×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Ushtar serb më 1999 në Kosovë, i dekoruar nga Vulini, kundërshtar i pavarësisë së Kosovës – Kush është Andrija Mandiq që garon për President të Malit të Zi?

    Insajderi
    24 February 2023 - 19:29

    Më 19 mars në Mal të Zi zhvillohen zgjedhjet presidenciale, ku deri tash kandidatët për të parin e shtetit janë presidenti aktual i Millo Gjukanoviq, Andrija Mandiq nga Fronti Demokratik pro-rus dhe pro-serb (kundër pavarësisë së Kosovës) dhe Draginja Vuksanoviq Stankoviq nga Partia Socialdemokrate, shkruan Insajderi.

    Partia Demokratike e Socialistëve të Malit të Zi, vetëm sot lajmëroi se Millo Gjukanoviq do të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale.

    Megjithëkëtë, nga Fronti Demokratik garon Andrija Mandiq, një politikan pro-serb dhe pro-rus, i cili edhe ka marrë pjesë në luftën pushtuese serbe në Kosovë si pjesë e Brigadës së Pestë të Motorizuar përçka edhe është dekoruar nga ish-ministri fashisht (sot kreu i BIA-s serbe), Aleksandar Vulin.

    Më 2020 ai ishte dekoruar nga Vulin për pjesëmarrjen e tij në luftë në Kosovë, shkruan Insajderi.

    “Ish pjesëtarët e Ushtrisë Jugosllave Andrija Mandiq, komandant i baterisë së lehtë të artilerisë vetëlëvizëse nga Brigada e 5-të e motorizuar e Ushtrisë Jugosllave dhe Danilo Lekoviq, komandant i Togës së Parë në Baterinë e Artilerisë Vetëlëvizëse të Lehtë nga Brigada e 5-të e Motorizuar. Ushtria Jugosllave, sot nga Ministri i Mbrojtjes Aleksandar Vulin mori medalje përkujtimore ushtarake për kontributin në sistemin e mbrojtjes së Republikës së Serbisë, në një ceremoni në Sallën e Madhe të Luftës së Shtabit të Përgjithshëm të vjetër”.

    “Kjo është një mirënjohje e madhe për baterinë që kam komanduar, një mirënjohje e madhe për të gjithë rezervistët në Mal të Zi, dhe në vitin 1999 ka pasur një numër të madh të tyre, të cilët e dinë dhe janë krenarë që iu përgjigjën thirrjes së atdheut të tyre dhe se ata e mbrojtën atdheun e tyre ashtu siç bënë paraardhësit tanë të shquar. Kanë kaluar njëzet vjet dhe shumë në Mal të Zi janë përpjekur, të njëjtët që kanë bërë thirrje për dezertim në vitin 1999, që kanë punuar për aleancën e NATO-s në vitin 1999, që njerëzit të kenë turp për faktin se i përkisnin Ushtrisë Jugosllave”, pati thënë Mandiq, në rastin e dekorimit nga Vulin.

    Jo vetëm kjo. Andrija Mandiq kishte hyrë me javë në grevë urie kur Mali i Zi e kishte njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 duke e proklamuar veten si “Martir i Kosovës” në kohën sa ishte lider i “Listës Serbe” në Mal të Zi.

    “Andrija Mandiq, lideri i ‘Listës Serbe’ ka hyrë në grevë urie që nga 12 tetori për të denoncuar njohjen e Kosovës nga Mali i Zi, raporton Insajderi. Ai u transferua në spitalin e Podgoricës të shtunen dhe gjendja e tij po keqësohet”, raportonin mediat malaziase në vitin 2008.

    Mandiq vazhdimisht ka qenë i zëshëm nlë mbështetje të barrikudesve serbë në veri të Mitrovicës derisa disa herë ka denoncuar kryeministrin kosovar, Albin Kurtin, për shkelje të të drejtave të serbëve në Kosovë./Insajderi/

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark