×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Ushtria e vdekur e Wagner

    Insajderi
    02 February 2023 - 18:46
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Në fund të verës së kaluar, një ngastër toke në buzë të një komuniteti të vogël bujqësor në Rusinë jugore filloi të mbushej me varre të reja të luftëtarëve të vrarë në Ukrainë. Varret ishin zbukuruar me kryqe të thjeshta prej druri dhe kurora me ngjyra të ndezura që mbanin shenjat e Grupit Wagner të Rusisë – një ushtri private, e frikshme dhe e fshehtë.

    Në fund të janarit, kur Reuters filmoi reportazhin kishte rreth 200 varre në vendin në periferi të fshatit Bakinskaya në rajonin e Krasnodarit. Agjencia e lajmeve verifikoi emrat e të paktën 39 prej të vdekurve në këtë dhe në tre varreza të tjera aty pranë, me të dhënat e gjykatës ruse, bazat e të dhënave të disponueshme publikisht dhe llogaritë e mediave sociale. Reuters foli gjithashtu me familjen, miqtë dhe avokatët e disa prej të vdekurve.

    Sipas agjencisë së lajmeve, shumë nga burrat e varrosur në Bakinskaya ishin të dënuar, të cilët u rekrutuan nga Wagner vitin e kaluar pasi themeluesi i tij, Yevgeny Prigozhin, premtoi falje nëse të burgosurit mbijetonin gjashtë muaj në front. Ata përfshinin vrasës me pagesë, vrasës, kriminelë karriere dhe njerëz me probleme me alkoolin.

    Për muaj të tërë, Wagner ka qenë i angazhuar në një betejë të përgjakshme për të marrë qytetet Bakhmut dhe Soledar në rajonin lindor të Ukrainës, Donetsk. Zyrtarët perëndimorë dhe ukrainas kanë thënë se po i përdor të dënuarit si mish për top për të mposhtur mbrojtjen e Ukrainës. Duke ashpërsuar sanksionet ndaj Wagner këtë muaj, zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby e quajti grupin “një organizatë kriminale që po kryen mizori dhe abuzime me të drejtat e njeriut”. Në një përgjigje të shkurtër të hapur ndaj qeverisë së SHBA-së, Prigozhin i kërkoi Kirbyt “të sqarojë se çfarë krimi është kryer” nga Wagner.

    Videot dhe fotografitë e varreve u shfaqën për herë të parë në kanalet e mediave sociale në rajonin e Krasnodarit në dhjetor. Reuters i ka vendosur këto imazhe në varrezat Bakinskaya dhe ka shqyrtuar imazhet satelitore të vendit nga Maxar Technologies dhe Capella Space. Fotot satelitore tregojnë se parcela e Wagner ishte bosh gjatë verës, kishte tre rreshta varresh në fund të nëntorit dhe ishte plot tre të katërtat në fillim të janarit. Pothuajse e gjithë parcela u përdor deri më 24 janar.

    Aktivisti vendas Vitaly Votanovsky, i cili bëri fotografitë e para dhe ka dokumentuar ushtarë të vrarë në Ukrainë dhe të varrosur në varrezat e rajonit Krasnodar, i tha Reuters-it se ai ka parë një kamion që dërgonte kufomat në varreza. Varrmihësit i kanë thënë atij se trupat kishin ardhur nga qyteti rus i Rostov-on-Don, afër kufirit të Rusisë me rajonin Donetsk. Kur Reuters vizitoi varrezat në janar, gardhe dhe kamera sigurie po instaloheshin rreth parcelës dhe një varrim tjetër ishte duke u zhvilluar.

    Agjencia shtetërore ruse e lajmeve RIA Novosti publikoi pamjet në fillim të janarit të Prigozhin duke vizituar varrezat, duke bërë shenjën e kryqit dhe duke vendosur lule në një varr. Ai tha për mediat lokale se burrat e varrosur atje kishin shprehur dëshirën që të prehen pranë një kishëze të Wagner jashtë qytetit të afërt të Goryachiy Klyuch, në vend që trupat e tyre t’u ktheheshin të afërmve. Parcela në Bakinskaya u sigurua nga autoritetet lokale, tha ai, pasi kishës i mbaroi hapësira. Në vitin 2019, Reuters raportoi për ekzistencën e një kampi trajnimi Wagner në fshatin Molkino, rreth 9 km nga Bakinskaya.

    Nga 39 të dënuarit e identifikuar nga Reuters, 10 ishin burgosur për vrasje ose vrasje pa paramendim, 24 për grabitje dhe dy për lëndime të rënda trupore. Krime të tjera përfshinin prodhimin ose tregtimin e drogës dhe shantazhin. Midis të dënuarve ishin shtetas të Ukrainës, Moldavisë dhe rajonit separatist gjeorgjian të Abkhazisë, të mbështetur nga Rusia. Shkrimet në kryqet e drunjta në varret e tyre në Bakinskaya dhe tre varreza aty pranë tregojnë se burrat vdiqën midis korrikut dhe dhjetorit 2022, në kulmin e betejës për Bakhmut.

    Një nga më të rinjtë, i varrosur në varrezat e afërta Martanskaya, është Vadim Pushnya. Ai ishte vetëm 25 vjeç kur vdiq më 19 nëntor. Pushnya u burgos në vitin 2020 për grabitje të garazheve, një dyqani birre dhe një fabrike çimentoje në qytetin e tij të lindjes, afër kishës Wagner. Data e lindjes në varrin e Pushnya përputhet me datën e dhënë në llogaritë e tij në mediat sociale dhe në dosjet gjyqësore.

    Më i moshuari, Fail Nabiev, po vuante dënimin në burgun e rajonit të Ivanovës, 200 milje në verilindje të Moskës. Ai ishte dënuar për vjedhje në maj të vitit 2022 nga një gjykatë në qytetin piktoresk turistik të Suzdal. Sipas varrit të tij të thjeshtë prej druri, të zbukuruar me një gjysmëhënë islamike, Nabiev vdiq në tetor, më pak se pesë muaj pasi u dënua. Ai ishte 60 vjeç.

    Bashkëshortja e Nabiev, Olga Viktorova, konfirmoi për Reuters se Nabiev ishte vrarë ndërsa shërbente për Wagnerin në fushatën ushtarake në Ukrainë. Ajo tha se burri i saj ishte afër fundit të vuajtjes së dënimit. Ajo tha se nuk e dinte që burri i saj ishte bashkuar me Wagnerin deri pas vdekjes së tij. Media e pavarur ruse e lajmeve iStories ka raportuar se Prigozhin vizitoi burgun ku po qëndronte 60 vjeçari, për të rekrutuar luftëtarë në muajin gusht. Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur raportin.

    “Ai gjithmonë kishte ide të çmendura. Një optimist i pandreqshëm,” tha Viktorova. Nabiev ndoshta “mendoi se do të bënte një udhëtim të shpejtë në Ukrainë dhe do të fitonte disa para”.

    Kremlini, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë dhe autoritetet ruse të burgjeve nuk iu përgjigjën pyetjeve për këtë artikull. Qeveria ruse në të kaluarën ka vlerësuar “veprimet e guximshme dhe vetëmohuese” të luftëtarëve të Wagner. Themeluesi i Wagnerit Prigozhin, i cili gjithashtu nuk komentoi, ka thënë më parë se ai po u jep të dënuarve “një shans të dytë për të jetuar”.

    Megjithëse Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte se ku vdiqën saktësisht burrat, nëna e njërit tha se djali i saj u vra në rajonin e Donetsk. Llogaritë e disa të tjerëve në mediat sociale tregojnë gjithashtu se ata ishin në Ukrainë para vdekjes së tyre.

    Që nga fillimi i luftës së Rusisë në Ukrainë, Wagner dhe themeluesi Prigozhin kanë marrë një profil gjithnjë e më publik. Në të kaluarën, luftëtarët Wagner janë vendosur në Siri, Libi dhe Republikën e Afrikës Qendrore në mbështetje të aleatëve të Rusisë. Prigozhin, ka përfituar vazhdimisht kontrata të hotelierisë në Kremlin, por mohoi vazhdimisht çdo lidhje me Wagner. Më pas, shtatorin e kaluar, ai konfirmoi se themeloi ushtrinë private, të cilën e përshkroi si një “grup patriotësh”.

    Që atëherë, Prigozhin ka vizituar vazhdimisht vijat e frontit në Ukrainën lindore, duke kritikuar gjithashtu udhëheqjen ushtarake të Rusisë dhe disa zyrtarë të lartë, dhe personalisht ka udhëhequr një përpjekje për të rekrutuar luftëtarë nga sistemi i vuajtjes së dënimit në Rusi.

    Sipas një raporti të rregullt të publikuar nga Shërbimi Federal i Ndëshkimit Rus, numri i të burgosurve u ul me rreth 8% nga 353,210 në gusht, në 324,906 në fillim të nëntorit, rënia më e madhe në më shumë se një dekadë.

    Raporti nuk dha arsye për reduktimin e papritur dhe të ndjeshëm, që përkoi me fillimin e rekrutimeve nëpër burgje nga Wagner. Autoritetet nuk iu përgjigjën pyetjeve të hollësishme për këtë artikull.

    Muajin e kaluar, Reuters raportoi se agjencitë e inteligjencës amerikane besojnë se Wagner kishte rreth 40,000 rekrutë të burgosur të dislokuar në Ukrainë që nga dhjetori, që përbën shumicën dërrmuese të ushtarëve të Wagnerit në vend. Wagner nuk e ka komentuar shifrën, as nuk ka dhënë ndonjë informacion mbi numrat e luftëtarëve. Në një video-mesazh të 14 janarit, Prigozhin e përshkroi Wagnerin si një forcë plotësisht të pavarur me avionët, tanket, raketat dhe artilerinë e vet. Është “ndoshta ushtria më me përvojë që ekziston sot në botë,” tha ai.

    Disa nga të dënuarit e identifikuar nga Reuters ishin shkelës të rrezikshëm të ligjit, që kishin kaluar pjesën më të madhe të moshës madhore në burg ose përballeshin me dënime të gjata. Dokumentet e gjykatës të shqyrtuara nga Reuters portretizojnë gjithashtu burra që kishin luftuar me varësinë nga alkooli. Emrat e disa të tjerëve janë në listat e zeza bankare, me probleme financiare.

    Jetët e tyre sjellin në fokus të zymtë realitetet e klasës së ulët kriminale të Rusisë. Themeluesi i Wagner, Prigozhin në dhjetor i tha faqes ruse të lajmeve RBC se ai u jep të dënuarve një mundësi “të shpengojnë veten”. Në janar, ai u shfaq së bashku me grupin e parë të ish të burgosurve që u falën, pasi i mbijetuan periudhës së tyre në Ukrainë. Disa javë më vonë, ai i shkroi një letër të hapur kryetarit të parlamentit rus, Vyacheslav Volodin, duke i kërkuar atij që të kriminalizonte çdo veprim ose botim që diskreditonte luftëtarët e Wagner-it dhe të shpallte të paligjshëm zbulimin publik të të kaluarës së tyre kriminale. Ai shkroi se ata “që çdo ditë rrezikojnë jetën dhe vdesin për Atdheun, po paraqiten si njerëz të dorës së dytë, duke u hequr të drejtën për të shlyer fajin”. Volodin nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për një koment.

    Mes të burgosurve të identifikuar nga Reuters ishte edhe 43-vjeçari Anatoli Bodenkov. Ai po vuante një dënim 16-vjeçar, pasi u shpall fajtor si vrasës me pagesë, tregojnë dokumentet e gjykatës. Sipas një raporti të mediave lokale për rastin, në vitin 2016 Bodenkov vrau një agjent lokal të pasurive të patundshme në qytetin verior të Kirovo-Chepetsk me një armë gjahu në këmbim të pagesës 400 mijë rubla (5,720 dollarë). Shenja e varrit thotë se Bodenkov vdiq më 27 nëntor 2022, por nuk thotë se ku.

    Një i burgosur i dytë, Viktor Deshko, 40 vjeç, u dënua me 10 vjet për një vrasje në vitin 2021, sipas dokumenteve të gjykatës dhe raporteve të mediave lokale. Ai i preu fytin një gruaje gjatë një debate, ndërsa ishte në gjendje të dehur në pyjet pranë qytetit minerar Shakhty, afër kufirit me Donbasin, zonë e kontrolluar nga Rusia. Dokumentet e gjykatës e cilësojnë Deshkon si “person agresiv, i dhënë pas abuzimit me alkoolin”. Vrasja ndodhi në kohën kur ai ishte liruar me kusht, pasi kishte kishte kryer më herët një dënim me tre vjet e gjysmë burg, për sulm me armë.

    Për Bodenkovin dhe Deshkon, emrat e plotë dhe datat e lindjes në kryqet e varreve përputheshin me mediat e tyre sociale dhe dosjet gjyqësore. Reuters nuk ishte në gjendje të kontaktonte miqtë ose familjen e dy burrave, ndërsa avokatët e tyre nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

    Një burrë i tretë, Vyacheslav Kochas, u dënua me 18 vjet burg nga një gjykatë në Shën Petersburg për vrasje dhe grabitje të armatosur në vitin 2020, kur ishte 23 vjeç. Sipas dokumenteve të gjykatës ruse, Kochas dhe një burrë tjetër hynë në banesën e një të njohuri në gjendje të dehur, në tentativë për grabitje. Ai ka goditur të njohurin dhe ka lënë një femër pa ndjenja, duke përdorur një shufër metalike. Më pas Koças i vuri zjarrin një veshjeje dhe ia hodhi sipër të pavetëdijshmit. Pjesa më e madhe e banesës u shkrumbua nga zjarri, ndërsa viktima humbi jetën nga plagët e marra dy ditë më vonë.

    Fotografitë e Koças në rrjetet sociale tregojnë një burrë me fytyrë të njomë. Në disa foto, ai është duke përqafuar një grua të re të paidentifikuar. Në profilin e Koças në VKontakte, ekuivalenti rus i Facebook, tani shkruhet: “I vrarë në Donbas”. Shenja e varrit të Koças në Bakinskaya tregon datën e vdekjes së tij 21 korrik, pak pas ditëlindjes së tij të 25-të dhe në ditët më të hershme të përparimit të Rusisë drejt Bakhmutit.

    Avokati i Koças, Stepan Akimov, e përshkroi ish-klientin e tij si “një djalë vërtet të zakonshëm” për të cilin tha se ishte dënuar padrejtësisht. Kontakti I fundit me Koças ishte një mesazh me tekst pasi apeli i tij dështoi, duke falënderuar Akimov për ndihmën e tij. Akimov mësoi nga Reuters se ish-klienti i tij ishte bashkuar me Wagner.

    “Mund ta imagjinoj, duke pasur parasysh kohëzgjatjen e dënimit të tij dhe sa i ri ishte, që ai e konsideroi si një mënyrë për t’u liruar”, tha Akimov. “Kur një i burgosur ka një dënim dyshifror, këtu ofrojnë lirim pas gjashtë muajsh. Me sa duket, Vyacheslav mendoi se kjo ofertë ishte një rrugëdalje.”

    Reuters nuk ishte në gjendje të kontaktonte me të afërmit e mbijetuar të Koças.

    Rusia ka një nga popullsitë më të mëdha në burgje në botë, për frymë. Mark Galeotti, autor i The Vory: Supermafia e Rusisë, një libër mbi kulturat kriminale dhe të burgjeve të Rusisë, thotë se apeli i mundshëm i Wagner-it ndaj të burgosurve është më i gjerë sesa thjesht një ofertë mëshiruese.

    Shërbimi me Wagner, tha ai, ofron krenari dhe një qëllim në vetvete për të dënuarit me pak perspektiva pas lirimit, njerëz që kanë kaluar kohë në një ambient burgu ku mbizotëron “një nuancë shumë e fortë nacionaliste ruse”.

    “Po, kjo do t’ju japë mundësinë të dilni nga burgu, por gjithashtu ju jep mundësinë të jeni vërtetë dikushi,” tha Galeotti. “Kjo është një mënyrë me të cilën Wagner mund t’u bëjë thirrje njerëzve që janë, ose besojnë se janë, të margjinalizuar, të përjashtuar, humbës dhe u jep atyre mundësinë ta mendojnë veten si fitues.

    Të paktën një nga burrat e varrosur në Bakinskaya fshehu dosjet e tyre kriminale dhe kohën e burgut nga të afërmit.

    Për më shumë se gjysmë decade, pasi u martua dhe u largua nga vendlindja e saj Luhansk në Ukrainën lindore, Svitlana Holyk besonte se vëllai i saj Yury Danilyuk ishte duke punuar diku në veriun e largët të Rusisë. Dy vëllezërit e motrat e lindur në Ukrainë kishin pak të afërm të gjallë dhe rrallë flisnin pasi përfaqësuesit e mbështetur nga Rusia pushtuan qytetin e tyre në vitin 2014, tha ajo. Svitlana dinte vetëm se vëllai i saj udhëtonte rregullisht për punë në qytetin kufitar rus të Bryansk, 800 km larg.

    Ndërsa Svitlana po ndërtonte një jetë të re në qytetin ukrainas Dnipro, Yury po përdorte mediat sociale për t’u abonuar në grupet pro-ruse që mbështesin kryengritjen separatiste të Donbasit, tregon aktiviteti i tij në internet. Në vitin 2016, duke qenë jashtë kontaktit për një vit e gjysmë, Yury i tha motrës së tij se ai ishte zhvendosur në veriun Arktik të Rusisë. Ajo tha se mesazhet e tij ishin të shkurtra, dhe ai tregoi pak për jetën e tij.

    “Atëherë dyshova se diçka kishte ndodhur, se ai mund të kishte disa telashe për të cilat nuk donte ose nuk mund të fliste për ndonjë arsye,” i tha ajo Reuters, duke folur ukrainisht, përmes një telefonate nga Dnipro. Qyteti është tani një qendër kryesore logjistike për ushtrinë ukrainase që lufton në Donbas dhe një objektiv i vazhdueshëm i raketave ruse.

    Një mik i ngushtë i Yury Danilyuk foli për Reuters në kushte anonimiteti. Miku tha se Yury gënjeu motrën e tij, të cilën ai e donte shumë, për të mos e mërzitur me lajmin e burgosjes së tij. Në realitet, ai ishte dënuar në vitin 2016 me nëntë vjet e tetë muaj burg për akuzën e drogës. Dy burrat u burgosën së bashku në rajonin Krasnodar.

    Miku tha se ai foli për herë të fundit me Yury-n në shtator 2022 dhe dëgjoi më vonë atë muaj nga të burgosur të tjerë se Yury ishte bashkuar me Wagner. Olga Romanova, një aktiviste për të drejtat e të burgosurve me grupin mbikëqyrës “Rusia Behind Bars”, i tha Reuters se Prigozhin ka vizituar burgun në të cilin ndodhej i riu për të rekrutuar të burgosur, në dy raste të ndryshme. Reuters nuk mundi të verifikonte në mënyrë të pavarur këto vizita.

    Miku tha se gjatë kohës së tij në burg, Yury u përplas me një fraksion të burgosurish që refuzojnë të bashkëpunojnë me autoritetet e burgut në parim – një fenomen i zakonshëm në sistemin e burgjeve të Rusisë. Kjo do të thoshte se Yury humbi mundësinë e lirimit të parakohshëm për sjellje të mirë. Ai tha se vendimi i Yury-t për t’u bashkuar me Wagner ishte nxtur nga fakti se rrezikonte që të vuante plotësisht dënimin e tij të gjatë.

    Sipas shkrimit mbi varrin e tij, Yury Danilyuk vdiq më 30 nëntor 2022. Ai ishte 28 vjeç.

    Motra e Danilyuk, Svitlana, tha se nuk dinte asgjë për dënimin me burg të vëllait të saj, shërbimin me Wagner dhe vdekjen gjatë luftës së Rusisë kundër vendit të tyre të lindjes, derisa u kontaktua nga gazetarët e Reuters. Holyk tha: “Faktin që Yury ka vdekur e mësova nga ju. E kam lexuar mesazhin tuaj disa here. Nuk mund ta besoja.”

    Miku i tij e kujton Yury-n si një patriot të egër të vendlindjes së tij Donbas, dhe që kishte pasion makinat. “Unë ia vë fajin atij që nuk dëshironte të bashkëpunonte me autoritetet e burgut”, tha miku. “Nëse ai do të kishte rënë dakord me ta, do të ishte gjallë.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark