×
  • Lajme
  • Lajme

    Urdhërarrest për policin e dyshuar për lidhje me krimin

    Insajderi
    02 March 2017 - 09:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Një hetues nga Peja është vënë në kërkim pasi dyshohet se si pjesë e një grupi kriminal të udhëhequr nga hetuesi, Behar Millaku kanë kërkuar rreth 300 mijë euro ryshfet për të mbyllur një rast hetimor.

    Më 28 shkurt të këtij viti, Gjykata Themelore në Pejë ka lëshuar urdhërarrest kundër policit Shefqet Zogaj për shkak të dyshimit se ka kryer dy vepra penale: ushtrim të ndikimit dhe mashtrim.

    Zogaj është fshehur disa ditë pas arrestimit të Behar Millakut, djalit të vëllait të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Reshat Millaku.

    Millaku është arrestuar në dhjetor të vitit të kaluar së bashku me ndërmjetësin e tij, Ilir Sadrijaj. Hetuesi kishte kërkuar nga Skënder Fetaj 300 mijë euro në këmbim të mbylljes së hetimeve kundër tij. Ndërmjetës i Millakut, Ilir Sadrijaj ishte takuar në Podgoricë me Fetajn. Marrëveshja mes tyre do, të mundësonte mbylljen e hetimeve. Gjithë biseda është incizuar.

    shefqet hetuesi

    Njerëzit e Skënder Fetajt kishin dhënë 30 mijë euro. Të gjitha bankënotat ishin fotografuar. Ato i ishin dorëzuar ndërmjetësit Ilir Sadrijaj. Një pjesë e këtyre parave i ishte dhënë hetuesit Behar Millaku. Gjatë rrugës nga Prishtina për në Pejë, Millaku ishte arrestuar. Rreth dy mijë euro i ishin zënë.

    Tri ditë pas arrestimit të 16 të dyshuarve për krim në një rrjet kazinosh si rezultat i hetimeve të Behar Millakut, ishte arrestuar edhe vetë ai, së bashku me sekserin e dyshuar, Ilir Sadrijaj.

    Hetimet kundër Skënder Fetajt dhe kompanisë së tij, “EGTK II” kishin rezultuar me bastisje të përbashkët me Administratën Tatimore të Kosovës. Për dy ditë rresht ishin bastisur 77 lokacione në Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Prizren dhe Mitrovicë.

    16 persona ishin arrestuar më 2 dhjetor të vitit të kaluar si rezultat i hetimeve të Policisë së Kosovës dhe ATK-së. I dyshuari kryesor, Skender Fetaj, që është pronar i kompanisë së lojërave të EGTK II nuk ishte arrestuar. Ai jeton në Çeki ku ushtron të njëjtin biznes.

    Insajderi ka siguruar urdhërarrestin kundër hetuesit nga Peja, Shefqet Zogaj.

    “Pas zënies i dyshuari duhet të sillet në Gjykatën Themelore në Pejë. Me këtë urdhërarrest të njoftohen të gjitha stacionet policore në Kosovë, njësitë në vendkalimet kufitare si dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës”, thuhet në urdhërarrest.

    Aty sqarohet se më 20 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë urdhëresë që urgjentisht të bëhet arrestimi i të dyshuarit për këto dy vepra penale.

    Por, Policia nuk kishte arritur ta kapte atë, pavarësisht vëzhgimeve dhe hetimeve në terren. /Insajderi.com

    Premtimi i hetuesit Behar Millaku për mbyllje hetimesh në këmbim të ryshfetit

    Arrestohet nipi i kryeprokurorit të Speciales, dyshohet së kërkoi 300 mijë euro ryshfet

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark