga paradokset e letërsisë së sotme shqipe, që një burrë i ankoruar fuqishëm në etikë të krishterë të arrijë të evokojë më fort vëmendje të përqendruar imagjinative mbi gruan si njeri, se aradha poetësh të proveniencës sekulariste. Më duket se çelësi për të kuptuar se pse Ukaj del mbarë aty ku tjerët ngecin është stili që ka zgjedhur për narracion. Si thashë më lart, uni poetik te Retë prej drite ndodhet në një dialog të pandërprerë me një person që mishëron lexuesin: dhe ky partner është në gjini femërore. Ajo shqipja nazelie, të kujtohet, që më përjashtonte mua si burrë nga roli aktiv në dialog me Ukaj? Eh pra, ajo vendos gruan në ulësen e parë. / ExLibris/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark